21-vjeçari, prej 15 vjetëve në Itali, garon që kur ishte 13 vjeç duke koleksionuar fitore pas fitoresh
Romë, 8 tetor 2011 – Në garë për skuadrën Trevigiani, por me fanellën e kuqe me shqiponjën e zezë në gjoks, sot çiklisti Eugert Zhupa ka fituar garën e pestë për këtë sezon. Ai ka dalë i pari mes 134 çiklistëve që kanë marrë pjesë në garën e organizuar nga Gs Parmense për 150 vjetorin e Unitetit të Italisë.
Zhupa është 21 vjeç, prej pesëmbëdhjetë vjetëve jeton në Itali, sot është rezident në Scandiano të Reggio Emilias. Ai ka nisur të garojë në çiklizëm që 13 vjeç me Ciclistica 2000 të Rubiera-s duke fituar 4 gara, më pas ka veshur fanellën e Nial Nizzoli të Correggio-s duke fituar 7 gara, ndërsa sot është në radhët Unione Ciclistica Trevigiani në kategorinë e amatorëve nën 23 vjeç. Për këtë sezon ka fituar 5 gara, përveç të sotmes, edhe në Mareno, San Vendemiano, një në rrugë e një në pistë në Shqipëri.
Fitoret e deritanishme dhe mosha e tij e re mund t’i hapin shpejt dyert e antagonizmit në çiklizëm, që është edhe objektivi që ai i ka vënë vetes për këtë vit.
Djali që vrapon me fanellë kuqezi, që në skuadër e thërrasin “shqiponja e Shqipërisë”, pas 15 vjetëve në Itali, brenda pak ditëve do të marrë pasaportën italiane, dhe fitorja në garën kushtuar 150 vjetorit të Unitetit të Italisë, duket një urim i mirë për të.
ke.bi.