in

Elbasani në ditën e Verës

Dita e Verës ka lindur në Elbasan. Edhe pse sot 14 marsi është festë zyrtare për të gjithë vendin, në Elbasan ajo merr përmasa të mëdha si askund tjetër. Njerëz të shumtë, me këngë e valle që mbushin qytetin, me vezë të bardha, të ziera e të palyera, ëmbëlsirat e famshme Ballakume e Revani që mbushin tregjet. Qytetin e vizitojnë këtë ditë qytetarë nga shumë qytete të vendit

Në Elbasan sidomos vajzat vënë në duar ose në qafë “Verore” që zgjidhet kur të shikohet dallëndyshja e parë. Veroret bëhen me fije ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Këto dy ngjyra simbolizojnë pastërtinë e shpirtit dhe shëndetin. Pasi zgjidhet mendohet një dëshirë dhe më pas peri hidhet në një ferrë ose trëndafil, apo vendoset në degën e një peme me shpresën që një dallëndyshe të vijë ta marrë për të ndërtuar folenë e saj dhe kështu të realizojë dëshirën e menduar.   

Por ndryshe është të festosh e ndryshe të ndiesh një festë. Elbasani, ndryshe nga pjesa tjetër e Shqipërisë, është vendi ku Dita e Verës ndihet dhe përjetohet në kuptimin më të plotë të fjalës.

Përgatitjet për ballakumet dhe revaninë nisnin javë përpara festës. Në fillim do zgjidhej e blihej mielli misri e do sitej mirë sa më hollë. Kur sheqeri ishte me kokrra të mëdha do të shtypej tek havani që të bëhej i imët. Tek fshatarët e Qarrishtës, Sopotit, Polisit, Shushicës e tj. do blihej tëlyni (gjalpi), sidomos prej qumështit të dhive, që kur të vihej në zjarr mbushte me aromën dehëse zonën përreth dhe njerëzit që kalonin aty do kuptonin se në familjen pranë po bënin Ballakumet dhe ëmbëlsirën tjetër “shumë nazike” (ka dhe shumë naze) e me shumë vlera për këte ditë të shënuar e quajtur Revanì. Me thënë të vërtetën e para ambëlsinë e ditës së verës ka qenë Revania, e cila është shumë delikate: ajo nuk të fal, nëse gabove tek përbërësit, masat, rrahje e tyre e deri tek pjekja në oxhak me saç, që t’i shkojë nxehtësia njëlloj nga të gjitha anët dhe “të mos e shohë syu i  keq”, pasi prishet e bëhet “tuç”. E kundërta ndodh kur ajo pas pjekjes fryhet e rritet… Në këte rast thuhet se u mbrojt nga syri i keq dhe do të ketë mbarësi. Prandaj dhe duke qenë kaq “nazike”, apo delikate, nuk para bëhet nga kushdo, por vetëm nga gratë e kujdesshme, apo nga specialiste. Këto gra me eksperiencë i mbajnë pranë vajzat e nuset e tyre që të mësojnë t’i përgatisin e t’u bëhen të mira, pasi në Elbasan nuk mund të quheshe grua nikoqire pa ditur të bëje Revaninë e Ballakumet. Ballakumet e Revania e Elbasanit kanë mbrenda shumë, shumë dashuri. Sikurse vetë Dita e Verës në Elbasan është një ditë e vërtetë dashurie. Dashuri për familjen, për njeriun, për natyrën, për vetë jetën. Le të përpiqemi që t’i afrohemi Elbasanit në dashurinë që jep ai në Ditën e Verës. Atë ditë familja e djalit të fejuar do të dërgonte tek nusja tepsinë e madhe me bohçen plot me dhurata të ndryshme, ku spikasin dhe ato që quheshin “Ballakume nusje”, më të mëdha, që jo rrallë bëheshin tek specialistet që të ishin me të vërtetë të mira.                          

Thuhet se Zana e Çermenikës (Diana Candaviensis) nga anët tona ka pasur një faltore të dëgjuar. Perendesha Zana ishte hyjnesha e pyjeve, gjuetisë dhe e gjithë natyrës. Ajo nuk adhurohej veç në Iliri, por dhe në të gjitha brigjet mesdhetare. Dëshmi për këte janë statujat e saj të gjetura në Apolloni dhe në brigjet e Azisë së vogël dhe Afrikës veriore.

Qysh në mbrëmjen e 13 marsit, Nata e Verës, e zonja e shtëpisë në pjata të veçanta ndante hiset ( racione ) e secilit që do kishte në piknikun e nesërm, pa harruar pilafin me mish gjeldeti. Djemt e vajzat mund të organizoheshin me shokët, ose shoqet, qofshin këto kushërinjt e tyre, ose të shkollës. Vajzat e bukura e plot shëndet vishnin fustane të reja prej basmaje, më shumë të bardhë e me lule, me mëngë të shkurtra e ngjanin si flutra të bukura në mes të atyre grumbujve njerëzish të moshave të ndryshme. Disa grupe këndonin, ose kërcenin, atje më tutje vajzat luanin luftash, ose me arra, djemtë grumbulloheshin për të parë, ose luajtur Turra – Kalarthi, Kala – Dibrançe, kirikizash etj.  Bie në sy gazi tek ata që shihnin, ose luanin lojën popullore Bizzzz! Kështu Gazi e Hareja shpërthen kudo.

