Kryeministri Edi Rama është rrëfyer në emisionin “Top Show’ të Alban Dudushit mbi çështjet tejet të debatuara të importimit dhe demontimit të armëve kimike nga Siria në Shqipëri. “Ky është një vend që ka problem me lojërat e fatit ne e dimë këtë gjë, këtu luhet shumë bixhoz blihen shumë bileta lotarie dhe ëndërrohet shumë një bingo, por në këtë rast dhe në këto raste në marrëdhëniet mes shteteve dhe në proceset e zhvillimit të një vendi nuk ka bingo kështu që kjo është e gjitha një fantazi”, iu përgjigj Rama pyetjes nëse Shqipëria do të kishte përfitime të mëdha në vlera financiare mbi këtë proces. Kryeministri gjithashtu theksoi se kreu i PD-së, Lulzim Basha, gënjen pasi ka qenë në dijeni të kësaj çështjeje.
Si u gjendët ju, si u gjend Shqipëria në këtë valle? Ju kërkua siç thatë aty, apo u vetofruat siç po thuhet?
Ne jemi në këto valle qysh se kemi vendosur të jemi një vend i lirë, një vend demokratik dhe një vend i angazhuar krah për krah me Shtetet e Bashkuara, shumë vite më parë, por edhe formalisht si anëtar i familjes euroatlantike. Dhe nuk besoj se ka asgjë të çuditshme, përkundrazi e çuditshme do ishte e kundërta që edhe ne të kontaktoheshim dhe të na adresohej me shqetësim kjo çështje dhe nevoja e këtij operacioni.
Nuk është se, të gjitha vendet anëtare të NATO-s, njëzëri dolën dhe thanë ‘ok’ do merremi dhe ne me këtë çështje?
As ne nuk dolëm as njëzëri me të tjerë dhe as me zërin tonë dhe kur ne kemi konfirmuar që jemi kontaktuar kemi konfirmuar “po jemi kontaktuar, por nuk ka asnjë vendim”. Sepse ne ndërkohë zhvillohej një diskutim mes shumë aktorësh dhe në shumë plane.
Ishte Shqipëria zgjedhje e parë? Ishte i vetmi vend që u kontaktua?
Me siguri që jo. Unë e thashë dhe po e përsëris jemi kontaktuar në vazhdën e një përpjekjeje nga ana e Shteteve të Bashkuara për të bërë bashkë të gjitha hallkat e këtij operacioni dhe siç jemi kontaktuar ne janë kontaktuar edhe të tjerët.
Po pse edhe Shqipëria, ndërkohë që ne dimë të gjitha dobësitë që ka ky vend?
Siç e thashë edhe në fjalën time qysh në momentin e parë kur unë thashë se po ne jemi gati ta konsiderojmë, u bë e qartë se konsiderojmë pjesëmarrjen pa përfshirjen tonë me asgjë tjetër përveçse me një pikë mbështetjeje në Mesdhe.
Kur thuhet që e konsiderojmë pozitivisht këtë gjë natyrisht që ka disa parakushte që duhen plotësuar derisa të pranohet apo jo?
Patjetër.
Dhe pikërisht për këto po flasim në momentet e negociatave që ju keni pasur me aleatët kanë qenë negocime vetëm teknike? Vetëm për operacionin?
