Pas hekurave një funksionar i Qendrës së punësimit dhe një ekonomist. Regjistrime “të çuditshme” në listat e të papunëve për të kërkuar lejen e qëndrimit për pritje punësimi
Romë, 3 korrik 2012 – Zbulohet në Romë një organizatë që siguronte dokumente të rreme për lëshimin e lejeve të qëndrimit.
Mëngjesin e sotëm, agjentët e kuesturës së Romës kanë arrestuar pesë vetë, katër gra e një burrë, mes të cilëve njëri është funksionar i Qendrës së Punësimit, një tjetër ekonomist, titullar i dy qendrave të asistencës fiskale, CAF.
Hetimet kanë nisur muajt e parë të vitit të shkuar, kur pranë sporteleve të zyrës së imigracionit në rrugën Teofilo Patini kanë mbërritur kërkesa të ashumta lëshimi lejesh qëndrimi për pritje punësimi. Në fakt, mjaft të huaj, kryesisht kinezë, u kishin bashkangjitur formularëve të kompletit postar një skedë profesionale të lëshuar nga Qendra e punësimit e Romës që dëshmonte regjistrimin në listat e të papunëve.
Disa mospërputhshmëri të gjetura gjatë përpunimit të praktikave, si për shembull regjistrimet në listat e të papunëve pa pasur një heqje nga puna, ka ndjellë dyshime te agjentët e drejtuar nga Maurizio Improta, që nisën një sërë verifikimesh. I jep të drejtë tezës së mbrojtur nga hetuesit edhe fakti që pjesa më e madhe e të huajve nuk kuptonin italisht ndryshe nga ç’deklarohej në skedat e përpiluara nga sportelet e Qendrës së punësimit.
Sipas hetimeve, ofertat e lejeve të kollajshme ka tërhequr në Romë emigrantë nga e gjithë Italia, të gatshëm të paguanin nga 250 deri në 5.000 euro për të futur në xhep dokumentin. Personat e arrestuar mëngjesin e sotëm duhet të përgjigjen për organizim kriminal që kishte për qëllim falsiikimin e dokumenteve dhe për favorizim të imigracionit klandestin.