in

Duar të pastra

Nga Massimo Canario

Në fillim ishte thjesht një operacion me kod. “Mani Pulite”. Por hetimet e nisura nga grupi i gjykatësve të Milanos më 1992 mbi financimin e partive politike në mënyrë të paligjshme do të nxirrnin në dritë afera të pabesueshme korruptive, Një sistem i tërë, Italia moderne, e ndërtuar vetëm në ryshfete. Një “vend i ryshfeteve”. Tangentopoli. Me këtë emër filloi përmbysja.

Sot duket se historia përsërit vetveten, aferat korruptive duken edhe më të mëdha e më të ndërlikuara se ato të 18 vjetëve më parë. Dyshohet të përfshijnë sërish sferat më të larta të shtetit. Përfshirë këtu personazhe të konsideruara deri më sot “figura të pastra”, të pakorruptuara e të pakorruptueshme si Antonio Di Pietro apo Guido Bertolaso.

Shkrimi i mëposhtëm i Massimo Canarios i botuar vite më parë përmbledh ngjarjet e njohura me emrin Tangentopoli, që shënuan përmbysjen e klasës politike italianet asokohe dhe kalimin nga Republika e parë te e dyta.

Ka ngjarje që, aty për aty, është vështirë t’u kuptosh menjëherë rëndësinë, dhe akoma më vështirë të kuptosh ndikimin e tyre mbi të ardhmen. Por më pas, trondisin jetën e mbarë vendit, edhe pse përbëjnë vetëm majën e ajsbergut.

Një e tillë ka ndodhur në Itali thuajse 20 vjet më parë: ishte 17 shkurti i vitit 1992 kur një gjykatës, atëherë i panjohur, Antonio Di Pietro, urdhëroi arrestimin e një, po aq të panjohuri administratori socialist, Mario Chiesa, president i Pio Albergo Trivulzio, një azil për të moshuarit. Në çastin e arrestimit, Chiesa sapo kishte marrë nga një sipërmarrës milanez, Luca Magni, president i një ndërmarrjeje pastrimi, mitë prej 7 milionë liretash, gjysma e shumës për të cilën kishin rënë dakort në mënyrë që ndërmarrja e tij të fitonte një tender prej 140 milionësh. Para takimit Magni ka lajmëruar karabinierët dhe regjistron të gjithë bisedën me Chiesën. Ky i fundit, eksponent i lartë i PSI-së milaneze, që nuk i fsheh ambicjet e tij, një prej të cilave është që të bëhet kryebashkiak i Milanos, në fillim mundohet të mohojë gjithçka por, kur e kupton që është e pamundur, kërkon të shkojë në banjë ku përpiqet të zhdukë një tjetër rryshfet edhe më të majmë, 37 milionë.

Aksioni i forcave të rendit është përgatitur me shumë kujdes. Në çdo dhjetë kartëmonedha që Magni i ka dhënë Chiesës, njëra është firmosur nga një anë nga kapiteni i karabinierëve Roberto Zuliani, nga ana tjetër nga Antonio Di Pietro. Sipërmarrësi milanez do të tregojë që Chiesa, pas disa vitesh që ndërmarrja e tij punonte në Trivulio, me rritjen e punës, i thotë haptas: “Duhet të më jepni 10%” dhe do të shtojë: “Unë, padyshim, nuk e imagjinoja ç’do të ndodhte pas vendimit që t’u tregoja gjithçka karabinierëve. Për mua ishte thjesht një problem ekonomik. 10% ishte shumë, edhe për faktin që në sektorin tonë nuk mund të fryjmë çmimet. Për më tepër, Chiesa e donte menjëherë pjesën e tij ndërsa ne paratë i merrnim pas shumë muajsh. Situata ishte e papërballueshme”.

Magni as që e çon nëpër mend që gjërat duhet të shkojnë ndryshe. Për të është absolutisht e natyrshme të japësh rryshfet; vetëm se përqindja i duket e lartë. E nuk ka faj, nga fundi i viteve Tetëdhjetë dhe fillimi i viteve Nëntëdhjetë, në Itali korrupsioni lulëzonte në çdo fushë.

mani-pulite.gif

Në atë kohë, qeveria përbëhet nga një koalicion i pesë partive: Demokracia kristiane, në krye të të cilës janë Forlani e Andreotti, Partia socialiste e Craxit, Martellit dhe De Michelisit, Partia republikane e Giorgio La Malfës, Partia liberale e Altimissimos dhe De Lorenzos, të shumëfuqishmit ministër të Shëndetësisë, dhe Partia socialdemokratike e Carlo Vizzinit dhe Pietro Longos, më parë i përfshirë në skandalin e P2-shit.

