in

Drejtësia italiane kërkon ekstradimin e qindra shqiptarëve për drogë e prostitucion

Sipas të përditshmes shqiptare Mapo, burime nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se lista e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma arrin në qindra. Bëhet fjalë për persona që akuzohen nga drejtësia italiane për vepra të ndryshme penale, të cilat rezultojnë të jenë kryer në zona të ndryshme të Italisë, në të shumtën e rasteve janë konsumuar që prej vitit 1997 e më pas

Tiranë, 23 prill 2012 – Gati çdo javë në Shqipëri, veçanërisht në Fier, janë vënë në pranga persona të shpallur në kërkim nga Interpol Roma, të cilët rezultojnë të dënuar ose të hetuar nga drejtësia italiane. Deri tani në Qarkun e Fierit në kuadër të operacioneve të koduara “Korrja”, janë arrestuar 8 persona, ndonëse, sipas të përditshmes MAPO, numri i atyre që kërkohen rezulton të jetë të paktën 300. Një pjesë e këtyre janë të dënuar me vendime të formës së prerë, të tjerë kërkohen për çështje që janë në hetim dhe pjesa më e madhe janë për krime që kanë lidhje me trafikun  e drogës dhe atë të shfrytëzimit të prostitucionit. Arrestimet e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, që javët e fundit kanë zënë rregullisht faqet e kronikës në shtypin shqiptar janë vetëm në fillimet e tyre.

Kështu, burime nga Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur për të përditshmen Mapo se lista e gjatë e shtetasve shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma arrin në qindra, ku vetëm për qarkun e Fierit mësohet të jenë rreth 300 të shumëkërkuar, të cilët janë të dënuar apo të skeduar si të dyshuar për krime të ndryshme. Bëhet fjalë për persona që akuzohen nga drejtësia italiane për vepra të ndryshme penale, të cilat rezultojnë të jenë kryer në zona të ndryshme të Italisë, në të shumtën e rasteve janë konsumuar që prej vitit 1997 e më pas.

Nga burimet mësohet se vepra penale e cila haset më shpesh është ajo e pjesëmarrjes ose drejtimit të organizatave kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike. Gjithashtu, ka mjaft persona që akuzohen nga drejtësia italiane të kërkuar për trafikim të qenieve njerëzore, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion apo për qëllime të tjera përfituese. Ndërkaq, mësohet se në listën e gjatë të Interpol Romës ka edhe shtetas të tjerë shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, plagosje apo grabitjeve të ndryshme, të cilat rezultojnë të jenë kryer nga grupe të strukturuara kriminale. Pjesa më e madhe e këtyre qindra personave, me vendlindje në Qarkun e Fierit, rezultojnë të kenë qenë pjesë e organizatave të ndryshme kriminale pas trazirave të vitit 1997, kohë në të cilën “lulëzoi” trafiku i drogës me anë të skafeve.

Përgjimet prova kryesore

Nga të njëjtat burime, Mapo bën të ditur se një pjesë e skafeve që dikur niseshin prej brigjeve të Vlorës drejt Italisë, me të cilët trafikohej lënda narkotike, janë zotëruar nga fierakët. Në këtë kohë një armë e fortë në dorën e drejtësisë italiane ka qenë zhvillimi i teknologjisë së telefonisë celulare. Përgjimet e bisedave telefonike të këtyre personave të skeduar si pjesëtarë të organizatave kriminale, janë edhe provat kryesore që zotëron drejtësia italiane kundrejt tyre. Duke qenë se në atë kohë ende nuk kishte shumë informacione rreth mënyrave të përgjimeve të bisedave telefonike, mjaft prej të kërkuarve ndërkombëtarë kanë biseduar të qetë me bashkëpunëtorët e tyre në trafiqe, duke u ofruar hetuesve italianë prova të pakundërshtueshme, shtojnë burimet.

Prej ’97-s deri më 2005, zona kryesore e transitit të drogës

Nga informacionet që ka përcjellë drejtësia italiane rreth aktivitetit kriminal të kryer në vendin fqinj nga shtetas shqiptarë me vendlindje në qytete e fshatrat të ndryshëm në Qarkun e Fierit, rezulton se për një periudhë disavjeçare, që prej vitit 1997 e deri në vitin 2005, ky qark ka qenë një nga zonat kryesore të transitit të drogës, prej Shqipërisë drejt Italisë. Por nuk ka mbetur pas as trafikimi i femrave, me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostituta apo i fëmijëve të mitur që janë shfrytëzuar për vite të tëra si lypsa. Një pjesë e personave që kërkohen nga Interpol Roma rezultojnë të jenë të skeduar edhe nga organet e drejtësisë së vendeve të tjera, si ato të Anglisë, Francës, Greqisë, Gjermanisë dhe ShBA-së.

Sipas të përditshmes Mapo, burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se kontingjenti i krimit të organizuar në Qarkun e Fierit mbetet deri më sot ai që më gjatë i ka rezistuar organeve të drejtësisë.

Lexo edhe:
Dosja e përgjimeve, atentati i urdhëruar nga Milano: Vriteni si qen në mes të fshatit

Zija Saraçi dëshiron të çojë ‘Këngën e Marinarit’ në Saint Vincent

Kur emigracioni nuk është më i frytshëm, njerëzit kthehen në atdhe. Po ndodh me shqiptarët?