Hapat e para në humnerë
Shqiptarët nuk u mësuan dot me rutinën e kampit, madje haptazi i përçmonin rregullat herë burokratike e herë të nevojshme imponuar nga administrata. Kurrë nuk i pashë të pastronin mjedisin përreth çadrave, as të merreshin me ndonjë punë çfarëdo, në intervalet midis lojërave me letra që s’mërziteshin kurrë së luajturi brenda në çadrat, dhe diskutimeve futbollistike për të ardhmen. Kjo amulli lidhej sa me mungesën e një tradite qytetare të vetëveprimit, aq edhe me paralizën e imponuar prej rrethanave në thelb totalitare. Në atë kohë, statusi i të ardhurve të marsit ende nuk ishte përcaktuar, dhe askush nuk dinte nëse do të lejohej të vendosej ligjërisht në Itali, apo do të kthehej mbrapsht në Shqipëri kur situata atje të “stabilizohej”. Zyrtarisht, refugjatëve nuk u lejohej të largoheshin nga territori i kampit, as u jepeshin para për të prishur në qytet (me përjashtim të pak fondeve të Caritas-it); mirëpo nuk ishte e zorshme të kapërceje kangjellat, për t’u kuturisur në metropolin fqinjë të Santa Maria Capua Vetere-s, apo edhe më tej, në Caserta-n që llamburiste në horizont.
Kursi i italishtes, drejtuar me stoicizëm prej meje tri herë në javë pasditeve, nisi me bujë të madhe; aq sa në leksionin e parë nuk hidhje dot mollën në klasë dhe një pjesë e “studentëve” e ndoqën mësimin që nga jashtë dritareve. Megjithatë, si edhe për punë të tjera, zelli i refugjatëve për të mësuar gjuhën e vendit pritës erdhi duke rënë, dhe gjithnjë e më pak ishin ata që ma ndiqnin kursin rregullisht – sadoqë ndërkohë kishim siguruar deri edhe metoda të italishtes për të gjithë të interesuarit. Muajin e dytë, 200 studentët e fillimit u reduktuan në një dyzinë. Të dhimbej kur i shihje këta djem të rinj dikur të hedhur e dinamikë të vinin duke e humbur dita-ditës dëshirën për të bërë diçka të dobishme për veten. Ëndrra e tyre italiane kish përfunduar hidhur, në një pjatë me gjellë të ngrohtë, një dyshek për të fjetur, një çadër për t’u mbrojtur nga shiu, një bohçe plaçkash falas. Deri edhe para për të blerë cigare, karta telefonike dhe bileta autobusi nuk u jepte kush.
Mbrëmjeve, kur të ngeshmit zgjoheshin nga gjumi i zgjatur i drekës, shfaqeshin në rrugët e heshtura përreth kampit, përbri kangjellave, berlinat e para luksoze me homoseksualë të rafinuar nga Napoli dhe Caserta. Për një numër bashkatdhetarësh pa paragjykime, seksi me këta rufjanë të lubrifikuar do të ishte edhe e para mundësi për të fituar paranë e kurbetit. Siç më shpjegoi një nga pionierët e biznesit në fjalë, sekreti i suksesit ishte të mbyllje sytë, për të harruar sado pak se çfarë po ndodhte në sediljet e makinës. Shpërblimi në këto raste do të ndahej bujarisht, në trajtë cigaresh dhe delikatesash të tjera, me masën seksualisht ende infleksibël të bashkatdhetarëve. Të tjerë refugjatë mundoheshin të nxirrnin ndonjë metelik gjatë ditës. Zona e Caserta-s është me nam për ndërtuesit abuzivë, që shfrytëzojnë punë të zezë. Mbaj mend që një lezhian i ashpër më mori një ditë mënjanë për të më treguar një çek me të cilin e kishte paguar italiani për një javë punë të rëndë në llaç, por që nuk ia kishin thyer në asnjë bankë të zonës. Çeku ishte i pagueshëm nga “The Bank of Minnesota”.
