Ishte zhdukur prej tre ditësh nga shtëpia dhe familjarët kishin denoncuar faktin te karabinierët. Sot në mëngjes zbulimi i tmerrshëm: e gjejnë të vdekur në makinën e tij që kishte dalë nga rruga e kishte rënë në hendek, nga tre metra lartësi.
Romë 27 tetor 2011 – Prej tre ditësh familja shqiptare Shahinaj në Lonigo të provincës së Vicenzas kërkonte të biri, Neritan Shahinaj, 24 vjeç. Nuk mund të imagjinonte një epilog më të hidhur të kërkimeve: djalin e gjetën sot në mëngjes të vdekur në makinë të tij, me rripat e sigurimit akoma të lidhur, në një hendek buzë rrugës Ranare në lokalitetin Ponte Spin të Lonigos, pak kilometra lag shtëpisë së tij.
Të hënën në mëngjes, pasi kishte mbaruar turnin e tretë, kishte shoqëruar motrën në shkollë e më pas nuk është bërë më i gjallë. Prindërit, të dy nga Durrësi prej vitesh të emigruar në Itali, që e dinin që i biri do të largohej për disa ditë për pushime sepse kishte marrë leje në punë, duke mos arritur të lidheshin me të birin as me celular, kanë shkuar te karabinierët që të hënën në darkë, dhe të mërkurën kanë denoncuar zyrtarisht zhdukjen e djalit.
Sot në mëngjes, dy gjahtarë kanë vënë re makinën dhe menjëherë kanë lajmëruar forcat e rendit që verifikuar se viktima në vendin e shoferit ishte pikërisht Neritan Shahinaj. Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes nga karabinierët, 24-vjeçari mund të ketë humbur kontrollin e makinës pas një kthese, ndoshta për shkak të shiut apo të përplasjes me ndonjë makinë tjetër, është rrotulluar disa herë rreth vetes, siç tregojnë dëmtimet e saj të rënda dhe ka përfunduar në greminë. Ekspertiza mbi makinën e autopsia e djalit do të mund të hedhin më shumë dritë mbi fatkeqësinë.