Për gjithë muajin janar bukë, biskota, djathë e ushqime të tjera me gjysmë çmimi për të gjithë pensionistët. Kështu zemërbardhi Lulzim u uron Vitin e ri të moshuarve
Romë, 5 janar 2016 – Viti i ri sapo ka hyrë, të gjithë bëmë e morëm dhuratat dhe urimet e të afërmve dhe miqve. Lulzim Vulashi, furrtari zemërgjerë, pronar i Pane Amore e Fantasia në Firence, që me dhurata speciale na ka mësuar tashmë, këtë herë mendon për më të moshuarit.
Dhurata e tij për këtë Vit të Ri është për pensionistët: atyre që do të shkojnë në furrën e tij do t’u ofrojë, jo vetëm bukën, por të gjitha ushqimet që tregton, me gjysmë çmimi për gjithë muajin janar.
Edhe pse të moshuarit nga 65 vjeç e sipër përbëjnë 60% të klientelës së furrës së Lulzimit dhe nisma e re do t’i kushtojë rreth 7.500 euro, edhe pse fitimi duket se sot është “çelësi” i suksesit veçanërisht për tregtarët, ai nuk do t’ia dijë. E bën me gjithë zemër, sepse – për ta thënë me fjalët e tij – i duket e udhës “të tregojë në një mënyrë dashuri e mirënjohje prindërve të tij e gjithë brezit të tyre”, sepse “nuk harron ditët e tij të vështira”, sepse ashtu si në të tjera raste “beson në të ardhmen e vepron sot”. Sepse me mirësinë e bujarinë tij sheh në çdo person dikë që i duhet qëndruar pranë e duhet ndihmuar me sa mundet. “Këto ditë të para të këtij viti furra jonë është e mbushur plot me klientë. – tregon Lulzimi për Shqiptariiitalise.com – Të moshuarit veçanërisht, nuk dinë si të më përgëzojnë për këtë nismë të re e urimet e tyre janë mallëngjyese. Nuk di ç’të them, kënaqësia e tyre më bën të ndihem i lumtur”.
Lulzim Vulashi, 37-vjeçari nga Shkodra, prej mëse 20 vjetësh në Firence, tashmë është i njohur për nismat e tij në ndihmë të të tjerëve. Kjo e këtij fillimviti në favor të pensionistëve vjen pas shumë të tjerave, falë të cilave ka merituar vëmendjen e mediave dhe respektin e dashurinë jo vetëm të atyre që e njohin personalisht.
Nga viti 2007 çdo të premte gatuan e shtron darkë në kishën e rrugës Boccherini ku mblidhen të pastrehë.
Në pranverë e verë 2014 ofron për gjashtë muaj bukën falas për nënat e reja.
Në shtator 2014 ofron për një muaj zamër falas fëmijëve të sapokthyer në bankat e shkollave, gjë që përsërit edhe në shtator 2015 akoma më mirë se herën e parë: falë kontributit të shefit të vlerësuar të kuzhinës Marco Stabile e të nutricionistes Valentina Guttadauro përgatit për nxënësit e shkollave panine të menduara posaçërisht për moshën e tyre.
Gjithnjë shtatorin e shkuar, Lulzimi është në qendër të vëmendjes së mediave për gjestin e bukur në ndihmë të një të moshuare të cilës i vjedhin pensionin në dyqanin e tij: organizon menjëherë një mbledhje të hollash mes klientëve dhe brenda tre ditëve i dorëzon një shumë që e kapërcen atë që gruas iu mor padrejtësisht.
Lulzim Vulashi është nga ata të rinj që të mbush me gëzim të sotmen e të jep shpresë për të nesërmen. Falë tij, furra, që drejton, shpreh më së miri emrin që i ka vënë e që ka huazuar nga një film i regjisorit të famshëm italian Luigi Comencini: “Bukë, Dashuri e Fantazi”. Faleminderit zemërbardhi Lulzim për gjithçka ti bën dhe gëzuar Vitin e Ri!
Keti Biçoku
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)