Në opozitë, përveç të djathtës akoma neofashiste të Movimento-s sociale (Lëvizja sociale), janë dy parti të reja, PDS – Partia demokratike e të majtës, dhe Rifondazione comunista: kanë kaluar pak më shumë se dy vjet nga rënia e murit të Berlinit; Lindja, e konsideruar si entitet gjeopolitik, nuk ekziston më, në Bashkimin Sovjetik është në fuqi Eltsin dhe në Itali Partia komuniste italiane është ndarë në dy formacione të reja.

Historia e botës ecën me shpejtësi marramendëse, por drejtuesit politikë italianë duket se nuk po e kuptojnë. E dinë veten të paprekshëm, besojnë se kanë krijuar një sistem kaq të fuqishëm sa nuk mund t’u hyjë gjemb në këmbë. E megjithatë, brenda pak muajve, kush më parë e kush më pas, të gjithë do të përfshihen në skandale financiare.

Dy muaj pas arrestimit të Mario Chiesës zhvillohen zgjedhjet politike: është shenja e parë e shembjes që nuk do të vonojë: forcat qeveritëse arrijnë një shumicë shumë të ngushtë: demokristianët, për të parën herë në historinë e Italisë republikane zbresin nën 30%; socialistët humbasin nja 2 pikë përqindjeje dhe ndalen nën 14%; Pds arrin të marrë mbi 16% të votave dhe Rifondacioni komunist rreth 6%. Por revolucioni i vërtetë është ai i të djathtës: ndërsa Movimento sociale merr pak më shumë se 5%, një forcë e re, Lega Nord, me karakteristikë të theksuar lokaliste dhe ngjyrime raciste, që praktikisht nuk ekziston në Italinë qëndrore dhe jugore, në shkallë kombëtare arrin të marrë plot 9% të votave, duke mbizotëruar në shumë zona të Veriut. Ky është vetëm fillimi i një rritjeje shumë të shpejtë, rritje që një vit më pas do të çojë deri në zgjedhjen e një eksponenti të saj, Marco Formentinit, si kryebashkiak të Milanos.

Ai që del nga zgjedhjet elektorale është një Parlament shumë i fragmentuar, në të cilin është e vështirë të krijohet një mazhorancë e qëndrueshme.

Gjatë muajve të mëpasshëm nisin arrestimet e sipërmarrëve si dhe pranimet dhe rrëfimet e para. Nisin edhe paditjet e para për politikanë të shquar: të parat janë për Paolo Pillitterin e Carlo Tognolin, që të dy ish kryebashkiakë të Milanos aktualisht parlamentarë socialistë dhe Severino Citaristin, arkëtar i Demokracisë kristiane. Por edhe përfaqësues të Pds-s përfshihen në skandalet që tashmë marrin dhenë.

Në këtë situatë të nderë dhe dramatike futen edhe dy ngjarje të reja: zgjedhja e presidentit të ri të Republikës pas dorëheqjes së Francesco Cossigas, tashmë pothuajse në fund të mandatit të vet, dhe vrasja në Palermo, nga mafia, e gjykatësit Giovanni Falcone, e të shoqes dhe e njerëzve të eskortës së tij.

Demokristianët kandidojnë për postin më të lartë të shtetit sekretarin e tyre, Arnaldo Forlanin. Por pas një jave vetosh të kryqëzuara, situata është ende pezull. Më 23 maj ndodh atentati i Palermos. Dy ditë më pas parlamenti i shokuar nga rrjedha e ngjarjeve zgjedh President të Republikës Oscar Luigi Scalfaron, demokristian 73 vjeç, figurë e pakorruptuar dhe jashtë çdo dyshimi.

Në qershor Giuliano Amato, asokohe krahu i djathtë i Craxit dhe zëvendës-sekretar i Psi-së, formon qeverinë.

