Deri më 30 prill 2012, shtetasit shqiptarë duhet të paraqesin deklaratën e të ardhurave personale të vitit 2011. Dokumenti nevojitet për të verifikuar nëse ata kanë paguar apo jo të gjitha taksat që i detyrohen shtetit
Tiranë, 3 janar 2012 – Qytetarët shqiptarë, duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, do të duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave personale. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave dorëzohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore brenda datës 30 prill 2012 për vitin fiskal 2011. Deklarimi i të ardhurave personale është një dokument që do të shërbejë më pas për të verifikuar nivelin e taksave që qytetarët kanë paguar në raport me të ardhurat e tyre.
Detyrimin për dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave e ka kryefamiljari dhe gruaja në deklarata të veçanta, sipas modelit të miratuar, duke plotësuar rubrikat respektive të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave.
Nëse kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore, më pak se kufiri 800 mijë lekë, ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme. Por nëse nuk kanë realizuar të ardhura, ata duhet të deklarohen në deklaratën e kryefamiljarit dhe atë të gruas, duke plotësuar kutitë përkatëse.
Ndërsa, nëse fëmijët realizojnë të ardhura individuale gjatë periudhës tatimore, ata duhet të deklarojnë individualisht këto të ardhura nëpërmjet plotësimit të deklaratës. Nëse kryefamiljari realizon të ardhura vjetore mbi kufirin 800 mijë lekë, ai nuk do të përfitonte nga shpenzimet e zbritshme dhe do të tatohet me 10 për qind për pjesën mbi shumën e përcaktuar.
Ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar pozitivisht ndërmarrjen e një nisme të tillë ligjore. Sipas tyre, deklarimi i të ardhurave personale do t’i shërbejë formalizimit të ekonomisë, por edhe ndërgjegjësimit qytetar.