Përmbledhje e rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë pranë familjeve gjatë vitit 2009
Në bashkëpunim me INSTAT-in Banka e Shqipërisë përditësoi listën e familjeve, që raportojnë marrjen e dërgesave nga emigrantët për vitin 2009. Për këtë proces u përdor informacion nga rezultatet e vrojtimit të fundit pranë familjeve për matjen e nivelit të jetesës (Anketa e Matjes së Nivelit të Jetesës, INSTAT 2008). Sipas gjetjeve të AMNJ 2008 një numër i konsiderueshëm i familjeve të përdorura në panelin e mëparshëm, nuk u përfshinë në listën e vitit 2008, pasi deklaruan se nuk përfitonin më dërgesa nga emigrantët në mënyrë të rregullt. Për këtë arsye nga paneli prej 1.030 familjesh u përjashtuan 800 familje. Këto familje u zëvendësuan me rreth 1000 familje të reja, që në AMNJ 2008, deklaruan se ishin marrëse të rregullta të dërgesave nga emigrantët. Nga rezultatet e vrojtimit të realizuar në 3 faza gjatë vitit 2009 pranë 1.217 familjeve të panelit të ri, rreth 63% e tyre kanë deklaruar përfitimin e dërgesave të rregullta gjatë vitit 2009.
Nga tre intervistimet e realizuara gjatë vitit 2009 rezulton se:
Rreth 55% e familjeve që marrin dërgesa jetojnë në zona rurale dhe 45% në zona urbane të vendit. Familjet e vendosura në zonat rurale përfitojnë rreth 63% të vlerës së përgjithshme të dërgesave nga jashtë.
Dërgesat nga jashtë për vitin 2009 kanë përfaqësuar rreth 29% të vlerës së përgjithshme të të ardhurave mujore të familjes. Pesha e dërgesave në të ardhurat e përgjithshme mujore në vitin 2009 ishte më e ulët se pesha e vlerësuar në vitin 2008 (31%) dhe ajo e vlerësuar në vitin 2007 (35%).
Rreth 77% e familjeve, që përfitojnë dërgesa janë familje me 1-4 anëtarë. Ky grup familjesh përfiton rreth 77% të vlerës së përgjithshme të dërgesave nga emigrantët.
Vlera më e lartë e dërgesës mesatare për tremujor për familje është raportuar nga familjet me 4 anëtarë ( 441 euro) dhe më e ulëta nga familjet me 1 anëtar (271 euro).
Vlera mesatare e dërgesave nga jashtë për tremujor për familje vlerësohet të jetë rreth 270 euro. Kjo vlerë është rreth 7% më e ulët se mesatarja tremujore prej 289 eurosh vlerësuar nga vrojtimi gjatë vitit 2008.
Dërgesa mesatare tremujore për emigrant vlerësohet në 193 euro, ose 25% më e ulët se vlera prej 241 eurosh e raportuar nga familjet gjatë vitit 2008.
Mesatarisht, rreth 60% e vlerës së dërgesave nga jashtë përdoret për mbulimin e nevojave të përditshme, por struktura e shpenzimeve paraqet ndryshueshmëri nga njëri tremujor në tjetrin. Kjo peshë në tremujorin e katërt të vitit 2009 merr vlerën 70%.
Rreth 46% e emigrantëve të identifikuar nga familjet jetojnë në Greqi, ndërsa 41% e tyre në Itali. Dërgesat e emigrantëve të vendosur në Greqi përfaqësojnë rreth 46% të vlerës së përgjithshme të dërgesave dhe dërgesat e emigrantëve të vendosur në Itali rreth 43% të dërgesave.
Rreth 70% e familjeve, që përfitojnë dërgesa nga jashtë, arrin të kursejë deri në 10% të këtyre të ardhurave, por një numër mjaft i kufizuar familjesh arrin të kursejë deri në 100% të këtyre dërgesave.
Gjatë vitit 2009, mesatarisht rreth 87% e familjeve që kanë përfituar dërgesa nga emigrantët kanë deklaruar se rruga e dërgimit të transfertave ka qenë nëpërmjet të njohurve ose vetë emigrantëve. Kanalet formale të transferimit të vlerave monetare figurojnë në një numër mjaft të kufizuar rastesh, ashtu si edhe në vitet e mëparshme.
Lexo edhe: Dërgesat në para të emigrantëve, 10% i PBB-së