in

Dhuro gjakun, shpëton një jetë e mbron shëndetin tënd

Dhurimi i gjakut, përveçse është i rëndësishëm për kë e merr, është edhe një mjet i shkëlqyer parandalimi për shëndetin e dhuruesit, të cilit i bëhen falas analizat e vizitat e kontrollit.
Dhurimi i gjakut është një akt vullnetar, pa shpërblim. Gjaku nuk mund të prodhohet në laborator, prandaj burimi i vetëm është dhurimi i tij. Zakonisht jepen 400 ml gjak, rreth 10% e sasisë që qarkullon në organizëm.

Kush mund të dhurojë gjak?

  • Kush është pa probleme shëndetësore
  • Kush ka mbushur 18 vjeç dhe nuk i ka kapërcyer të 65-tat
  • Kush peshon mbi 50 kg sepse sasia e gjakut në organizëm është në raport të drejtë me peshën
  • Kush nuk ka mënyrë jetese që mund të verë në rrezik shëndetin e vet ose të personit që do të marrë gjakun.

Zakonet që mund të krijojnë rrezik janë:

  • Varësia nga lëndët narkotike;
  • Alkoolizmi;
  • Marrëdhënie seksuale me prostituta apo persona të panjohur.

Çfarë dëmesh mund t’i shkaktojë vetes ai që dhuron gjak?

Nëse bëhet sipas kritereve, nuk sjell asnjë dëm. Të gjitha procedurat e marrjes së gjakut bëhen me materiale më një përdorim dhe steril, prandaj dhuruesi nuk rrezikohet nga asgjë

Ç’të mira mund të ketë kush dhuron gjak?
Vizita që kryhet përpara dhurimit dhe analizat e përgjithshme që bëhen janë një rast shumë i mirë për parandalimin e sëmundjeve më të zakonshme. Përpara dhurimit mjeku bën një bisedë të shkurtër dhe viziton dhuruesin. Pas dhurimit të gjakut bëhen falas një sërë analizash që i dërgohen dhuruesit. Në rast se ai nuk është në gjendje shëndetësore optimale njoftohet mbi nevojën e vizitave apo analizave që duhet të bëjë.
Ligji parashikon një ditë pushim nga puna, të paguar 100%, për ata që dhurojnë gjak.

Sa herë në vit mund të dhurohet gjak?
2 herë në vit gratë dhe 4 herë në vit burrat. Për të gjithë intervali minimal mes dy dhurimeve është 90 ditë. Me këto intervale nuk ka rrezik të varfërohen rezervat fiziologjike të organizmit.

Për sa kohë rikrijohet gjaku i dhuruar?
Shumë më shpejt nga ç’mund të mendohet: nga një deri në shtatë ditë.

Kujt i nevojitet gjaku i dhuruar?

  • Personave që pësojnë trauma për të kapërcyer çastet kritike.
  • Personave që  duhet t’u nënshtrohen ndërhyrjeve të rënda kirurgjikale.
  • Personave anemikë kronikë, jeta e të cilëve varet nga transfuzionet periodike të gjakut.
  • Personave me leucemi apo me sëmundje të tjera të tjera të gjakut. Vetëm më transfuzione gjaku ata mund të kapërcejnë dëmet që u shkakton kimioterapia..

Përgatiti Irida Cami

Lexo edhe:
Ali Veliu, medalje ari dhe rubini nga AVIS. Dhuron gjak prej 25 vitesh
Dhuroj gjak dhe jam i kënaqur që gjesti im ndihmon dikë
Vëllezër gjaku

 

 

Ndikimi i Kanunit në shoqërinë shqiptare

Shtetësia italiane. Komunës i duhen 6 muaj për të organizuar betimin