in

Elhaida. Histori e një fitoreje të paralajmëruar

Elhaida Dani, 20-vjeçare nga Shkodra, prej vitit të shkuar rezidente në Formia të Latinës. Në The voice of Italy, që natën e parë, të konkurrimit në skenë meriton vlerësimet më të larta të jurisë: “Forcë e natyrës”, “Uragan”, “Fantastike”.

Bota Shqiptare 305, 1-15 qershor 2013
Elhaida ka nisur të këndojë që kur ishte vetëm 6 vjeçe. Në vitin 2009 ka fituar edicionin shqiptar të “Star Accademy” ndërsa në vitin 2012 ka zënë vendin e parë në “TopFest” me një këngë të re që ka korrur sukses. Në të njëjtin vit triumfon edhe në Rumani, në festivalin ndërkombëtar të muzikës pop “Liga e Kampioneve”. Aty njihet me disa italianë që të bindur se me talentin e saj mund të çajë përpara në Itali e ftojnë të vijë në Formia ku edhe merr rezidencën vitin e shkuar dhe aplikon për të marrë pjesë në The Voice Of Italy, për këtë aventurë që më 30 maj e përfundoi me fitimin e çmimit të parë dhe të një kontrate me shtëpinë diskografike Universal.

Më 28 mars, Elhaida nisi sfidën e saj më të re, atë drejt titullit “The voice of Italy”. E filloi më së miri me një interpretim të shkëlqyer, të një kënge të vështirë si “Mamma knows best” të Jessie J. Më zërin e saj mahniti anëtarët e jurisë Raffaella Carrà, Piero Pelù, Noemi e Riccardo Cocciante, e gjithë publikun. Secili prej të parëve i kërkoi ta kishte në grupin e vet por Elhaida Dani ka zgjedhur Cocciante. E ndërsa ky shprehte kënaqësinë, Carra e përgëzonte me fjalët: “Ke marrë një bombë”.

Në sfidën pasuese, atë të 18 prillit në Cocciante, e vë të këndojë në duet me italo-amerikanen Francesca Bellenis. Kënga e zgjedhur për to ishte “No more tears” e Donna Summer dhe këngëtaret mrekulluan publikun e profesorët me zërin e tyre.

‘Betejë mes titanësh’ e konsideroi atë sfidë Noemi pas interpretimit të këngës. “Na keni përgëdhelur e gërvishtur me gamën e zërit, nga më i ëmbli deri tek më i larti. Jeni me të vërtetë të mrekullueshme” u shpreh Pelù. “Duet i mrekullueshëm” edhe për Carrà.

Por Cocciante, në fund të një vlerësimi të lartë për të dyja artistet, zgjodhi të çojë përpara Elhaidën, edhe me njëfarë keqardhjeje për Francescan që në të shkuarën ka qenë edhe koriste e tij.

Më 2 maj gara e radhës: interpretim live. Ndryshe nga emisionet e shkuara, këtë radhë edhe telespektatorët mund të çojnë përpara konkurrentin që kanë më për zemër përmes televotës.

Për Elhaidën Cocciante zgjedh “All by myself”. Me zërin e saj të ëmbël dhe të fuqishëm edhe këtë radhë ngre peshë publikun në sallë. E meriton sërish vlerësimet e larta të anëtarëve të jurisë. Raffaella Carra ngrihet në këmbë për ta nderuar: “Ndryshon zërin në mënyrë të pabesueshme” Je e tmerrshme!”. Për fuqinë e zërit, Pelù e quan “Një makinë lufte muzikore e gëzueshme”. Ndërsa vetë Cocciante i emocionuar në maksimum arrin të thotë vetëm “Faleminderit, faleminderit për atë që na përcolle”. E ndërsa për publikun nga shtëpia që jep votën e tij me telefon,  fituesi i grupit është Mattia Lever. Cocciante zgjedh Elhaida Danin, pa asnjë hezitim.