Dita e Verës në Elbasan ka në brendësi edhe shenjtërinë e saj, shprehet gazetari i talentuar elbasanas Hyqmet Zane, ka në thellësi të saj edhe legjendën, ashtu siç ka edhe ritin, bukurinë, popullaritetin dhe paganizmin e një dite që është dhe duhet të mbetet e Elbasanit. Se nuk ke se ku të gjesh manushaqet,  karakaftet e bukura dhe jaseminët, apo zymbylin taberì të Ditës së Verës, veçse në Elbasan. Se nuk ke ku t’i gjesh kumuritë, veçse në Elbasan, se nuk mund t’i gjesh dot ballakumet si tonat, veçse në Elbasan, se nuk mund t’i gjesh ato kangët e Ditës së Verës, veçse në Elbasan, se nuk mund të gjesh në asnjë vend të Shqipërisë bukurinë e festës, veshjet karakteristike, të pamet, siç të thonë plakat që u buzëqesh fytyra kur vjen kjo ditë e shenjtë. Në Elbasan tek fushë – Krasta e deri në majë të saj, tek Rrapi i Vojvodës,  Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Burimi i Ali Xhinsit, Burimi i Bangës dhe Bysheku, Ullini i qefit, ullishta buzë rrugës për në Gracen, sheshi, pranë rrugës për në fshatin Letan,  prisnin këte ditë familje të mëdha, grupe familjesh, apo miq të organizuar për të festuar bashkë zinin vendet, shtronin qylymat e batanijet, hapnin trasjet me ushqimet për secilin, nxirrnin kush violinën, tjetri mandolinën, gërnetën, gajden e daullen, fizarmonikën, ose fyellin dhe dajret fillonin dhe kënga përhapej qosh më qosh. Fillonte kënga dhe vallet dhe ndizej festa në ajër të hapur, tek ato pika turistike, që Elbasani i ka me shumicë, që kanë frymëzuar këngëtarët e poetët të shkruajnë e këndojnë si usta Isuf Myzyri, Leksi i Vinit, Mustafa Bodini etj. Në mbrëmjen dhe  Ditën e Verës këndohen me pasion të veçantë këngët e mjeshtrit të muzikës popullore qytetare Isuf Myzyrit. Këngë si “Moj dashnore t’gjykoftë perëndia”, “Një lulishte me trëndafila”, “Ç’u dëshiruesh me tëpa ty”, “Ma mirë n’pyll se  n’qytet”, “Si bilbili në pranverë” këndohen jo vetëm nga elbasanasit, por në mbarë trojet shqiptare. Kanga “Dola tek Porta e Kalasë” deklarton se “s’ vyshket lulja Elbasanit, s’mehet sofra e bujarisë“. Ishte e pamundur, sidomos në kthim, të mos ndeshje me grupin e Usta Isufit: Ishte Isuf Myzyri që në vitin 1905 themeloi orkestrinën popullore të Elbasanit e cila fillimisht këndonte dhe përhapte folklorin e zonës dhe traditën shqiptare e më vonë ishte i pranishëm në festa të rëndësishme të Elbasanit. Usta Isufi grumbulloi në orkestrën e tij instrumentistët më në zë të kohës si Thoma Priftin në klarinetë, Musa Bebetin në mandolinë, Simon Velën me cyrle, Mahmud Ashikun dhe Mehmet Balashin me lahutë, Arif Çermën me dajre etj. Vetë Usta Isufi ishte “violina e parë” dhe drejtues i orkestrinës.

E gjithë Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Çamëria, por edhe nga vende të ndryshme    e veçanta e kësaj dite që sjellin dhe nënkuptojnë mbarësi, janë fëmijët që çojnë “kamën” në derën e shtëpisë së kushërinjëve,  mikut, komshiut që në mëngjezin e datës 14 dhe këtë e dinë dhe e bëjnë mirë vetëm elbasanasit.