Rrugëdalje nga kaosi
Në të vërtetë, sektorë të tërë të ekonomisë në krejt krahinën e Campania-s kontrollohen nga organizata kriminale dhe parakriminale, në konflikt të hapur ose të tërthortë me ligjin. Me kalimin e kohës, shumë shqiptarë të demoralizuar nga jeta e shpëlarë brenda kampit do t’i jepnin fund konvaleshencës së detyruar, duke u punësuar njëfarësoj pranë këtyre organizatave. Bosët e Camorra-s ua vlerësonin dëshpërimin dhe gatishmërinë për të marrë në sy rrezikun. Ka të ngjarë që pikërisht aty ta ketë gjetur një pikëmbështetje edhe bashkëpunimi i sotëm aq harmonik midis krimit të organizuar në të dy brigjet e Adriatikut. Mafia italiane do të tregohej shumë më e gatshme dhe e frytshme sesa shteti ose institucionet e biznesit privat për të hedhur në dorë potencialin e madh njerëzor të refugjatëve. Me përjashtim të një pakice të vogël, pjesa më e madhe e refugjatëve shqiptarë kishin mbërritur në Itali të thjeshtë e të ndershëm, ose të paktën të papërlyer me krimin. Mirëpo kushtet e përqendrimit të detyruar në një hapësirë të mbyllur bënë që, me kalimin e javëve, ajo pakicë prej 10-15% të fitonte dukshmëri, të dilte në krye të punëve, të depërtonte e para në botën e krimit italian të organizuar, të vendoste kontaktet përkatëse dhe të ndërmjetësonte pastaj që edhe të tjerë refugjatë të integroheshin hap pas hapi në veprimtari të paligjshme.
Si edhe gjetiu në Shqipëri, turmat heterogjene të meshkujve erdhën e u koaguluan rreth vatrash pak a shumë parakriminale, shtjelluar sipas hierarkish të dhunshme ose gjithsesi solidaritetesh autoritare. Përndryshe refugjatët mbetën deri në fund një bashkësi e paformë, në mos kaotike, të cilën grupet parakriminale e kontrollonin me lehtësi. Megjithëse shumë prej tyre luftonin për të fituar statusin e refugjatit politik, asnjë lloj ndërgjegjeje politike nuk dukej t’ua ngjyroste ditët, ose t’i linte pa gjumë netëve. Kur pretendenti i fronit shqiptar, Leka Zogu, vizitoi një ditë kampin për t’u takuar me shqiptarët e atjeshëm e për të diskutuar çështje të mëdha politike me ta, një pjesë e mirë e refugjatëve as nuk e morën vesh se kush ishte ky personalitet që kish ardhur t’u fliste një shqipe të çuditshme, si të peshkuar në fund të sëndyqeve të gjyshes. Leka, nga ana e vet, u bëri thirrje të pranishmëve në takim të ktheheshin në Shqipëri dhe të kryengrinin për të përmbysur regjimin “komunist”.
Deri në fund të korrikut, kur edhe të fundit e më apatikët e refugjatëve më në fund u larguan me iniciativën e tyre nga territori i kampit, shqiptarët e atjeshëm nuk arritën dot të prodhojnë një përfaqësi të çfarëdoshme në marrëdhëniet e tyre me shtetin italian e në përgjithësi me autoritetet. Vetëm gjatë një revolte të papritur, gjatë së cilës refugjatët i dëbuan italianët prej kampit përkohësisht dhe morën nën kontroll të gjitha strukturat e atjeshme, u shfaq një “komitet” për t’u kumtuar autoriteteve një numër kërkesash të arsyeshme, të cilat më pas u shpërfillën krejt. Përveç këtij incidenti, kushtet e jetesës në kamp, midis limontisë dhe kënaqjes së nevojave materiale elementare, inkurajonin pasivitet. Protesta, edhe kur shfaqej, merrte trajta primitive. Shqiptarët refuzonin, për shembull, të përdornin strukturat sanitare, duke i kryer nevojat në ajër të pastër, fare pranë çadrave ku flinin. Dielli i mëngjesit zgjonte avuj jashtëqitjesh kutërbuese, me ç’rast ushtarët italianë u vinte urdhri t’i pastronin, nën sytë tallës të shqiptarëve kaleshë. Gazetat vendëse i lajmëronin këto incidente fekale me përpikmëri të admirueshme, çka nuk i shtonte gjë simpatisë së publikut për pasardhësit e gladiatorëve sypatrembur të Spartakut.