Më 16 maj, një tjetër sfidë e kapërcyer shkëlyeshëm nga Elhaida. Me një interpretim rrëqethës e plot pasion të një kënge të vështirë si Adagio e Laura Fabian-it, 20 vjeçarja shkodrane nxjerr më së miri në pah vlerat e zërit të saj.

Riccardo Cocciante e ka këshilluar të gjejë te muzika identitetin e saj e të përpiqet të bëjë të sajën këngën. Elhaida hipën në skenë e nis të këndojë. Me performancën e saj të mrekullueshme e tronditëse mbushi studion me emocione. Interpretimi i Elhaidës ish aq i ndier sa në fund të këngës nuk arriti të përmbajë lotët, ndërsa publiku i studios në këmbë brohoriste e duartrokiste për të.

Jepet verdikti: i pari ai i publikut, më pas Cocciante. Në zarfin me emrin e votuar nga publiku, emri i Elhaidës. E duartrokitjet e zjarrta në sallë e sytë e qeshur të katër anëtarëve të jurisë shprehin më së miri se janë edhe ata të të njëjtit mendim: Elhaida meriton të jetë gjysmëfinalistja e parë e The voice of Italy.

23 maj. Gjysmëfinalja. Elhaida këndon “I believe I can fly”. Edhe këtë radhë e përfundon performancën e përlotur, me publikun sërish në këmbë  që e duartroket dhe thërret “Akoma, akoma!”. Në këmbë duartroket edhe profesori i saj Cocciante: “Talent i mrekullueshëm. Elhaida është emocion dhe teknikë”. “Krijon një atmosferë shumë të bukur” për Noemin. Piero Pelù nuk përmban lavdërimet për 20vjeçaren shqiptare: “Elhaida është shumë e zonja. Kontrollon të gjitha lartësitë e zërit të saj. Është këngëtare e kompletuar”. “Do ta ketë shumë të vështirë të zgjedhë Cocciante” thotë Carrà duke lavdëruar kështu të dy të rinjtë e sjellë në gjysmëfinale nga kolegu i jurisë.

Cocciante zgjedh t’i japë asaj 60% të votës së tij, 40% Mattias. Publiku voton thuajse njësoj: 50% për Mattian e po aq për Elhaidën. E kaq mjafton për ta çuar 20 vjeçaren nga Shkodra në finalen e 30 majit.

E deri më 30 maj, është padyshim vajza nga Shkodra e preferuara e publikut gjithnjë e më të gjerë. Prej javësh e kurorëzonin fituesen e këtij edicioni, mendim që përforcohej pas çdo performance të vajzës. “La voce di Whitney Houston, la dolcezza di Celine Dion, sul palco la sicurezza di Madonna e la grinta di Tina Turner… Tutto questo in una splendida fanciulla di 20 anni. ELHAIDA!!!!” e përkufizonte Marco Conti, një prej mijëra admiruesve të saj në Facebook. Apo siç shkruante Indrit Dautaj: “Non c’è trippa per gatti… ELHAIDA LA MIGLIORE!!!”

E në finale Elhaida triunfon vërtet: pas një mbrëmjeje të gjatë e emocionuese, me 71,70% të votave të publikut, është ajo Zëri i Italisë i këtij edicioni të parë. Dhe me falënderimin e saj në të dyja gjuhët “Grazie Italia. Faleminderit”, ndoshta nuk e di që po lumturon për pak çaste gjithë ata mijëra shqiptarë që me aq pasion e ndoqën për javë me radhë e besuan deri në fund në fitoren e saj të madhe.

Keti Biçoku

Lexo edhe:
Zëri i Italisë quhet Elhaida Dani
Elhaida Dani. The Voice of Italy è albanese

Il Ministro Idem: “Sì alla cittadinanza per alti meriti sportivi”

Sipërmarrjet e emigrantëve. CNA: “Kriza i ka frenuar, por në 5 vjetët e fundit rritja ka qenë mbresëlënëse”