in

Efektet e krizës globale në Shqipëri

Nga Daniela QIQI

Në vitet e fundit, ekonomia e Shqipërisë ka pasur një zhvillim të pakontestueshëm, ekonomia ka pasur ritme shumë të larta zhvillimi. Kostoja shumë e ulët e forcës punëtore, taksa të ulëta dhe pozicioni shumë i mirë gjeografik e bëri Shqipërinë një vend shumë tërheqës për të huajt, ku Investimet e Huaja Direkte kaluan vlerën e një miliard dollarëve në vitin 2010. Por kjo rritje mbas 2010-s filloi të venitet çdo ditë e më tepër. Përpara se të ndalemi në këtë venitje, le të vërejmë pak bilancin tregtar të Shqipërisë. Në një vështrim të shpejtë, dallojmë që raportet tregtare të Shqipërisë me Italinë kapin vlerën e një miliard eurove, me një bilanc shumë pozitiv për Italinë (pasi importon më tepër Shqipëria), e cila është edhe partneri i parë tregtar i Shqipërisë, me një kuotë rreth 34% të gjithë biznesit të jashtëm të Shqipërisë.

Duke marrë në konsideratë shkëmbimin tregtar të Shqipërisë me vendet e Bashkimit Europian, vëmë re që përqindja e eksportimit drejt Italisë ishte e barabartë me 77,94%, ndërsa importi ishte i barabartë me 43,76%. Partnerët kryesorë si për sa i përket importit, po ashtu edhe eksportit, janë dy shtetet fqinje Italia dhe Greqia. Të dyja këto vende janë në prag default-i, ekonomia e tyre po zhytet gjithmonë e më tepër në recesion ekonomik.

Vlerësime zyrtare tregojnë se pas vitit 1990 rreth 1/5 e popullsisë aktuale shqiptare ose rreth 0,75 milionë individë jetojnë jashtë saj si emigrantë. Ndërkohë, vlerësime të tjera e llogarisin numrin e emigrantëve nga 0,8 në deri 1 milion. Pavarësisht se cila shifër i afrohet më shumë realitetit, një fluks kaq i lartë emigracioni e rendit Shqipërinë si një ndër vendet me nivel më të lartë migrator, ku pjesa më e madhe e këtyre emigrantëve jetojnë pikërisht në Greqi dhe Itali.
Ne këta 20 vjet, në Shqipëri, një pjesë e mirë e të ardhurave kombëtare vijnë pikërisht nga dërgesat e emigrantëve, të njohura gjerësisht me termin remitanca. Shifrat zyrtare tregojnë se remitancat përbëjnë një burim të madh të dërgesave nga jashtë, ku në 2007-n remitancat kishin vlerën 951,7 milionë euro dhe përfaqësonin rreth 12% të GDP. Një studim i vitit 2005 i IOM tregoi së 68% e emigrantëve dërgonin remitanca në familjet e tyre. Kriza financiare ka bërë që emigrantët në vitet e fundit të sjellin më pak të ardhura për familjet e tyre, ku këto të ardhura janë një faktor  shumë i rëndësishëm për buxhetet familjare dhe për zhvillimin e ekonomisë. Dërgesat e emigrantëve në vitin 2008 kanë qenë rreth 800 milionë euro, një shifër kjo e barabartë me 9,2% të GDP. Kontributi i këtyre dërgesave në zbutjen e deficitit tregtar llogaritet rreth 33%, me një rënie prej 12 pikësh përqindjeje, kundrejt vitit të kaluar”, – theksoi raporti i Bankës së Shqipërisë. Edhe për vitin 2009 emigrantët shqiptarë kanë dërguar rreth 53 milionë euro më pak në shtëpitë e tyre, krahasuar me vitin 2008. Po kështu ka ecur edhe 2010-ta, emigrantët shqiptarë kanë dërguar rreth 690 milionë euro (514 milionë euro nga Greqia). Pra, rreth 11% më pak në krahasim me vitin 2009.

Sipas një raporti të EUROSTAT, kriza financiare dhe ekonomike greke bëri që emigrantët shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi të humbnin besimin në sistemin bankar grek dhe kanë parë si më të sigurt Shqipërinë për të mbajtur kursimet e tyre. Po ashtu vihet re që edhe viti 2011 ka pasur rënie të remitancave, edhe pse kjo rënie duket shumë e vogël në krahasim me ato të vitit 2010. 

Kriza financiare që ka prekur tashmë pjesën më të madhe të ekonomive botërore, por sidomos vendet ku kanë emigruar shumica e shqiptarëve, në Greqi dhe Itali, është pasqyruar me humbjen e vendeve të punës nga ana e emigrantëve, e cila reflektohet më së miri me këtë tregues.

Por duhet të pranojmë se, krahas krizës, ulja e nivelit të dërgesave ka të bëjë edhe me stabilizimin social të tyre në vendet ku kanë emigruar. Shumë emigrantë, pasi kanë kaluar rreth 20 vjet në emigracion, stabilizohen në atë vend dhe fillojnë të investojnë të ardhurat e tyre në po atë vend, përmendim këtu rreth 25mijë biznese të vogla të shqiptarëve që jetojnë në Itali.

Remitancat kanë një efekt të lartë në luftën kundër varfërisë, si dhe në stimulimin e zhvillimit. Ato shërbejnë gjithashtu për të mbështetur financiarisht zhvillimin e rajoneve në gjithë territorin e Shqipërisë. Emigracioni i lartë shqiptar, përveçse ka ndihmuar në zhvillimin e vendit me anë të remitancave, uljen e varfërisë me anë të dërgesave që u bëhet familjeve, me rritjen e konsumit, rritjen e investimeve, ka ndikuar gjithashtu shumë pozitivisht edhe në zhvillimin e sektorit të ndërtimeve, pasi një pjesë e mirë e emigrantëve kanë investuar një pjesë të mirë të të ardhurave në këtë sektor. Një efekt pozitiv, rrjedhojë e emigracionit shqiptar, ka qenë ulja e papunësisë në Shqipëri, pasi vendet që lihen vakante nga ata që emigrojnë, zihen nga ata që ishin me status të papuni. Kthimi i emigrantëve do të ndikojë në mënyrë indirekte në rritjen e papunësisë, si në rang lokal edhe në atë kombëtar.

Gazeta Panorama

Aktivitet mbarëshqiptar në Grosseto

Firence. Zihen për fjalë hedhur një vajze. Vdes 21-vjeçari Tusha