Punonjësit e varur që gjatë jetës së tyre kanë derdhur kontributet shoqërore, në prani të kushteve minimale të moshës dhe të kontributeve të parashikuara nga ligji, kanë të drejtën e pensionit. Dhe jo vetëm ata
Pension pleqërie – Pensione di vecchiaia
Pensioni i pleqërisë aktualisht u njihet punonjësve që kanë derdhur të paktën 20 vjet kontribute dhe që kanë mbushur moshën për të dalë në pension, për burrat është 65 vjeç dhe për gratë 60 vjeç (për personat invalidë 80% dhe për të verbërit kjo moshë është 60 vjeç për burrat dhe 55 vjeç për gratë).
Kushtet e kërkuara janë:
– mosha për pension;
vitet minimale të kontributeve;
– ndërprerja e marrëdhënies së punës.
Shuma e pensionit ndryshon sipas sistemit të përllogaritjes: sistemi sipas rrogës (sistema retributivo) llogaritet në bazë të rrogës së marrë gjatë viteve të fundit të punës; sistemi sipas kontributeve (sistema contributivo) llogaritet mbi shumën e përgjithshme të kontributeve të derdhura, të rivlerësuara mbi ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto; sistemi i përzier (sistema misto), siç e thotë edhe emri, llogaritet mbi rrogën dhe kontributet dhe aplikohet për ata që në 31 dhjetor 1995 kishin vjetërsi kontributeve më të ulët se 18 vjet.
Pension vjetërsie pune – Pensione di anzianità
Ky pension u njihet punonjësve, edhe para se të kenë mbushur moshën e kërkuar për të dalë në pension pleqërie, që kanë ndërprerë marrëdhënien e punës dhe përmbushin kushte të caktuara.
Nga 1 janar 2009 deri në 30 qershor 2009 kushtet e kërkuara me ligj janë 35 vjet kontribute dhe mosha të paktën 58 vjeç. Kush ka derdhur kontribute për 40 vjet mund të marrë pension vjetërsie edhe nëse ende nuk ka mbushur moshën e kërkuar më lart.
Nga 1 korriku 2009 ky pension u njihet punonjësve sipas përllogaritjes së kuotave. Praktikisht punonjësi do të ketë të drejtën e pensionit kur arrin një kuotë të llogaritur sipas shumës së viteve të moshës me vitet e kontributeve të derdhura (minimumi i viteve të kontributeve është 35). Mbetet e pandryshuar që kush ka derdhur kontribute për 40 vjet mund të marrë pension vjetërsie pavarësisht nga mosha që ka.
Për shembull, nëse sot një punonjës është 59 vjeç e ka derdhur kontribute për 38 vjet, ka të drejtën e pensionit të vjetërsisë pasi kuota e tij është 59+38=97, pra më e lartë se kuota e kërkuar 95 që parashikon ligji (shih tabelën).
Paraqitja e kërkesës për pension
Për pensionin e pleqërisë apo të vjetërsisë në punë i bëhet kërkesë institutit të sigurimeve shoqërore, INPS. Kërkesa e përpiluar në formularë të posaçëm (që gjenden në selitë e INPS-it apo mund të shkarkohen nga faqet internet të këtij instituti www.inps.it në seksionin “moduli”) dhe e shoqëruar nga i gjithë dokumentacioni i kërkuar, mund të paraqitet ose drejtpërdrejt në zyrat e INPS-it, ose të dërgohet atje me postë, ose t’i përcillet përmes patronateve që ofrojnë asistencë falas.
Për të pasur informacione të detajuara mbi këtë argument këshillohet që të interesuarit të kontaktojnë INPS-in në numrin e gjelbër 803.164.
E drejta e pensionit e shtetasve të huaj
Qytetarët e huaj jokomunitarë që kanë punuar në Itali dhe në vendlindje, në prani të Konventave dypalëshe mes Italisë dhe vendit të tij, mund të mbledhin kontributet e derdhura në këto dy vende, për të drejtën e pensionit. E themi që në fillim që nuk është rasti i Shqipërisë: megjithë numrin e lartë të shqiptarëve në Itali, ende nuk ka një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë mbi këtë aspekt të rëndësishëm për emigrantët.
