Paris, 6 korrik 2016 – Edhe pse foto si kjo e Bale-t me të bijën Alba Violet mbeten ndër imazhet më të bukura të kampionatit evropian të futbollit, UEFA u ndalon futbollistëve që të sjellin fëmijët e tyre në fushën e lojës, pas përfundimit të ndeshjeve.
Drejtori i këtij turneu, Martin Kallen deklaroi se fotot e lojtarëve të Uellsit me fëmijët e tyre në fushë, pas fitores kundër Belgjikës, ishin shumë të bukura, por fusha e lojës nuk është një vend për fëmijët.
“Është një Kampionat Evropian dhe jo një ngjarje e shënuar familjare”, deklaroi Kallen duke shtuar se organizatorët nuk janë 100% kundër këtij çasti gëzimi emocionues, por se e marrin këtë vendim për të garantuar sigurinë e kujt ndodhet në fushën e gjelbër.
Kërkesa kundër pranisë së fëmijëve në fushë do të aplikohet tani për katër ekipet e mbetura: Uellsi, Portugalia, Gjermania dhe Franca.