Kukës. Të gjitha zonat rurale të bllokuara
Të gjitha zonat rurale në rrethin e Kukësit janë ribllokuar sërish si pasojë e reshjeve të pandërprera të dëborës, që vazhdojnë me intensitet të lartë.
Mbetet i kalueshëm, por vetëm me zinxhirë, segmenti i autostradës Morin-Kukës-tunel. Për mbajtjen hapur të këtij segmenti është angazhuar i gjithë arsenali i mjeteve borëpastruese të firmave kontraktore. “Deri tani një gjë e tillë është bërë e mundur, pavarësisht trashësisë së dëborës, që ka arritur në mbi një metër”, thotë drejtori i Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së rrugëve, Arben Basha.
Aksi rrugor Kukës-Draj Rec është i kalueshëm deri në Bicaj, 12 kilometra larg qytetit të Kukësit.
Ndërsa akset e tjera rrugore janë thuajse të gjitha të pakalueshme.
Aksi rrugor Kukës-Shishtavec, i cili u rihap mbasditen e kaluar, është ribllokuar. Kryetari i komunës së Shishtavecit, Dylejman Nela, bëri të ditur se, “reshjet e dëborës janë shumë të dendura, ndërsa trashësia e dëborës ka arritur në mbi 2 metër”.
Sipas tij, “pas një periudhë mbi 10 ditore të izoluar situata po shkon drejt kaosit, pasi në shumë familje po mungon ushqimi, ndaj ndihma është e domosdoshme në këtë rajon të izoluar prej ditësh”.
Aktualisht në rrethin e Kukësit janë të izoluar komunat e Zapodit, Shishtavecit, Topojanit, Grykë Cajës, Kalisit, Bushtricës, Malziut, Surrojit dhe Arrnit.