in

Flukset 2010: Kushtet e nevojshme për paraqitjen e kërkesës

 

Punëdhënësi, italian ose jokomunitar banues i rregullt në Itali, mund të paraqesë kërkesën për autorizim (nulla osta) për punë të varur për një qytetar jokomunitar me banim jashtë vendit ose që ndodhet në Itali, por që nuk mund të punësohet drejtpërdrejt sepse nuk ka asnjë lloj lejeqëndrimi, ose që ka një lejeqëndrim jo të vlefshëm për punësim të drejtpërdrejtë.

Punëdhënësi duhet të ketë mundësi  të caktuara ekonomike, të cilat ndryshojnë sipas llojit të kërkesës (për punësimin e një bashkëpunëtori familjar apo të një punonjësi të varur – jo shtëpiak, si për shembull një murator, mekanik etj.).

Mundësia ekonomike e punëdhënësit

Punësimi i një punonjësi për në shtëpi (bashkëpunëtor shtëpiak, kujdestar për fëmijë ose për të moshuar)

Punëdhënësi duhet të dëshmojë se ka të ardhura vjetore të barabarta ose më të mëdha se të paktën dyfishi i pagës, plus kontributet përkatëse, që i takon  punonjësit që dëshiron të marrë në punë.

Për shembull për të kërkuar punësimin e një bashkëpunëtori familjar për 25 orë në javë me pagë mujore që gjithsej shkon në 600 euro, kostoja e kontributeve që i duhen derdhur Inps-it çdo tre muaj, është € 318,50.

Llogaritja bëhet si më poshtë: pagesa vjetore, përfshirë dhe rrogën e trembëdhjetë, është 7.800 euro. Kësaj shume i duhet shtuar kostoja e kontributeve për gjithë vitin (318,50 x 4 tremujorë) që është € 1.274. Kostoja e përgjithshme pra është € 9.074.

Pra punëdhënësi që dëshiron të paraqesë kërkesën për punësim, duhet të ketë një aftësi ekonomike sa dyfishi i kësaj kostoje, pra ajo duhet të jetë rreth 18.150 euro.

Nëse kërkohet punësimi i një kujdestari për vete ose për një të afërm në rast sëmundjesh ose kufizimesh të rënda fizike që kufizojnë vetëmjaftueshmërinë nuk ka nevojë të dëshmohet aftësia ekonomike. Duhet paraqitur vetëm një dëshmi e lëshuar nga një strukturë shëndetësore publike ose që ka konvencion publik e cila vërteton sëmundjen ose kufizimin.

Ka rëndësi të dihet që në rast se punëdhënësi nuk ka të ardhura të veta ose ka të ardhura të pamjaftueshme për të paraqitur kërkesën, ligji parashikon mundësinë e llogaritjes bashkërisht të të ardhurave më të afërmit që jetojnë ose nuk jetojnë me të (të afërm brenda shkallës së parë).

Punësimi i një punonjësi jo shtëpiak

Për punësimin e një punonjësi të varur ligji nuk parashikon një parametër të caktuar dhe verifikimi i aftësisë ekonomike të ndërmarrjes i lihet “në dorë” Zyrës që shqyrton kërkesat. Gjatë shqyrtimit në fakt vlerësohen një sërë faktorësh: numri i kërkesave të paraqitura; respektimi i kushteve të kontratës kolektive të punës së aplikuar për marrëdhënien e punës; kostot për pagat dhe kontributet e parashikuara nga normat në fuqi; nevojat e ndërmarrjes, ta ardhurat e aktivitetit; xhiroja e ndërmarrjes; numri i punonjësve që punojnë atje etj. Nëse ndërmarrja është krijuar së afërmi dhe nuk ka paraqitur ende deklaratën e të ardhurave dhe bilancin, vlerësohen faktorë të tjerë si për shembull hipotezat e faturimit apo gjendja kontabël, financiare apo ajo e pasurive.

Kushtet që duhet të plotësojë punonjësi

Për të hyrë në Itali pasi merr autorizimin, punonjësi nuk duhet të jetë dëbuar përpara paraqitjes së kërkesës ose nuk duhet të jetë dënuar për disa vepra të parashikuara nga teksti unik për emigracionin. Ndër këto vepra bëjnë pjesë: dënimet për favorizim të emigracionit ilegal, shfrytëzim i prostitucionit, shitja e lëndëve narkotike, shitja e mallrave të falsifikuara, rrëmbime, dëmtime.

Kushtet e kontratës

Kontrata e punës duhet të parashikojë një orar jo më të pakët se 20 orë në javë dhe pagesa mujore minimale e garantuar është ajo e parashikuar nga kontrata kolektive kombëtare përkatëse, që ndryshon sipas kategorisë dhe profilit të punës së punonjësit. Gjithashtu punëdhënësi është i detyruar të sigurojë një banesë të përshtatshme (edhe shtëpinë e vet), të vërtetuar nga certifikata e përshtatshmërisë së banesës, e lëshuar nga zyrat komunale kompetente. Kujtojmë se kërkesa mund të paraqitet edhe për të afërmit. Kështu për shembull punëdhënësi jokomunitar mund të bëjë kërkesë për të shoqen ose të vëllanë.

Av. Mascia Salvatore

Kthehu në Specialen mbi flukset 2010

 

U përtërihet kontrata 650 punonjësve të përkohshëm të imigracionit

Speciale: Dekreti i flukseve 2010