in

Emi Aliçka, studiuesja durrsake e muzikës mes Shqipërisë dhe Europës

Emi Aliçka ka lindur në Durrës ku ka nisur studimet për piano. Është larguar në moshën 14-vjeçare, për të vazhduar formimin e saj në Klagenfurti, Berlin, Salzburgu, në Vienë në degë të veçanta e interesante, si muzikologjia, menaxhimi dhe psikologjia arti. Sot jeton sot në Lago Maggiore me të shoqin gjerman e të bijën. Edhe pse ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës larg atdheut, Emi Aliçka ndihet edhe më shumë shqiptare, e organizon në vendlindje veprimtari ndërkombëtare

Tiranë, 10 maj 2012 – Edhe pse prej 18 vjetësh nuk banon në Shqipëri, muzikologia durrsake, Emi Aliçka, ka mbetur e lidhur njëlloj si atëherë me vendlindjen dhe me Durrësin, qytetin ku edhe sot jetojnë prindërit e saj.

Imcake dhe e qeshur, sikur të ishte akoma 14 vjeç, ajo vjen në Durrës 5-6 herë në vit, pasi prindët e saj, Anita dhe Meti, vazhdojnë të jetojnë këtu.

Javën e kaluar fondacioni “Ulysses”, ku bën pjesë Emi Aliçka, organizoi në një sërë qytetesh të Shqipërisë Simpoziumin e dytë të muzikës shumëzërëshe, duke sjellë në atdhe 35 studiues nga 20 vende të botës.

“Është një përvojë shumë e bukur, pasi sjell në vëmendje traditën folklorike shqiptare”, tregon Emi për ATSH-në.

Takimet mes shkencëtarëve dhe dëgjimi i grupeve folklorike vazhduan 8 ditë dhe fryma e debatit për ruajtjen e kësaj pasurie kanë qenë për Emin si vazhdimi i një ëndrre, që ajo po e bën realitet prej disa vitesh me radhë.

“Para dy vjetësh Simpoziumi ishte zhvilluar në Sardenjë dhe studiuesit e kësaj fushe kishin shumë interes për t’u njohur më nga afër me bartësit e kësaj tradite, veçanërisht në jug të vendit”, vijon Aliçka, teksa bisedojmë në një nga baret e gjelbëruar pranë qendrës së qytetit të Durrësit.

Tashmë në arkivin e saj profesional bëjnë pjesë 6-7 veprimtari, thuajse të përvitshme në Shqipëri. Megjithëse jeton mes Austrisë dhe Italisë, zonja e re durrsake ka ruajtur një lidhje të pandërprerë në vite me vendin e saj.

Nga piano te muzikologjia

Emi është larguar 14 vjeç nga Durrësi, kur sapo kishte përfunduar klasën e tetë të shkollës artistike “Jan Kukuzeli”. Kur ishte fëmijë i pëlqente violina, por rrethanat e sollën që të regjistrohej në klasën e pianos.

Mësueset e saj u bënë Irena Caku dhe Aksinja Xhoja, ndërsa fati deshi që në vitin 1987 të merrte si dhuratë një… piano. “Kam qenë me shumë fat. Xhaxhai i babait tim, Qemal Butka, arkitekt mjaft i njohur në perëndim, arriti të vijë në Shqipëri për një vizitë. Në ato vite piano quhej një luks i madh dhe duhet të kem qenë nxënësja e vetme që kishte një instrument të tillë në shtëpi”, tregon Emi, sipas së cilës, ky ishte edhe motivi për të cilin u lidh edhe më shumë me muzikën dhe me artin në përgjithësi.

Ishin vitet e ndryshimeve të mëdha, gjë që ndihej edhe në shkolla. “Ishim të vegjël, kur në klasë u thyen stendat dhe xhamat e kornizave me fotot e udhëheqësve komunistë”, kujton Emi fillimin e viteve 1990. U bë zhurmë e madhe në shkollë, por për fat gjithçka kaloi me dy shpulla dhe me një notë në sjellje.

Emi ka mbërritur në Austri në vitin 1994, pasi mungesa e vizës për në Itali i hoqi të drejtën e konkurrimit në degën e pianos në Konservatorin e Torinos. Tre muaj pas “dështimit italian”, përmes fondacionit “Kultur Kontakt”, vajza 14-vjeçare ka interpretuar solo në Linz, në një koncert të organizuar në Festivalin e këtij qyteti. Një bursë 1-vjeçare në Klagenfurt ka mjaftuar për të nisur një proces integrimi të gjatë në Austri, ku Emi ka mësuar gjëra të reja për atdheun.

“Pedagogët e mi ishin mjaft të informuar mbi Shqipërinë, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të sotmen e saj”, vijon Emi dëshminë e saj për vitet e para në Austri. Ndihesha e përkëdhelur që isha një nga shqiptaret e pakta në shkollë dhe e dija që kishte një kuriozitet shumë pozitiv për Shqipërinë në përgjithësi.

