Flamuri kthehet në shtëpi në katër e gjysmë të mëngjesit. Nuk ka më fuqi, nuk ka gjumë, nuk e di sa vetë se si qëndron në këmbë. Dy kate, i njëjti mundim i atij që merr përpjetë malin. Mbi tavolinën e kuzhinës është akoma ushqimi i përgatitur për Janissën, vajzën e vogël që do të mbushte një vjeç pas një muaji. Në dhomë ndihet akoma parfumi i Shpresës, “gruaja e jetës së tij”, siç pohon ai vetë. E i duket sikur dëgjon të qeshurën e vajzës tjetër të tij, Gioias, energjinë e tetë vjetëve të saj.
Por ajo ishte jeta. Tani, në këtë jo-jetë e në këtë jo-shtëpi, ka vetëm heshtje që të mbyt. Shpresa është në morg pranë Gioias dhe Janissës. Flamuri hedh sytë rreth e rrotull, ulet, vetëm, i lodhur, i rraskapitur. E qan, me një dëshpërim që prek edhe muret.
Edda, fqinja, rri zgjuar e dëgjon atë dhimbje të pangushëllueshme. “E ndieja që qante me ngashërim, nuk ndalonte më… torturë. Përsëriste gjithnjë në italisht “perché?, perché tuttë questo?””. Pse gjithë ky fat i zi, përnjëherë? Pse pikërisht atij?
Flamur Djala, nga Shënkolli i Lezhës, 39 vjeç, ka ardhur në Itali 14 vjet më parë për të kërkuar punë e fat më të mirë. Genova mirëpriti atë dhe dy vëllezërit e tij Andrenë dhe Yllin, që dje, në shtatë të mëngjesit e nxorën jashtë asaj shtëpie fantazmash dhe trishtimi. Një përqafim i heshtur me Sergion, fqinjin e katit poshtë të tijit. E më pas ikën: “Nuk do të mund të qëndrojë më këtu ku ka jetuar me familjen e tij”, janë të bindur vëllezërit. Shkojnë të Ylli e përpiqen të vënë të flerë pak. Në katër pasdite, shtëpia e Yllit është plot. Më në fund Flamuri pushon pak. Fqinjët u kanë dhënë karriget, Ylli fton këdo që vjen të ulet, u ofron kafe e cigare. “Kjo është tradita jonë, por nuk bëhen pyetje private, të paktën jo sot”. Gratë kanë sytë me lot, nëna e Flamurit shkon te t gjithë të ardhurit për t’i përshëndetur, “to janë vajzat dhe ajo është mamaja e tyre”qan dhe tregon fotografitë nga të cilat Shpresa, Janissa dhe Gioia buzëqeshin. Andrea mbyll sytë he rishikon Gioian në morg. Nuk arrin të heqë nga mendja atë imazh, “Kishte njërën faqe të fryrë, i dilte akoma gjak…”.
Nga një artikull në faqe të parë të ‘Corriere della Sera’ që tregon historitë e familjes së Djala dhe të fa tre viktimave të tjera të përmbytjeve të 4 nëntorit 2011