Një blog kuzhine rendit dhjetë lokalet e Barit ku gatuhet më mirë kulaçi tipik “focaccia”. Në vend të parë, “La Pupetta” ku gatuan 29-vjeçarja shqiptare Elisa Muçalia dhe shet motra e saj Gentiana
Romë, 24 prill 2014 – Sipas blogut të kuzhinës Agrodolce.it, fokaça më e mirë e Barit është ajo që bëhet në “La Pupetta”, furra e bukës që gjendet në rrugën Cairoli 25, të kryeqendrës puljeze. Edhe pse fokaça është kulaçi tipik barez, në furrën fituese e përgatit një vajzë shqiptare, 29-vjeçarja Elisa Muçalia.
Sipas Agrodolce.it, sekreti i fokaçës së Elisës është përzgjedhja cilësore e lëndëve të para: vaj ulliri ekstra i virgjër, domate “qershi” të zonës, dhe majaja e bukës. “Rezultati është një fokaçë që në çdo kafshatë të kënaq për konsistencën e saj, dhe aromën e mirë e autentike që të kthen mbrapsht në kohë”.
“Përveç përbërësve që përmend Agrodolce.it, i rëndësishëm është edhe i gjithë pasioni që unë vë kur gatuaj” thotë duke qeshur Elisa për Shqiptariiitalise.com.
“Por receta ime më e mirë është të mbash këmbët në tokë e mos të të rritet mendja. – shton seriozisht Elisa – Gjithnjë mëson diçka të re në jetë”.
Elisa është nga Tirana e jeton në Bari prej 15 vjetëve bashkë me familjen. Prej dhjetë vjetësh i ka hyrë zanatit të bukëpjekësit dhe në gusht të vitit 2010 ka hapur “La Pupetta” furrën ku ajo është bukëpjekësja, ndërsa motra e saj, Gentiana, shet në banak.
“Furra jonë ka klientë të shumtë por këto dy ditë ata janë shtuar edhe më. Jo vetëm për të provuar fokaçën tonë, “la focaccia dell’albanese”, por edhe për të na bërë urimet e për të na përgëzuar për vendin e parë”.
“Më bëhet qejfi për këtë fitore. Nuk është e lehtë në Bari t’ua kalosh furrave me emër, që bëjnë fokaçën prej disa brezash” përfundon shend e verë Elisa që nuk harron të na ftojë të shkojmë të provojmë jo vetëm fokaçën e saj, me emër tashmë në gjithë qytetin, por edhe mrekullitë e tjera që përgatit: picën e mbushur me qepë, pastiçon, tortat e kripura, sallatat e ndryshme me fruta deti, bukën e mbushur, ëmbëlsirat e ndryshme.
In italiano: Elisa Muçalia. La regina della focaccia barese è nata a Tirana
K.B./Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)