Më 3 korrik Bettino Craxi merr fjalën në Parlament për t’i dhënë besimin e partisë së tij ekzekutivit: “…Është rikthyer, në mënyrë shkatërrimtare, problemi i financimit të partive, apo më mirë i funksionimit të sistemit politik në tërësi, të shthurjeve të tij, të abuzimeve që kryhen në emër të tij, të veprimeve të paligjshme që verifikohen prej kohësh, ndoshta prej shumë e shumë kohësh […]. Për fat të keq, edhe në jetën e partive shumë shpesh është e vështirë të dallohen, të parandalohen, të hiqen pjesët e infektuara, qoftë për shkak të pamundësisë objektive të një kontrolli të përshtatshëm, qoftë, ndonjëherë, për shkak të ekzistencës dhe mbizotërimit të logjikave të mbrapshta […]. Ajo çka duhet thënë, dhe që të gjithë e dinë, është që një pjesë e mirë e financimit politik është e parregullt apo e paligjshme. Partitë, veçanërisht ato që gëzojnë mbështetjen e gazetave, veprimtarive propaganduese, nxitëse, të veçanta, të mëdha të mesme apo të vogla, dhe bashkë me to shumë struktura të ndryshme politike operative, kanë përdorur dhe vazhdojnë të përdorin burime shtesë në mënyrë të parregullt apo të paligjshme. Nëse pjesa më e madhe e kësaj lënde duhet konsideruar lëndë e pastër kriminale, atëherë pjesa dërrmuese e sistemit do të ishte një sistem kriminal. Nuk besoj se ka ndonjë në këtë sallë, përgjegjës politik organizatash të rëndësishme, që të mund të ngrihet dhe të betohet për të kundërtën e kësaj që them: herët a vonë faktet do ta përgënjeshtronin […]. Mbi të gjitha, është i nevojshëm një ligj i ri që të vendosë rregull në financimin e partive dhe që të mbajë mirë parasysh përvojën tejet të hidhur të ligjit që e ka paraprirë.”

Citimi është i gjatë por e konsideroj shumë të rëndësishëm: Craxi nuk mohon korrupsionin, por në thelb quan bashkëfajtore të gjitha partitë. Politika kushton, duket sikur thotë, ndaj kanë qenë të nevojshme edhe financimet e paligjshme. Zgjidhja është ndryshimi i ligjit që disiplinon financimet publike.

2 shtatori shënon kthesën e parë tragjike në historinë e Tangentopoli-t: deputeti socialist Sergio Moroni, i akuzuar për mitëmarrje, vetëvritet. Në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së deputetëve, thotë se ka vepruar për llogari të partisë së tij dhe denoncon hipokrizinë e sistemit në përgjithësi. Ajo e Moronit është e para e një serie vetëvrasjesh pak a shumë të bujshme që do të mbushin hetimin gjyqësor. Në korrik të vitit pasardhës do të vrasin veten dy funksionarë shtetërorë që kishin luajtur një rol shumë të rëndësishëm në jetën e vendit: Gabriele Cagliari, president i ENI-t dhe Raul Gardini, në krye të industrisë kimike italiane. Mbi këto vdekje është spekuluar shumë: ndonjë ka hedhur edhe dyshimin mos nuk kanë qenë vetëvrasje; janë akuzuar gjykatësit se duhet t’i vrasë ndërgjegjja për to. Vetëvrasja e një njeriu është një akt tejet privat, mbi të cilin është mirë të mos jepen gjykime. Përshtypja, nga ana jonë, është që shumë nga këta persona të mos kenë qenë të aftë të durojnë jo damkosjen e burgimit por shkatërrimin e botës në të cilën kishin ndërtuar fatet e tyre, të mos kenë mundur të imagjinojnë veten në një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai ku ishin mësuar të vepronin.

Mes dhjetorit të vitit 1992 dhe korrikut të vitit 1993 krerët e partive, praktikisht, janë të përfshirë në skandal: në dhjetor arrin paditja e parë për Bettino Craxin, do të ketë edhe të tjera deri në shkurt 1993 kur jep dorëheqjen nga posti i sekretarit të PSI-së; bashkë me të do të hetohen edhe Claudio Martelli, Arnaldo Forlani, Giorgio La Malfa dhe Renato Altissimo.

Në mars arrestohet Primo Greganti i Pds-s.

Dorëzohen apo arrestohen shumë sipërmarrës që rrëfejnë mitëdhënien.

Në këtë situatë kaosi zhvillohet referendumi që vendos, me shumicë thuajse mbarëpopullore, kalimin në sistemin zgjedhor mazhoritar. Formalisht ky shënon edhe kalimin nga republika e parë në të dytën.

