Organizatës kriminale i janë sekuestruar 2 milionë euro. Nga të arrestuarit, 33 janë shqiptarë.
Romë, 23 janar 2014 – Financierët e Firences kanë kryer mëngjesin e sotëm 35 arrestime në një operacion të ndërmarrë në kuadër të luftës kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Urdhër-arrestet janë për 33 shqiptarë, një serb dhe një rumune, të cilëve u janë sekuestruar gjithashtu 2 milionë euro në prona të patundshme, të mira materiale dhe llogari bankare si dhe 30 kg kokainë e heroinë që të hedhura në treg do t’u sillnin fitime për 15 milionë euro.
Organizata e shkatërruar sot vepronte në shtetet Itali, Shqipëri e Holandë. Droga, kryesisht kokainë dhe heroinë, sillej nga veriu i Evropës për në Lombardi, Friuli Venecia Giulia, Veneto, Emilia Romagna, Toskanë dhe Puglia.
Sipas Guardia di Finanza, krerët e organizatës janë tre shqiptarë që lëviznin shpesh mes Shqipërisë e Holandës.
Të gjithë të arrestuarit duhet të përgjigjen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)