Quhej Albert Kolgjegja. Vdiq në 8 nëntor 2003, në një nga ato aksidente, që janë të destinuara të mbeten për një kohë të gjatë në kujtesën e opinionit publik. Humbi jetën nën tonelata gërmadhash, gjatë ndërtimit të Muzeut të Detit, në Gjenovë.
Gjatë ndërtimit të Muzeut të Detit në Genova që përmban edhe një seksion dedikuar migracioneve, më 8 nëntor 2003, ka humbur jetën punëtori shqiptar Albert Kolgjegja. Ai vdiq i varrosur nën rrënojat e krahut lindor të Muzeut që u shemb dhe e zuri poshtë. Bilanci i tragjedisë së asaj të shtune, 8 nëntor 2003, në Muzeun e detit në Gjenovë ishte një i vdekur dhe gjashtë të plagosur. Ndër këta të shtatë tre ishin shqiptarë. Albert Kolgjegja vdiq, ndërsa Skënder Ndoi dhe Zaim Kaçi dolën me fraktura e plagë të tjera.
Dhjetë vjet pas vdekjes Genova përkujton Kolgjegjën me një ceremoni të veçantë të organizuar në muze me pjesëmarrjen e autoriteteve më të larta të qytetit dhe të Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Liguria, Giuseppe Durazzo.
“Nuk harrojmë domethënien e vdekjes së Albert Kolgjegjës – thotë sot presidentja Maria Paola Profumo e entit Mu.MA-Musei del Mare e delle Migrazioni – si institucion besojmë se mënyra më e mirë për ta nderuar është të kontribuojmë për të përhapur tek publiku ynë jo vetëm kujtimin e tragjedisë por edhe dijen se Italia është bërë edhe falë punës së vyer të imigrantëve”.
8 nëntor 2003
Mes dy soletash
Një trëndafil i kuq i lidhur me një fjongo ngjyrë vjollcë është vendosur në rrjetën rrethuese të kantierit ku Albert Kolgjegja vdiq i varrosur nën rrënojat e krahut lindor të Muzeut të detit. Të nesërmen e tragjedisë, një grua iu afrua rojës dhe i kërkoi t’i varte lulen në kangjellat, përpara të cilave shumë njerëz, e sidomos shumë shqiptarë, ishin ndalur për të soditur grumbullin e rrënojave nën të cilat mbetën punëtorët e ndërmarrjes që kish fituar tenderin për të ngritur atë soletë të mallkuar.
Ishte e shtunë, 8 nëntor, ora 8.30 e mëngjesit. Tridhjetëvjeçari shqiptar ndodhej në majë të një shkalle shumë të lartë. Me të vënë re shenjat e para të rrëzimit të strukturës – “dukej sikur po binte tërmeti”, rrëfejnë të mbijetuarit – pothuaj të gjithë shokët e tij të punës ia dalin të largohen në kohë. Arbeni ka nisur të zbresë me shpejtësi, por një çast përpara se këmba t’i prekë tokën varroset nën një ortek çimentoje. Tridhjetë zjarrfikës gërmojnë për nëntëmbëdhjetë orë, megjithëse që në mbrëmjen e së shtunës pothuaj të gjithë i kanë humbur shpresat.
Ia dalin ta nxjerrin në orën 2.15 të mëngjesit të së dielës: kishte mbetur mes dy soletash çimentoje.
Pas rrjetës mbrojtëse që është ngritur ndërkohë nga forcat e sigurimit, grupi i shqiptarëve që ka ndjekur me ankth e shpresë aksionin për shpëtimin e bashkatdhetarit, lëshon një grahmë rrëqethëse…
Trupi i pajetë i Albert Kolgjegjës, dërgohet në Institutin e mjekësisë ligjore të spitalit të San Martinos, ku mbërrijnë të afërmit për të bërë identifikimet e rastit.
Bilanci i tragjedisë së të shtunës në Muzeun e detit në Gjenovë është: një i vdekur dhe gjashtë të plagosur. Ndër këta të shtatë tre ishin shqiptarë. Albert Kolgjegja vdiq, ndërsa Skënder Ndoi dhe Zaim Kaçi, dolën me fraktura e plagë të tjera.