Qëmtimi i shpresës
Nëse brenda mureve të kampit dëshpërimi mbetej kolektiv, shenjat e pakta të shpresës mbijetuan vetëm në pak profesionistë krenarë e të sigurt për talentet e tyre, që tërthorazi ngushëllonin edhe të tjerët, ata që të vetmen armë për mbijetesë e gjenin në vullnetin e verbër për të vazhduar. Javët e para radha në dyert e zyrave të ndryshme të Kryqit të Kuq dhe të Caritas-it zgjatej durueshëm korridoreve, teksa të ardhurit prisnin të regjistronin emrat, zanatet dhe kontaktet në listat përkatëse. Asnjë rezultat nuk u pa të vinte prej këtij katalogimi të mërzitshëm, edhe pse optimistët i mbajtën veshët ngritur për lajme të mira deri vonë. Më kujtohet, mes të njohurve të mi të shumtë, një mekanik kryelartë pak paranojak nga Durrësi, të cilin ma prezantuan si “me të shtatën”, e që në konfidencë e me zë të ulët më shpjegoi se ndihej aq i zoti në profesion, sa nuk begeniste t’i prishte duart me punë të rëndomta në ndërtim, ose në auto-oficinat. Shoqatat bamirëse, nga ana e tyre, mbeteshin gjithnjë në kërkim të një gjesti ose eventi spektakolar, mundësisht artistik e të tillë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit të shoqërisë së lartë në Napoli e në rrethinat, sidomos të klubeve Rotary e Lions, gjithnjë në rivalitet miqësor mes tyre. Përfituan prej kësaj atmosfere një violonçelist dhe një pianiste që u “zbuluan” mes të ardhurve, me të cilët u organizua me një mijë mundime një koncert, ku u ftua të marrë pjesë edhe këngëtarja e njohur arbëreshe Silvana Likursi. Instrumentistët modestë por dinjitozë prej Shqipërie u ndoqën me një kureshtje e dashamirësi që zakonisht u rezervohet qenve fenomenalë të cirkut.
Ngjarje të atilla si koncerti i shtonin gjithsesi pakëz dritë pejzazhit të trishtuar të realitetit të refugjatëve, por më tepër vlenin si instrumente psikoterapeutike për borgjezinë e provincës, dyzuar mes kompleksit katolik të fajit për mjerimin ekzistencial të Tjetrit, dhe nostalgjisë për prestigjin e Italisë së Mussolini-t ndaj vendeve fqinje të varura prej saj, si Shqipëria. Në momente të caktuara, kontakti midis të ardhurve nga përtej detit dhe ajkës provinciale të Jugut të Italisë do të nyjtohej sipas përmasash absurde, ku të dyja palët kërkonin të përfitonin prej njëra-tjetrës me mënyra në thelb njëlloj të pagjasa. Vetë procesi i “ndihmës”, vullnetare dhe të administruar nga institucionet publike, u solli përfitime të mirëfillta shumë individëve, por në thelb nuk i dha kurrfarëlloj zgjidhjeje problemit të trajtimit të refugjatëve të post-komunizmit, në trojet e Italisë. Shqiptarët, si edhe në raste të tjera, ia dolën t’u përshtaten situatave sipas një logjike të mbijetesës, ndoshta të pavetëdijshëm se zgjidhjet e tyre individuale do të formësonin, në perspektivë, krejt pamjen dhe karakteristikat e mërgatës shqiptare në Italinë e shekullit XXI.
Nga lartësitë e së sotmes, ato muaj të pranverës dhe të verës të vitit 1991 duket sikur i përkasin një universi tjetër, ku gjithçka mbetej ende e mundshme dhe e arritshme, qoftë edhe vetëm si ëndërr. Vetë administrata dhe autoritetet italiane, po të mund të ktheheshin mbrapa në kohë, shumë zgjidhje do t’i kishin dhënë ndryshe, shumë struktura projektuar ndryshe dhe shumë procese të kontaktit sendërgjuar tjetërlloj. Por nëse do të ndodhte ashtu, edhe këto radhë me kujtime e refleksione nuk do të ishin shkruar dot.
Ardian Vehbiu – Botuar në Bota Shqiptare 148, mars 2006