in

Eloi Xhani: “Guxoni të grisni realitetin ku jetoni”

Filozofi Ydish…!
Dëgjoni, unë nesër,
Ndoshta nuk jam.
Gjithësesi këtë nuk e di mirë.
Por, di mjaft mirë që isha dje.
Ju betohem që isha.

Intervistë me poetin e talentuar Eloi Xhani (Sawah)

Me Eloi Xhanin, poetin postmodern që lexohet aq shumë në rrjetet sociale, pata rastin të njihem nëpërmjet publikimeve në revistën letrare ATUNIS. Poezitë e tij, disa prej të cilave i kam përkthyer në italisht, dhe mendimi filozofik që përmbajnë ato, më tërhoqën vëmendjen.
Ndaj realizova këtë intervistë, që të njihet më nga afër një poet me origjinë hebraike, i cili ishte krejtësisht i përçmuar dhe i vënë në hije nga diktatura gjatë periudhës së socializmit në Shqipëri.
Sot, ai jeton prej më shumë se 20 vitesh sëbashku me familjen, në tokën e artit, aty ku jetonte perëndesha Athene.
Pa u zgjatur, ju sjell me shumë kënaqësi bisedën tonë që u bë me nga një filxhan kafeje të ftohtë përpara.

Sabina Darova: Kush është poeti Eloi Xhani (Sawah)?

Eloi Xhani: Kam lindur në Elbasan, me nënën mësuese në shkollë fillore dhe babain nëpunës i thjeshtë. Kam pasur një fëmijëri jo fort të zakonshme dhe një adoleshencë jo normale…
Që i vogël më bënin përshtypje gjërat krejt të parëndësishme për të tjerët. Më kujtohet, kur isha rreth 8 a 9 vjeç dhe u ngjita mbi parvazin e ballkonit, e mendoja, në qoftë se toka rrotullohet siç thonë, atëherë unë, nëse hidhesha nga ballkoni, do të bija në ballkon përsëri…

Besoj se prindërit do kenë ditur ta zgjidhnin në çast këtë dyshim tuajin që mund t’ju sillte probleme me jetën… Jeni me origjinë hebraike. Si është gjendur familja juaj në Elbasan dhe cilat janë marrëdhëniet tuaja me hebraizmin?

Ishte gjyshi, që u ndodh në Shqipëri diku nga vitet 39′- 40′, që ngriti familjen e tij aty.
Raportet e mia me hebraizmin? Në fëmijëri kam qenë shumë i gjallë, i lëvizshëm, nuk ecja por vrapoja, dhe më thërrisnin “çifut dreqi”… Unë nuk e kuptoja çfarë donin të shprehnin këto fjalë, veçse, sa herë që më thërrisnin, vrapoja më shumë.

A mundet të mbijetojnë hebrenjtë përsa i përket krijimtarisë së pavarur në mjedisin kulturor mbizotërues të vendit në të cilin jetojnë? A ka ekzistuar një letërsi hebraike në Shqipëri?

Jam larguar nga Shqipëria 27 vjet më parë dhe më mungojnë informacionet për këto tema…

Cili shkrimtar apo poet zë vend kryesor në formimin tuaj?

Shkrimtarët e preferuar janë Amos Oz, Nietzsche, Spinosa e Bukoëski.

Me pak fjalë, në thelb formimin tuaj ja detyroni dijes hebraike. Kush është lexuesi i poezisë tuaj të parë?

Poezinë e parë e kam shkruar (Zot më fal që po e them sot këtë), në moshën 14 vjeç. Ia kam dedikuar të dashurës së parë, e cila natyrisht u zhduk nga frika e duke më pëshpëritur: “O debil…”.

Nëse dikush ju pyet se cilën poezi tuajën mbani mend, si do të përgjigjeshit?

“Krahët duan t’mi presin / E t’i gozhdojnë në tokë / Pse / Fort na u frikësohen / Fluturimeve…”
Pak a shumë.

Poezi e guximshme nëse sjellim ndër mend periudhën e realizmit socialist kur e keni shkruar. Mendim ky që vazhdon të përsistojë ende sot dhe që spikat vargun tuaj. Ç’mendoni për lindjen, vdekjen dhe rilindjen e një shpirti? Në ç’raport janë këto elemente të një triniteti që spikat si lajtmotiv tek poezia juaj?

Njerëzit janë akoma më çudi se çudia… Bëjnë pyetje mbi lindjen, vdekjen, rilindjen e përse? Vetëm pse i tmerron fakti që një ditë do treten… Po, për këtë pikë them se jeta nuk ështe cikël, por riciklim. P.sh., shpesh herë më ndodh që kur jemi me dikë diku, na duket sikur kemi qenë dhe më parë. Vetëm kaq mbajmë mend, pa pasur forcën e të shpjeguarit të pse-së dhe të si-së.

Dhe ju tmerron ky fakt?