Më lejoni t’u them që nuk ka qenë Shqipëria e vetmja që ka pranuar ta konsiderojë, por ka pasur edhe vende të tjera. Dhe sigurisht që konsiderata në parim, apo konsiderata fillestare është gjithmonë në parim dhe këtu bëhet fjalë për një operacion shumë të komplikuar humanitar dhe ushtarak që ka një sërë elementesh të tjera që fillojnë dhe trajtohen njëri pas tjetrit ku gjithsekush fillon dhe sheh më qartë të gjitha pjesët e operacionit. Dhe në këtë kuptim u bënë diskutime dhe u ndërtua një proces ku krahas me gjithë elementet teknike sigurisht neve na binte barra, mua në radhë të parë më binte barra të trajtoja dhe aspektin tjetër, aspektin që kishte të bënte pikërisht me domosdoshmërinë që ky operacion të ishte sa më i koordinuar mes forcave apo fuqive të mëdha, jo thjesht në kuptimin e përfshirjes së drejtpërdrejtë në të, por në kuptimin e ndërtimit të një plani ku aktorët e ndryshëm do të kishin role të ndryshme dhe ku ajo që filloi të bëhej shqetësim me tërheqjen e disa vendeve të tjera ishte vetmia e Shqipërisë. Vetmia e Shqipërisë si një problem që pastaj u kthye në një problem të madh edhe psikologjik, por që në radhë të parë është i lidhur me faktin që Shqipëria e ka një imazh, jo fatlum si një vend i varfër dhe si një vend i ndotur dhe lidhja e këtij operacioni vetëm me Shqipërinë krijonte përfundimin që ky operacion të bëhej në Shqipëri, se Shqipëria është e varfër dhe e ndotur dhe nga ana tjetër sillte detyrimisht një kosto negative për imazhin e vendit. Dhe ky ishte shqetësimi im qysh në fillim që u… ose jo qysh në fillim, por qysh kur filluan të tërhiqen të tjerët që pastaj u pa qartë kur me të dalë lajmi në mediat ndërkombëtare shpërtheu një lumë i atillë, aspak i kënaqshëm për mos të thënë më shumë në raport me Shqipërinë dhe që përsëri cenoi imazhin e saj.
Jemi ende në një regjim konfidencialiteti apo ca gjëra mund t’i themi tani?
Këtu nuk ka pasur një konspiracion, por sigurisht që diskutimet e kryera kanë konfidencialitetet e tyre.
Deri tani po këmbëngulni të flisni vetëm për çështje teknike që kanë të bëjnë me operacionin, nuk po flasim për fitime të Shqipërisë që shkojnë më gjerë se operacioni
Unë kam folur për çfarë Shqipëria mund të përfitonte në këtë ndërmarrje të madhe që në afat mesëm dhe të gjatë do të ishte edhe një përfitim në imazh për Shqipërinë në këndvështrimin tim, pavarësisht kostos afatshkurtër dhe ka qenë deri në fund pjesë e qëllimit tim në këtë proces që Shqipëria në rast se do të hynte në këtë operacion të dilte nga ky operacion më e fortë dhe më e pastër dhe ky ka qenë objektivi im.
Është folur për le të themi amerikanët do të lobonin fort që në dhjetor të merrej statusi i vendit kandidat dhe brenda katër vitesh Shqipëria të bëhej anëtare e Bashkimit Europian?
Sigurisht që janë bërë shumë spekulime, janë spekulime që ishin përpara sesa kjo histori të mbyllej janë spekulime që vazhduan, pasi kjo histori u mbyll, por që në to nuk ka asgjë të vërtetë
Nuk është diskutuar në lidhje me këtë.
Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fusin Shqipërinë në BE. Shtetet e Bashkuara kanë qenë, janë dhe do të jenë avokatët e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare
Edhe sponsor në një lloj kuptimi?
Quajeni si të doni unë i quaj avokatë, ju i quani sponsorë, po mbështetëse, lë ta themi shqip, të Shqipërisë edhe në procesin e integrimit europian proces që Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur vijimësisht dhe proces në të cilin SHBA kanë qenë vijimësisht në harmoni me Bashkimin europian në raport me Shqipërinë.
Është folur gjithashtu që (dhe këto janë gjëra të publikuara) për një mini plan marshall, 12 miliardë dollarësh që do t’i vinte Shqipërisë nëse thoshte po.
Ky është një vend që ka problem me lojërat e fatit ne e dimë këtë gjë, këtu luhet shumë bixhoz blihen shumë bileta lotarie dhe ëndërrohet shumë një bingo, por në këtë rast dhe në këto raste në marrëdhëniet mes shteteve dhe në proceset e zhvillimit të një vendi nuk ka bingo kështu që kjo është e gjitha një fantazi.
Jeni akuzuar nga opozita që i gjithë ky aksion është marrë personalisht nga ju për përfitime personale politike dhe madje është folur edhe për një letër të Presidentit Obama drejtuar ndaj jush ku premtimi është që do keni takim vitin e ardhshëm nëse do të ishte po.