“Të bàsh Kamë” ka një kuptim të madh, që mban mbrenda dashurinë e respektin për njerëzit e dashur, sidomos për ato më të afërmit. Kamë do të thotë këmbë, prandaj kërkohej qysh në mëngjes herët të futej  në shtëpinë tënde djali i vogël, i mbarë, me nanë e babë, të sillte nga të afërmit hisen e Ditës së Verës e bashkë me atë Mbarësi, Lumturi e Fatmirësi. Planet e organizimi bëhej qysh më parë, veç ndonjë rasti që vinte i papritur. Mbaj mend një grua të nderuar të lagjes sonë që porosiste nënën time që të më çonte herët tek momë Deja, që i pari person që do i hynte në shtëpi ate ditë duhej të ishte një djalë nga familje e mirë, me nënë e me babë gjallë, pasi kështu do sillte më shumë mbarësi e të mira. Qysh herët në mëngjes e zonja e shtëpisë përgatiste pjatat e mëdha ku futeshin një thelë revanie, një ballakume, vezë të ziera, pala fiku, arra, fruta të ruajtura dhe të thata etj, sipas dëshirës e mendimit të zonjës së shtëpisë. Pjata shtrihej mbi një shami të bukur të bardhë, që përdoreshin vetëm në ditë si kjo,  cepat e së cilës lidheshin dhe fëmija shkonte e dërgonte tek njeriu i dashur, i përcaktuar më parë. Marrësi zbraste pjatën dhe aty fuste ato të vetat  dhe kështu ndrronin me njëri- tjetrin e shijonin këto gjëra të shijshme, duke kujtuar lidhjen e bukur gjinore, të krushqive, ose miqësore. Pastaj shkonin tek të tjerët me radhë. I zgjuar shumë herët më duhej të shkoja tek momë Deja, në jug të Elbasanit,  gjyshe Shega, tek Ura e Zaranikës në perëndim të qytetit, tezja e vogël, në mezin e qytetit  e tezja e madhe tek lagja e Kallamave, në veri të Elbasanit. I kënaqur nga kryerja e detyrës së ngarkuar kthehesha në shtëpi e përgatitesha për të festuar dhe unë me të mijtë. Festimet e Ditës së Verës në qytetin Elbasanit fillonin që në mbrëmjen e datës 13, e quajtur Nata e Verës. Shumë familje kanë miq të ftuar e të paftuar nga të gjitha anët e trevat shqiptare, që vijnë të festojnë bashkë më vëllezërit elbasanas këte feste, që qendron si xhevahir në ballin e Elbasanit dhe të elbasanasve.

Imagjinoni Elbasanin të boshatisur dhe në buzëmbramje tufa – tufa njerëzit fillojnë të zbresin e të marrin drejtimin nga qyteti drejt shtëpive të tyre. Duket këtu një shenjë emancipimi i elbasanasve: vajzat e reja e sidomos ato që atëherë ishin  “ të mbuluara “, që përgatiteshin e bënin pajën për martesë, zbuloheshin pak që të  binin në sy të atyre që donin të zgjidhnin nuse për veten, për vëllain, djalin, nipin etj. vëzhgonin disa vajza e bënin planet për të pyetur se e kujt ishte e kush do shkonte ta kërkonte. E me të vërtetë pas kësaj feste bëheshin shumë fejesa. Ja dhe një vlerë tjetër e Ditës së Verës si një mbarësi për djem e vajza të reja, për të krijuar çifte të rinj. 

Pas drekës, elbasanasit dalin për vizita tek të afërmit.    

Kështu mbyllej  festimi i Ditës Verës, si një festë që sjell vetëm gëzim, harmoni dhe lumturi në familjet tona. Dhe para ndarjes para Portës së Kalasë bëheshin urimet e fundit: – Na gjettë mot shëndoshë!  Na gjettë shëndoshë dhe gjithë mbarësi! Paçi një vit të mbarë!

Le të urojmë, sërish me gjuhën e Konicës: “Gëzim të kulluar pastë në shtëpinë e çdo shqiptari! Festohet masivisht nga të gjithë shqiptarët pa dallim moshe, besimi fetar dhe krahinor, brënda kufinjëve shtetëror, në Kosovë, Shqiptarët e Maqedonisë e Malit të zi, arvanitasit e çamët,  arbreshët në Itali, që edhe larg tokës nënë ruajtën gjuhën, fenë, veshjet, festat, këngët, zakonet etj.   Kjo tregon se shqiptarët edhe në festa janë të bashkuar, si një trung i vetëm duke treguar se janë një komb i vetëm dhe që kanë vetëm një identitet, atë shqiptar, i cili rrjedh nga qytetërimi antik Ilir, ndër më të vjetërit jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. Dita e Verës e vërteton këtë lidhje, sepse vetë ” Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha e festimit dhe mënyra si festohet. Është festë që rrjedh nga lashtësia dhe që është ruajtur me shumë fanatizëm deri në ditët tona. Shumë nga njerëzit e mij, që ndodhen në Amerikë, Kanada, Angli, Francë, Gjermani, Itali i bëjnë atje ballakumet, prandaj për ata të tjerët që kanë dëshirë t’i provojnë mund t’i përgatisin vetë. Nëse doni edhe ju t’i bëni vetë në shtëpinë tuaj, kudo ku jeni, më poshtë po paraqis një nga recetat që përdoren më shpesh:

Ballakumet e Ditës së verës – Recetë Elbasani

Mblodhi e Përgatiti Sytki Çerekja

Lazarati sipas Google maps? Me Shkollën e kultivimit të Hashashit, natyrisht

Lecce. Il ministero del Lavoro incontra la comunità albanese