Ndoshta kjo e ka shtyrë Emin të largohet nga piano dhe të afrohet me degë të tjera, mjaft të veçanta e interesante, si muzikologjia, menaxhimi dhe psikologjia arti. Nga Klagenfurti në Berlin, nga Salzburgu në Vienë vajza durrsake po formohej si artiste, dhe po e çmonte gjithnjë e më tepër pasurinë kulturore të vendit ku kishte lindur.

Ekspedita folklorike e vitit 2004

Interesimi i pedagogëve austriakë u konkretizua në vitin 2004, kur 36 studiues dhe studentë zhvilluan në Shqipëri një ekspeditë folklorike 8-ditore. Emi Aliçkaj, që prej katër vjetësh ndodhej në Vjenë, u bë krejt natyrshëm organizatorja e këtij grupi, në itinerarin e të cilit hyri i gjithë jugu dhe juglindja e vendit.

Rezultatet e këtij udhëtimi u bënë të njohura në kryeqytetin austriak, përmes një fotoekspozite, ndërsa një gazetar televiziv, së bashku me njërin prej studentëve të Universitetit, paraqitën në Televizon një dokumentar të hollësishëm mbi ekspeditën folklorike austriake në Shqipëri. Pak muaj më vonë Vjenën e vizituan disa grupe muzikore shqiptare të traditës popullore.

Emi Aliçkaj kishte përse të krenohej. Veprimtaria e përbashkët me studentët dhe pedagogët u bënë shkas që tre vjet më vonë, hapin konkret ta hidhte Ambasada austriake në Tiranë, ndërsa mbështetës të veprimtarisë së radhës u bënë ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit të Austrisë.

Java e kulturës austriake “Mozaik kulturor 2007” u organizua në Durrës dhe kuptohet që pjesa më e madhe e meritës në këtë përzgjedhje i takon Emi Aliçkajt. Kush ka marrë pjesë në mbrëmjet e majit 2007 në sallën e teatrit  “Aleksandër Moisiu” ka provuar magjinë e muzikës folklorike dhe asaj të kultivuar austriake. Aktrimi, pantomima, kërcimi e kompozicioni shoqëruan ditët austriake në Shqipëri, çka u bë shkas për afrime të tjera mes dy kulturave dhe dy popujve.

“Është e vërtetë, një studiues austriak dhe një studente shqiptare u njohën dhe u martuan pas ekspeditës folklorike të vitit 2004”, thotë Emi, duke shtuar se pesë vjet më parë frutet qenë edhe më të rëndësishme. Gjashtë studentë shqiptarë ndoqën kurset e specializimit në Austri dhe në Zvicër dhe një tjetër përfaqësuese e Durrësit, Olta Juba, u shqua si këngëtare lirike e formuar.

Po në 2012? Nuk ka qenë e lehtë të organizosh veprimtari dypalëshe. Studiuesit shqiptarë të fushës nga Tirana nuk u paraqitën, megjithëse ishin ftuar që prej një viti, ndërsa erdhi nga Londra dirigjenti Eno Koço apo Bledar Kondi nga Gjermania.

“Të punosh me palën shqiptare bëhet e vështirë. Ndonjëherë takimet dhe koncertet konfirmohen vetëm në ditët e fundit dhe kjo më vë në siklet para kolegëve austriake, por unë nuk heq dorë”, qesh Emi.

Duke bashkuar në Durrës dhe në Tiranë miqtë e saj shqiptarë me miqtë e rinj, njerëz që çmon dhe vlerëson në Austri, Emi Aliçka realizon një ëndërr. Atë fantazi që si vajzë e vetme përkundi që kur Vjenën e njohu përmes tregimeve për xhaxhain e saj arkitekt me famë dhe kur muzika për të përmblidhej në notat e pianos në shtëpinë e saj të Durrësit.

Edhe tani që ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës larg atdheut, Emi Aliçka ndihet edhe më shumë shqiptare. Në Lago Maggiore, ku jeton së bashku me të shoqin gjerman Gabriel, jetën e saj e bën më të bukur Eliza, vajza që po bëhet tre vjeç.

Simpoziumi i pak ditëve më parë ngjalli shumë interes dhe siç ndodh gjithmonë, e shtoi numrin e bashkëpunimeve të reja. Këtë herë studiuesit italianë kërkojnë më shumë informacion për muzikën folklorike të jugut të vendit.

“Kur këndonin së bashku grupet e këngëtarëve nga Sardenja me ata të Labërisë kuptonim sa e vogël është bota dhe sa shumë mund të mësojmë prej njëri-tjetrit”, përfundon Emi Aliçka, vajza që nuk e harron Durrësin dhe Shqipërinë. (ATSh)

Dënohet me rreth 19 vjet Quinci për vrasjen e të shoqes, Rajmonda Zefit

Një familje shqiptare që i druhej hakmarrjes në Shqipëri, fiton azilin në ShBA