Ajo që në atë kohë mezi kuptohet, por që do të duket qartë disa vite më pas, është fakti që cikloni që po merr me vete institucionet nuk mund të kanalizohet lehtë: njerëzit janë të dëshpëruar, monedhat e hedhura kundër Craxit ditën kur Parlamenti hedh poshtë katër herë autorizimin për procedimin penal kundër tij, janë dëshmia më dramatike dhe sintomatike. Por janë edhe dëshmia e një vesi tipik italian: të sjellurit mizorisht me të fuqishmit vetëm kur bien në hall.

Ndërkohë, në prill, për herë të parë në historinë e Italisë republikane, një joparlamentar thirret të drejtojë qeverinë. Është fjala për guvernatorin e Bankës së Italisë, Carlo Azelio Ciampin. Partitë i japin besimin: kanë vendosur të bëjnë një hap mbrapa, dhe nuk kishin rrugë tjetër.

Zgjedhjet vendore të qershorit të vitit 1993 shënojnë një sukses të rëndësishëm të Pds-s e të Legës, si dhe rënien e DC-së.

Me të miratuar ligjin e ri zgjedhor dhe ligjin financiar për vitin pasardhës, qeveria Ciampi e deklaron të përmbushur misionin e saj dhe vendoset për zgjedhje të reja që zhvillohen në mars të vitit 1994. Në këto zgjedhje do të triumfojë qendra e djathtë e formuar rreth një partie të re, Forza Italia, që merr shumicën relative të votave, parti e ngritur nga një sipërmarrës i suksesshëm, Silvio Berlusconi, pronar i perandorisë më të fuqishme televizive private në të gjithë Europën. Por kjo është tjetër histori.

Mbi Tangentopoli-n janë thënë shumë e shumë gjëra dhe ndoshta është ende herët për të dhënë gjykimin vendimtar mbi gjithë këtë histori, por padyshim mund të shprehen disa konsiderata. Grupi i gjykatësve të Milanos, që përbëhej nga prokurori Francesco Saverio Borrelli dhe zëvendës prokurorët Gerardo D’Ambrosio, Antonio Di Pietro, Gherardo Colombo, Pier Francesco Davigo e të tjerë, nuk kanë mbushur një boshllëk të politikës, siç përflitet nga anë të ndryshme. Grupi i Milanos thjesht ka vënë re një situatë korrupsioni të thellë dhe ka bërë atë që do të bënte çdo gjykatës në ato rrethana. Denoncimet shumëfishoheshin dhe, natyrisht, ishte e nevojshme të hetohej. Që klasa politike që drejtonte vendin u shkri si dëbora në diell, nuk ndodhi për shkak të një grushti shteti gjyqësor, siç u pëlqen disave të përsërisin sot, por vetëm sepse ishte e kalbur deri në palcë. Fakti më i rëndë, për të cilin gjykatësit nuk kanë asnjë faj, është që edhe sot pas 14 vitesh nga fillimi i atyre hetimeve, korrupsioni, pas një çasti fillestar kur dukej sikur ishte reduktuar, është kthyer sërish të shpërthejë në institucionet publike.

Protagonistët e asaj stine politike tashmë janë jashtë loje ose merren me tjetër gjë: Borrelli dhe D’Ambrosio kanë dalë në pension, Antonio Di Pietro është në krye të një partie politike, L’Italia dei Valori, e themeluar nga ai vetë. Politikanët janë vënë mënjanë thuajse të gjithë dhe partitë që ata drejtonin nuk ekzistojnë më apo kanë një elektorat shumë të ngushtë. Bettino Craxi, pas shumë procesesh dhe dënimesh, parapëlqeu të jetojë jashtë Italisë, në Tunizi, si person i kërkuar nga drejtësia italiane deri kur vdiq më 19 janar 2000.

Shumë nga fshikulluesit e atëhershëm, nga ata që në Parlament tundnin lakun, papritur e pa kujtuar u konvertuan në hipergarantistë, shpesh sa për sy e faqe dhe vetëm në lidhje me të fuqishmit e asaj kohe dhe, veçanërisht, me ata të sotmit.

 

Shqiptarët në shtetin papnor

Pasaportat biometrike do të bëhen edhe në ambasadë apo konsullata