Jam akuzuar për shumë gjëra kjo është më e lehta kështu që besoj se nuk ia vlen të ndalojmë gjatë në këtë, por mund t’u them që duhet… pafytyrësi shumë e spikatur që të flasësh për mashtrime apo përfitime vetjake në një proces si ky ku SHBA ishin të përfshira tërësisht deri në nivelin e tyre më të lartë.
Më bën përshtypje edhe një gjë tjetër. Keni folur shpesh për konfidencialitet në fakt kjo ishte diçka e rregulluar me rezolutën e OKB ishte agjencia për çështjen e demontimit të armëve kimike, e cila merrej direkt me të dhe gjithashtu ishte edhe natyrisht SHBA ishte në një kuadër më të madh sesa vetë NATO. Përse keni këmbëngulur te ky konfidencialitet?
Nuk e di mbase ju më ndihmoni, por unë nuk njoh dijeninë time ndonjë operacion humanitar dhe ushtarak që të planifikohet në bashkëpunim me median apo të planifikohet duke mbajtur të informuar publikun për çdo gjë që diskutohet. Kjo nuk ndodh dhe s’ka sesi të ndodhë në momentin kur ka një plan atëherë është momenti për ta ndarë atë me publikun për ta ndarë atë me Parlamentin, për ta ndarë atë sigurisht edhe me median. Po kur ka një proces diskutimi i cili është një proces i hapur që është një proces që sjell çdo ditë në tavolinë çështje për t’u trajtuar dhe problem për t’u zgjidhur detaje për t’u konkretizuar dhe detaje për t’u fshirë nuk ka sesi të ketë të ashtuquajtur transparencë për aq sa ne mund të bënim, ne e bëmë transparencën tonë.
Po më thoni që nuk ndahen këto gjëra me median në momentin kur është duke u përgatitur një plan operacional, por nga ana tjetër është Presidenti i vendit i cili deklaroi që nuk kishte dijeni në lidhje me këtë çështje ishte gjithashtu kryetari i opozitës, i cili deklaroi që nuk ishte në dijeni me këtë çështje u fol që duhej të ishte mbledhur Këshilli i Sigurimit për të konsultuar dhe për të sqaruar në lidhje me këtë operacion. Asnjë nga këto nuk është bërë.
Ju kuptoj shumë mirë dhe më lejoni t’ju korrigjoj. Kryetari i opozitës ka qenë në dijeni për këtë çështje dhe gënjen. Ndërkohë që….
Ka qenë në dijeni i kontaktuar nga ju?
Për sa i përket pjesës tjetër ajo është një pjesë që me siguri e kishte radhën menjëherë sapo qeveria dhe unë si Kryeministër të kishim në dorë një projekt jo një bisedë e cila është zhvilluar intensivisht pikërisht për të ardhur te projekti. Dhe në momentin kur të kishim në dorë projektin padyshim do të zhvillonim të gjitha kontaktet e këtij niveli.
Kur përfundon projekti puna është e mbaruar…
Jo, nuk është kështu. Kjo fazë e diskutimeve ka qenë qartësisht e përcaktuar si një fazë përgatitore përpara ballafaqimit të projektit me Parlamentin dhe me publikun. Kjo ka qenë e përcaktuar jo thjesht nga ne apo unë, por ka qenë e përcaktuar, por edhe nga ana e aleatëve tanë strategjikë pra bisedat janë zhvilluar mbi këtë rrafsh që të sqarohej çdo element, të ndërtohej një projekt që të ishte në radhë të parë për qeverinë bindës dhe pastaj në qoftë se qeveria e konsideronte projektin bindës do t’u drejtohej faktorëve të tjerë dhe do t’u thoshte ky është projekti mendoj se këtë projekt duhet ta mbështesim. Qeveria nuk mund të shkojë t’u drejtohet faktorëve të tjerë nëse nuk është e bindur se ka në dorë projektin bindës. Kjo është shumë e thjeshtë.
