in

“Emigracioni i paligjshëm”. Arrestohen 5 persona, zbulohen dy laboratorë falsifikimi dokumentesh

Policia godet një grup i strukturuar kriminal. Falsifikonin kryesisht dokumente italiane si patenta, karta identiteti dhe tesera shëndetësore, që u shiteshin personave që emigronin në mënyrë të paligjshme në ShBA, Kanada e vende të ndryshme të Evropës

Tiranë, 1 maj 2015 – Një grup kriminal që merrej me falsifikimin dokumenteve është shkatërruar sot nga policia shqiptare gjatë një operacioni të quajtur “Emigracioni i paligjshëm” të zhvilluar në Tiranë e Shkodër. Policia ka arrestuar në flagrancë 5 persona me akuzat e veprave penale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Të arrestuarit janë Kujtim Emiri, 59 vjeç, i dënuar edhe në vitin 2008 për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave si dhe prodhimin e mjeteve për falsifikim të dokumenteve, Bajram Xhaja, 58 vjeç, Xhelil Alla, 43 vjeç, Sofije Pepaj, 50 vjeç, lindur dhe banuese në Shkodër dhe Mihal Gjoka, 56 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, Policia njofton se, gjatë këtij operacioni janë zbuluar dy laboratorë falsifikimi dokumentesh, kryesisht italiane si karta identiteti, tesera shëndetësore e patenta. Përveç pajisjeve kompjuterike që përdoreshin për falsifikimin e dokumenteve, policia ka sekuestruar edhe 38 mijë euro, rreth 700 mijë lekë si dhe 1.400 dollarë. Njëri laborator u gjet dhe u sekuestrua në banesën e Kujtim Emirit, ndërsa laboratori i dytë u gjet dhe u sekuestrua në banesën e Xhelil Allës.

Sipas policisë, 5 të arrestuarit rekrutonin njerëz që ishin të interesuar të largoheshin nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, SHBA-ve dhe Kanadasë, kundrejt shumave të parave. Për ata që donin të shkonin në vendet e BE-së duhet të paguanin 5.000 Euro, ndërsa 20.000 dollarë për në SHBA dhe Kanada. Nga hetimet rezulton se pasi i pajisnin me dokumentacion të falsifikuar kryesisht italiane personat e interesuar, i instruktonin se si duhet të silleshin në aeroportet e huaja dhe i orientonin me anë të telefonit. Personat e interesuar për të kaluar kufirin në dalje nga Shqipëria përdornin pasaportë biometrike dhe në aeroportet e huaja përdornin dokumentet e falsifikuara me të cilat ishin pajisur nga grupi kriminal.

“Ushqimi ynë, historia jonë, misteri ynë”. Shqipëria në Expo Milano 2015

Arjan Shehaj e le “Geometrie Poetiche” dell’Arte Albanese