Rrezikon deri në 20 vjet burg sepse akuzohet për një tentativë vrasjeje që ka ndodhur në korrik të vitit 2010
Tiranë, 28 shkurt 2012 – Një 26 vjeçar i shpallur në kërkim për tentative vrasjeje, u ekstradua sot nga Italia. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur sot se, Zyra Interpol Tirana ekstradoi nga Roma shtetasin Serjan Zogu, 26 vjeç, i lindur në Krujë.
26 vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendimin nr.115, datë 07.09.2010, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg“, për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë dhe e kryer në bashkëpunim“ si dhe të “armëmbajtjes pa leje“.
26 vjeçari akuzohet se më datë 11.07.2010, pranë një lokali, në fshatin Luz-Krujë, ka qëlluar me armë zjarri duke plagosur shtetasin Arben Bardhi, i cili në Çastin e ngjarjes po dilte me makinë nga ndërtesa e tij. Për këtë ngjarje rrezikon deri në 20 vjet burg.
Ai është arrestuar në korrik të vitit të shkuar në Treviso.