Pesë tonë beton mbi një ëndërr
Ëndrra e djalit të doktorit nga Lura, – ai vend turistik dikur aq i njohur në Shqipëri e tashmë i zbrazur nga emigracioni,- është prerë nën pesëdhjetë kuintal çimento dhe hekur. Albert Kolgjegja, vetëm 30 vjeç, ka mbetur i shtypur nën rrënojat e Muzeut të Detit në Gjenovë. E pra, dikur në Shqipëri, ëndërronte të bëhej mjek, po shumë shpejt dëshira e parë ia la vendin një tjetre. Sipas rrëfimeve të të afërmve, Alberti e ka ëndërruar mbërritjen në Itali që kur ishte 12 vjeç. I ati, tashmë 75-vjeçar, me atë pak pension jeton me të shoqen, ndërsa gjashtë vajzat e familjes janë pothuaj të gjitha të martuara. Lajmin e vdekjes së djalit të dytë, familja e ka mësuar të shtunën në darkë, nga emisioni i lajmeve.
“Dua të marr një diplomë, si ty, – i pat thënë Alberti të atit, – por e di që jemi të varfër. Ndaj dhe do shkoj jashtë, të punoj e të fitoj ndonjë para. Në Europë një punëtor fiton më shumë se një mjek në Shqipëri.” Fillimisht u nis për në Greqi. “Por atje na ndodhi diçka shumë e keqe,- tregon i nipi, Roland Ajazi, në Gjenovë edhe ai. – Pamë tek digjej i gjallë, nga korrenti, një mikun tonë që ishte elektricist, si ne. Kështu, daja tjetër, Ilirjani, vëllai më i madh i Albertit, që ndodhej ndërkohë në Itali, i tha të vinte këtu, ku puna nuk është aq e rrezikshme sa në vende të tjera.”
U dhanë tre milion lireta skafistëve për t’i shpënë nga Korfuzi në Pulje. Djaloshi shqiptar që e ka mësuar italishten nga televizioni, bir i një profesionisti, që përballet me rrezikun e vdekjes në një varkë mbi det, e që e gjen veten punëtor me mëditje për pesë euro ora, është paradigma e ëndrrës italiane. E ëndrrës që e kanë ndjekur të gjithë imigrantët shqiptarë, dhe jo vetëm ata më të dëshpëruarit.
Në prill të 2000, për Albertin bëhet i mundur transferimi në Gjenovë, në një dhomë të zbrazët e të trishtuar që e ndante me katër vetë, aty në Sampierdarena, lagja e punëtorëve. Punën e parë, djali i mjekut, që dikur kish ëndërruar të bëhej mjek edhe vetë, e gjen në një autostradë. Në mirëmbajtjen e brezave dhe shenjave rrugore. Porse i duhej të punonte vetëm natën, i patën thënë në ndërmarrje. Ishte i parregullt, domethënë klandestin. Deri sa në korrikun e shkuar, ligji Bosi-Fini e vuri në rregull. Atëherë niset në Shqipëri dhe gjen një të fejuar, që sot, të vdekur, së bashku me prindërit.
“Daja e vuante këtë të punuar natën e të fjetur ditën, – tregon i nipi,- pas pushimeve, me të marrë lejen e qëndrimit, nuk deshi më të punonte në autostradë. Dhe u gjet një punë tjetër: murator. A punonte në të zezë? Nuk mund dhe nuk dua të përgjigjem”, përsërit Rolandi.
Gjithsesi ishte një punë për llogari të ndërmarrjes “Impreval” me qendër në Torino, që kish marrë përsipër kryerjen e punimeve në kantierin e Muzeut. “Thonë që Gjenova vitin që vjen do të jetë Kryeqyteti europian i Kulturës, – shfryn shqiptari, – por kjo shoqëri ndërtimesh që ka 5 mijë punëtorë dhe nuk ofron punë të rregullt, tregon se jemi në kryeqytetin e turpit”.
Bota Shqiptare