in

Diana Kapo, sekretare e të rinjve të PD-së në Firence

Në kongresin e tretë provincial të të rinjve militantë të Partito Democratico, Diana Kapo është zgjedhur sekretare e Të rinjve demokratë të  Firences. Prej dhjetë vjetësh në Sesto Fiorentino, italiane prej një viti, Diana Kapo, nga Tirana, është studente në shkenca politike. “Kemi akoma shumë punë për të bërë – thotë ajo në kongres – dhe mundësitë i kemi: do të rinisim menjëherë angazhimin antifashist, betejat për shkollën dhe universitetin. Do të vazhdojmë punën dhe koordinimin me përfaqësuesit tanë të shumtë në këshillat komunalë, impenjimin mbi çështjet e punësimit që prekin veçanërisht brezin tonë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithnjë këtu. Duke dhënë kontributin tonë për të rritur partinë Demokratike fiorentine dhe kombëtare”.

Pikërisht dje, Sekretari PD i Firences, Patrizio Mecacci, duke iu përgjigjur këshilltarit krahinor të PdL, Giovanni Donzelli  që propozon  për refugjatët afrikanoveriorë të bujtur në Toskanë të bëjnë punë të dobishme shoqërore si të pastrojnë  parqet apo të mbledhin plehra, kujton se imigrantët nuk janë “krah pune i lirë, por shumë më tepër”, dhe sjell si shembull sekretaren e sapozgjedhur të të rinjve PD të Firences. “Të rinjtë demokratë të Firences sot kanë zgjedhur sekretaren e tyre të re, Diana Kapon. Ajo me historinë e saj përfaqëson pasurinë që sjell kush lë vendin e tij për të ndërtuar këtu me ne të ardhmen e vet”.

Diana ka ardhur në Itali me familjen në vitin 1992, kur ishte vetëm 6 vjeçe. Ka jetuar për tre vjet në Firence e më pas në Sesto Fiorentino. Ajo kujton mikpritje të ngrohtë, veçanërisht në Sesto, por nuk mund të mos përmendë problemet e tipit burokratik: “Problemi më i madh nuk ka qenë kulturor por burokratik: kur mbusha 18 vjeç dhe nuk mu njoh më motivi familjar për përtëritjen e dokumentit të qëndrimit, rrezikoja që duhej të lija Italinë, që tashmë ishte vendi im. Që atëherë deri një vit më parë kur mora shtetësinë (pas tre vjetëve nga data kur paraqita kërkesën), kam qenë e detyruar të përtërij çdo vit lejen e qëndrimit për motive studimi. Me një fjalë, burokracia nuk të lejon të ndihesh i barabartë me të tjerët, të heq të drejtat që të japin mundësinë e vendosjes si qytetar aktiv”.

Farnesina fut sërish Shqipërinë në listën e vendeve me probleme

Universitet në Itali. Nisin pararegjistrimet për të huajt