Jo, jo, aspak. Kam marrëdhënie të mira me vdekjen. Kur t’i duhem, mirë se të urdhërojë. Dikush duhet të zbresë nga treni i jetës, që të ketë mundësi të hipë dikush tjetër…

Për kulturën hebraike, Zoti është një qenie e gjallë dhe jo një koncept abstrakt. Asgjë nuk mbyllet, asgjë nuk është e ndaluar… Si përballet ky perceptim me kulturën perëndimore që është statike?

Them që njerëzimi akoma nuk është i gatshëm për t’u përballur me kulturën hebraike. Natyrisht, ka ndeshje me idetë dhe kulturën europiane. Kjo ndoshta, sepse akoma Europa nuk do që të mësohen të vërtetat mbi të vërtetën. Sa për Zotin, kjo figurë e pastër është dhunuar në mënyrë shtazarake dhe tragjike, sidomos nga ata që ecin kokulur me kryq në dorë.
Zoti ekziston, por jo në mënyrën kaq komike sa dëshirojmë ne njerëzit.

Në boshtin e poezisë tuaj qëndron Eloi, si burrë, si njeri, me të gjitha dyshimet e tij, me virtytet, meritat dhe dobësitë, i pambrojtur, i zhveshur. Nuk keni frikë nga gjykimet e lexuesit?

Pikërisht, kjo është arma ime e fuqishme përballë turmës. Në shkrime zhvishem lakuriq siç jam, dhe në shpirt, pa pasur frikë nga asgjë dhe askush. Një njeri, poet apo shkrimtar, që hidhet në arenë i stolisur me pazmore mbrojtëse, natyrisht do duartrokitet. Por ai që do t’i ofrojë turmës mundësinë të ulërijë nga emocioni, është ai tjetri, ai gjysmë lakuriq dhe i pambrojtur.

Materiali që i jep frymë poezisë suaj është gruaja. Çfarë përfaqëson ajo për ju? 

Gruaja, ose femra… Mungesa e logjikës dhe mediokriteti, nuk dallon dot ndryshimin në këto dy fjalë. Gra ka miliona, femra fare pak. Shumë u dedikojnë vargje shumicës, grave. Unë endem natën t’u këndoj femrave, që janë të shpërndara aty këtu. Shtoj, që për mua femra është ingranazh që vë në lëvizje dorën që shkruan ç’ndien thellësia e shpirtit.

Prandaj e mallkoni në vargje? Ekziston formula urrejtje-dashuri?

Vrasim që t’u ngremë këngë. Mallkimi që u bëj është ironik. Sa për formulën, natyrisht që po, ekziston.

Protagonistët në vargje janë Ai dhe Ajo. Duket sikur vallëzojnë një tango të pasionuar në kalldrëmet e rrugicave të errëta të Argjentinës. Përse ky vallëzim dysh në vetmi?

A nuk do ishte një vallëzim i mjerë sikur të ishte vetëm unë dhe rrugica e errët në Argjentinë?

Cili është mesazhi që kërkoni t’i përcillni lexuesit?

Tepër i thjeshtë: thonjtë që keni, mos i përdorni të mbysni njerëzit, por guxoni dhe grisni realitetin e jetoni me të…

Po aludoni që jetojmë në një kohë në të cilën mbizotëron hipokrizia?

Kjo është mjaft tepër e qartë… Ja, shikoni, njerëzit lëvizin lirshëm nëpër arkivolet e mendjes së tyre.

Stili i poezisë suaj është ai postmodern, i rrëmbyeshëm, ironik, i larmishëm, befasues, krijon kontraste gjëndjeje dhe përcjell nota të forta emocioni. Si keni mbërritur deri këtu?

Çka unë shkruaj është gjendja emocionale e mbuluar me nota shumëngjyrëshe, të trishta, të lumtura, sensuale etj, etj. Varet…

Përse hebrenjtë u përgjigjen një pyetjeje me një pyetje tjetër?

Sepse hebrenjtë (një pjesë natyrisht), i kanë përgjigjet pothuajse gati për çdo pyetje. E kësisoj kanë dëshirë të pyesin pse pyet… P.sh., siç do bëj unë tani: Pse kaq shumë pyetje inteligjente dhe të thella që më duken si thika me dy presa..?

Dhe së fundi, kur do ta prekim me duar librin me përmbledhjet poetike?

Në kaosin ku çdo njeri ka të drejtë të botojë çfarëdolloj gjëje, në epokën kur pemët dridhen nga frika pse do përfundojnë fletë të mjera të ndonjë libri, them që vlen një shprehje e Nietzsche: ” Stërvit dorën për nja 10 vjet, pastaj bëhu shkrimtar”.

Shpresojmë që të jemi afër vitit të dhjetë për të pasur në dorë librin me vargjet tuaja, të cilat admirohen nga një publik shumë i gjerë lexuesish, të shpërndarë në të gjithë botën. 

Ju faleminderit Eloi dhe suksese!

Intervistoi Sabina Darova

In italiano: Intervista con il talentuoso poeta Eloi Xhani (Sawah)

 

“La notte del Martire”, la storia del seminarista che sfidò il comunismo

studenti

Universitetet italiane. Ditët e fundit për kërkesat e regjistrimit për të huajt