Më thatë qëparë që kryetari i opozitës ka qenë i kontaktuar dhe i informuar dhe gënjen kur thotë që nuk ka pasur informacion në lidhje me çështjen. Një gjë që nuk më dhatë përgjigjen nëse ka qenë i kontaktuar nga ju apo vetëm nga ambasadori amerikan ashtu siç tha në Top Story, dhe nga ana tjetër më bën përshtypje që ka dijeni kryetari i opozitës dhe nuk ka dijeni Presidenti i Republikës?
Tani unë nuk e di se çfarë do me thënë vetëm nga ambasadori amerikan megjithëse mund ta mirëkuptoj edhe këtë lloj përgjigjeje në kushtet kur opozita e Shqipërisë ka krijuar çarjen e parë politike në historinë e lirisë së këtij vendi në raport me Shtetet e Bashkuara për të cilat asnjëherë politika nuk është ndarë në kampe kur ka qenë fjala për interesa strategjike dhe kombëtare. Kështu që në këndvështrimin tim ambasadori i SHBA-së është zëri i Presidentit Obama nuk është ambasadori i Shqipërisë diku gjetkë që merret me viza false, është zëri i Presidentit Obama. Dhe kur ambasadori i SHBA komunikon diçka, ky komunikim gjithmonë kur bëhet fjalë për komunikime të natyrës shtetërore është një komunikim i SHBA me institucionin që ti përfaqëson apo me qeverinë ose opozitën së cilës je.
Ju kërkuat që të ofronit vetëm tokë, një bazë e mbyllur, ku do të ishin specialistët e huaj që do të merreshin me demontimin. Dhe kjo u pranua. Ju kërkuat që mbetjet që vinin si pasojë e gjithë demilitarizmit të gjithë këtyre lëndëve kimike të mos rrinin në Shqipëri, por të varroseshin diku tjetër. Edhe kjo u pranua. Ju kërkuat që misioni të mos largohej nga Shqipëria, pasi të mbaronte ky proces, por të pastrohej edhe Shqipëria me këtë rast, pra 31 “hotspote” që ju i përmendët në fjalimin tuaj, ku lëndët kimike janë që nga koha e komunizmit dhe deri të këtyre 20 viteve. Dhe kjo gjithashtu u pranua. Pra ato kushte, për një Shqipëri më të pastër dhe më të fortë, u pranuan. Unë nuk po kuptoj psenë e jo-së përfundimtare, përveç atyre që rrinin poshtë dritares.
Nuk është kështu. Nuk u plotësua ky kuadër me kornizën e domosdoshme. Vetmia në këtë operacion e bëri atë të pamundur. Procesi mori më shumë se çfarë duhej të merrte. Ne kemi qenë të qartë që në fillim për çfarë kemi kërkuar. Nuk kemi hyrë në proces, hajde çfarë do të fitojmë. Kemi hyrë me vetëdijen se na takon të kontribuojmë, por dhe me bindjen që të kontribuojmë duhet të vendosemi në kushtet e tilla, sepse e kemi të qartë çfarë vështirësish kemi. Duke qenë se ndërkohë kemi pasur një skuadër që shënonte çdo pretendim, se ky është një operacion në të cilin nuk jemi të armatosur me ekspertizë të atillë që të na japë garancitë e menjëhershme dhe u pa çfarë ishte ekspertiza që tmerroi dynjanë. Çdo gjë që dëgjohej prej përfaqësuesve të ambientalistëve dhe pastaj me radhë përfaqësuesve të atyre që mendonin që ky operacion ishte i rrezikshëm, mbahej shënim dhe menjëherë i raportohej si problem i palës tjetër, në një grup të përbashkët ekspertësh që trajtonin çdo problem që ngrinin njerëzit në protestë. Pjesa tjetër kishte të bënte me mua, jo ajo që thoshin ekspertët. Ajo që mendonte dhe ndiente populli shqiptar. Këtu nuk bëhej fjalë për një reformë brenda vendit. Këtu bëhej fjalë për një sipërmarrje, të cilën Shqipëria duke u përfshirë rrezikon të poshtërohet për shkak të imazhit që ka dhe për shkak të keqtrajtimit, për shkak të këtij imazhi që ka në mediat ndërkombëtare. Angazhimi im është që Shqipëria të dalë kryelartë, jo të humbasë. Të fitojë brenda vetes dhe jashtë saj. Është diskutuar me partnerët tanë dhe ata kanë qenë mirëkuptues për këtë çështje në çdo diskutim.