Pensioni i të huajve nga shtete që nuk kanë marrëveshje me Italinë
Shtetasit e vendeve jo anëtare të BE-së që nuk kanë nënshkruar marrëveshje me Italinë lidhur me pensionet, nuk mund të përfitojnë mbledhjen e viteve të punës në atdhe dhe Itali, pra nuk mund të bëjnë “totalizimin e periudhave kontributeve” por kanë të drejtën e pensionit italian nëse përmbushin kushtet minimale të moshës dhe të kontributeve të derdhura. Ata që kthehen në vendlindje, edhe pse nuk mund të marrin kontributet e derdhura në Itali, – në fakt ligji Bosi-Fini ka shfuqizuar normën që parashikonte këtë mundësi kur i huaji vendoste të kthehej përfundimisht në atdhe – sidoqoftë do të mund të marrin pensionin italian edhe në atdhe, gjithnjë nëse këtu përmbushin kushtet. Pra një shqiptar që vendos të kthehet në atdhe në moshë të pleqërisë dhe ka punuar mbi 20 vjet në Itali, do të mund të marrë edhe në Shqipëri shumën pensionit të pleqërisë që i takon nga Italia.
Vendet e huaja që kanë marrëveshje dypalëshe me Italinë
Vendet jo anëtare të BE-së që kanë nënshkruar Konventa dypalëshe me Italinë për pensionet, konventa që aplikohen vetëm për shtetasit e vendeve kontraktuese, janë: Brazili, Republika e Kepit të Gjelbër, Kroacia, Jersey-Ishujt e Kanalit, Principata e Monakos, Tunizia, Turqia dhe Shtetet e ish Republikës Federative të Jugosllavisë: Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Mali i Zi.
Shtetasit e Bashkimit evropian
Shtetasit e BE-së mund të mbledhin periudhat e punës në territorin e vendit të tyre me ato të Italisë pasi Italia aplikon Rregulloret Komunitare që parashikojnë për të drejtën e pensionit përdorimin e kontributeve të derdhura në vende të ndryshme të BE-së.
Pension për të mbijetuarit – Pensione ai superstiti
Në këtë rast është fjala për një pension që u njihet, pas vdekjes së punonjësit që derdh kontributet apo të pensionistit, familjarëve që e kanë këtë të drejtë, të cilëve u takon:
– pensioni familjar (pensione di reversibilità) kur personi që ka vdekur ishte në pension;
– pensioni i tërthortë (pensione indiretta) kur personi, në çastin e vdekjes, kishte të paktën 15 vjet kontribute ose ishte i siguruar prej të paktën 5 vjetëve, nga të cilët 3 në pesëvjeçarin e fundit para datës së vdekjes.
Familjarët që kanë të drejtën e këtij pensioni janë:
– bashkëshorti, edhe nëse jeton më vete (separato) ose është i divorcuar, që nuk është rimartuar (bashkëshortit që jeton më vete (por jo të divorcuar) i takon pensioni nëse ka të drejtën e çekut të mbështetjes ekonomike, ndërsa bashkëshortit të divorcuar nëse është titullar i çekut të divorcit);
– bijtë (të ligjshëm, jashtë martese, të adoptuar, të njohur ligjërisht ose të deklaruar me gjyq, të lindur nga martesa të mëparshme të bashkëshortit tjetër) që në datën e vdekjes së prindit janë të mitur, studentë ose të paaftë për punë dhe në ngarkim të tij;
– nipat e mitur në ngarkim të personit që ndërron jetë (gjyshi apo gjyshja).
Në mungesë të këtyre familjarëve, kanë të drejtën e këtij pensioni prindërit nëse kanë mbushur 65 vjeç dhe nuk kanë ndonjë pension të tyrin, ose në mungesë edhe të këtyre të fundit, vëllezërit e motrat e pamartuara nëse janë në ngarkim të personit që ndërron jetë.
Pensioni i jepet familjarëve nga muaji pas vdekjes së personit të siguruar apo të pensionistit, pavarësisht nga data e paraqitjes së kërkesës.
Formularët për kërkesën janë në dispozicion të publikut në zyrat e INPS-it ose mund të shkarkohen nga faqet internet www.inps.it në seksionin “moduli”. Kërkesa, e plotësuar nga i gjithë dokumentacioni i kërkuar, mund të paraqitet ose drejtpërdrejt në zyrat e INPS-it, ose të dërgohet atje me postë, ose t’i përcillet përmes patronateve që ofrojnë asistencë falas.
Për të pasur informacione të detajuara mbi këtë argument këshillohet që të interesuarit të kontaktojnë INPS-in në numrin e gjelbër 803.164.
Rosanna Caggiano www.stranieriinitalia.it
Tabela INPS
Kushti i kontributeve shoqërore, minimumi 35 vjet |
||||
|
Punonjësit e varur |
Punonjësit e pavarur |
||
Periudha |
Shuma moshë+vjetërsi pune |
Mosha minimale |
Shuma moshë+vjetërsi pune |
Mosha minimale |
Nga 01/07/2009 deri më 31/12/2010 |
95 |
59 |
96 |
60 |
Nga 01/01/2011 deri më 31/12/2012 |
96 |
60 |
97 |
61 |
Nga 01/01/2013 |
97 |
61 |
98 |
62 |