Vetmia siç duket mbetet problemi, ndërkohë operacioni ende nuk është i mbyllur dhe është ende i padefinuar. Supozojmë një rast të dytë hipotetik, ku vetmia bie. Si e parashikoni?
Dhe ajo na duhet, të hapim një kapitull tjetër dhe të zhvillojmë një histori me “ta zëmë se”. Ne u përfshimë në këtë histori me dinjitetin më të madh, ne qëndruam në këtë proces me dinjitetin më të plotë, ne e mbyllëm këtë proces si vend dhe si popull me dinjitetin më të lartë. Ju siguroj që marrëdhëniet tona me SHBA sot nuk kanë pësuar asnjë fije cenimi për shkak të dinjitetit tonë të treguar në proces. Ne qëndruam deri në fund të procesit, ndryshe nga të tjerë që u larguan më parë, por ama neve na takonte që të kërkonim zgjidhje deri në fund, të ishim deri në fund ndihmesë e atyre partnerëve pa të cilët Shqipëria nuk do të ishte kjo që është në pikëpamje të lirive të veta, pa të cilët shqiptarët nuk do të kishin dy shtete të lira dhe të pavarura në mes të Europës. Kjo ishte ajo që bëmë dhe e bëmë me dinjitet të plotë.
Dhe jo-ja është përfundimtare?
Procesi ka përfunduar. Sigurisht, përpjekjet për të zhvilluar operacionin vazhdojnë. Ato vazhdojnë në drejtime të tjera dhe është normale që të ndodhë kështu. Ashtu si kundër është normale, në kushtet që këtu është shfaqur papritur një opozitë e vendosur në barrikadën e antiamerikanizmit, një opozitë që konsideron një mashtrim një operacion të tillë, një opozitë që publikon fotografi të viktimave të Asadit dhe u vë titullin “Shqipëria e ka radhën”, një opozitë që ngatërron Asadin me Presidentin Obama, nuk ka asnjë kusht që mund të mendohet që të rikthehemi në pikën që ishim.
Thatë që ishit të detyruar të qëndronit në konfidencialitetin e kërkuar. Megjithatë, 10 ditë ishin të mjaftueshme që të ndodhte kjo mahisje e situatës dhe të rritej numri i protestuesve që dilnin në rrugë. Jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ndërkohë që lajmi u bë publik jo nga Shqipëria, por nga një gazetë amerikane, u fol gjerësisht edhe në lidhje me vende që ishin të përfshira në këto negocime. Në këtë kuptim, negociatat kishin pjesën e tyre teknike konfidenciale. Por ndoshta menaxhimi më i mirë, për të informuar publikun brenda vendit se për çfarë bëhej fjalë, mund të bëhej në lidhje me këtë?
Të flasësh mbas ndeshjes dhe të thuash si duhej zhvilluar ndeshja është gjithmonë diçka fort e lehtë, por ndërkohë ju siguroj që kjo strategji ishte e menduar dhe e rimenduar gjatë. Dhe për mua ishte e vetmja strategji që do ndiqja, edhe po të kthehesha mbrapa, sepse nuk kishte asnjë mundësi që ne të hynim në debat, ndërkohë që nga ana tjetër ishim në diskutime. Dhe nuk kishim ardhur në pikën që kjo është ajo që duam të bëjmë dhe tani hyjmë në debat. Pozicioni im në rastin konkret, por dhe i dy bashkëpunëtorëve të mi, ministrit të Jashtëm dhe ministres së Mbrojtjes, ka qenë jashtëzakonisht i diktuar nga rrethanat. Ndërkohë që nga njëra anë merrnim gjithë shqetësimin nga publiku, nga ana tjetër kërkonim gjithë informacionin nga partnerët. Arsyeja pse procesi u zgjat nuk varej nga ne dhe zgjatja e procesit sigurisht la shumë hapësirë për zgjerimin mjegullës së keqkuptimeve dhe dizinformimit.
…
Mund të lexoni intervistën të plotë në gazetën Shqip:
EDI RAMA: Demontimi nuk ishte bingo, 12 miliardë dollarët ishin fantazi