in

Gjurmë të pashlyera

Reportazh i vizitës në Vienë të shkollave shqipe në Itali
Nga Ndue Lazri

Në këtë ditë të bukur në kryeqytetin austriak fryn një erë e lehtë si tingujt e një valsi vienez. Ajo puhizë bën të valëviten hijshëm flamujt shqiptarë dhe të shpalosen ngjyrat e veshjeve kombëtare të valltarëve të vegjël, këngëtarëve e rapsodëve që kanë improvizuar një koncert të vërtetë në oborrin e pallatit perandorak, pjesë e të cilit është edhe muzeu i sotëm historik, Welt Museum. Muzika e bukur shqiptare, ritmet e valleve dhe tingujt e çiftelive e sharkisë, tërheqin shpejt vëmendjen e qytetarëve vienezë dhe të turistëve të shumtë nga e gjithë bota që vizitojnë Vienën në këtë ditë. Sheshi mbushet me spektatorë.

– Nga vini ju? – më pyesin dy gra turiste që e ndjekin me entuziazëm e kureshtje koncertin. U shpjegoj që jemi shqiptarë dhe kemi ardhur nga qytete të ndryshme të Italisë për të vizituar muzeun historik dhe kryeqytetin austriak.

– Ne jemi nga Polonia dhe na tërhoqi shumë ky spektakël – thonë ato dhe vazhdojnë të shkrepin foto.

Tek shikoja turistët me kamera e me makina fotografike që filmonin apo bënin foto, mendoja që imazhet e këtij koncerti do të shkojnë në vende të ndryshme të globit e do të admirohen nga mijëra vetë.

Ky koncert ishte i paramenduar që përpara se grupet e shkollave të ndryshme të vinin në Vienë për realizimin e ekskursionit “Në kërkim të gjurmëve të historisë shqiptare”. Mbase nuk ishte menduar pikërisht ky shesh, se ishte folur edhe për sheshin përpara pallatit tjetër në Belvedere apo në ambientet e ambasadave të Shqipërisë e Kosovës. Por vizita në muzeun historik, ku nxënësit, mësuesit, prindërit janë ndalur me krenari përpara përkrenares dhe shpatës së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, e ka rritur më tej krenarinë kombëtare e flamujt e shumtë në duart e vizitorëve shqiptarë, që u ekspozuan edhe brenda muzeut, filluan të valëviten natyrshëm në sheshin e madh. Aq u desh. U vendos shpejt e shpejt impianti fonik i sjellë nga mësuesja dhe aktivistja e palodhur e Padovas, anëtare e këshillit drejtues të FNAI-t, Erida Çela Perlala, pastaj vallet e grupit “Mille stelle” të Parmës, këngët e kënduara nga rapsodët Kristian Zefi, Anton Mirditori e Lindita Farruku, recitimet e fëmijëve të shkollave, bënë të merrte jetë e vrull koncerti që tërhoqi aq shumë vëmendjen.
Madje edhe kur mbaron koncerti, shqiptarët vizitorë vazhdojnë të vallëzojnë si në festat e tyre tradicionale e mes tyre ka edhe turistë.

E fillova me këtë koncert se ishte një nga pikat kulmore të ekskursionit në fjalë që u organizua në vazhdim të traditës së shkollës “Scanderbeg” në Parma dhe personalisht të drejtorit të saj, Durim Lika. Meqenëse ky është viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, u mendua që edhe tema e ekskursionit të ishte heroi ynë dhe armët e tij. E ku më mirë se në Vienë mund të niste ky ekskursion? Aty ruhen në një nga muzetë më të rëndësishë të Europës përkrenarja dhe shpata e tij legjendare.

Idea e Durim Likës ishte që këtë vit në këtë iniciativë të përfshiheshin edhe Federata FNAI dhe shoqatat e saj, si dhe shkolla të tjera shqipe nga qytete të ndryshme te Italisë. Për më shumë se një muaj e gjysmë u punua në këtë drejtim. Iniciativën e mbështetën të gjitha shkollat e hapura nga shoqatat e FNAI-it, por edhe ato jashtë Federatës. U bashkua shkolla “Udha e shkronjave” e Astit, e cila organizoi autobuzin e saj me mësues,nxënës e prindër. Të njëjtën gjë bëri shkolla “Shqiponja” në Reggio Emilia, shkolla “Mësojmë shqip” Padova, shkolla “Ura” në Novara dhe shkolla “Dallëndyshet” në Pavia. Katër autobusë me mbi 200 vetë u nisën njëkohësisht nga drejtime të ndryshme për t’u bashkuar rrugës në autostradë drejt Vienës. Mendoj se përveç organizatorëve në Parma, ku ka dhënë mbështetje të madhe edhe Forum Donne Indipendenti, duhen përgëzuar edhe kryetari i shoqatës “Shqiponja” në Reggio Emilia, Haki Maze dhe stafi drejtues i kësaj shoqate, grupi i Astit me Hasan Bulçarin dhe ekipin e palodhur të mësuesve, Erida Çela Perlala, Blerina Smajli Lika nga Novara, Arjeta Sema nga Pavia etj.

Idenë e këtij organizimi e kishin vlerësuar edhe Ambasada shqiptare në Vienë dhe konsullata e Kosovës. Vetë ambasadori Roland Bimo me zonjën e tij e pritën grupin e madh të ekskursionistëve shqiptarë nga Italia në hyrje të muzeut historik vienez. Ndërsa konsulli i Republikës së Kosovës në Austri, Imer Lladrovci me bashkëshorten dhe zotin Uk Halilaj do të festonin në Melk bashkë me grupin e Astit, që ishte sistemuar në hotel në atë qytet të vogël piktoresk buzë Danubit, 80 km në periferi të Vienës. Po kështu, profesori kosovar me banim ne Vienë, Osman Ademi, iu bashkua grupit dhe luajti me dëshirë rolin e ciceronit gjatë gjithë vizitës.

Për arsye shëndetësore nuk munda t’i bashkohem në udhëtim grupit me autobusë, por udhëtuam me makinë me miqtë e mi, Mimoza, Sonila e Erion që nga Ferrara. Sonila e Erioni kanë djalin e tyre 10-vjeçar, Erisonin dhe e pëlqyen këtë nismë e deshën që edhe djali i tyre të bashkohej me njohjen e gjurmëve të historisë shqiptare. Madje Erisoni kishte si detyrë shtëpie edhe përkthimin e një poezie që të fliste për Shqipërinë e bashkërisht zgjodhëm poezinë “Udhëtim në vendlindje” të poetes së mirënjohur Irma Kurti.

Pas vizitës së muzeut grupet e ndryshme u shpërndanë secili sipas programit të vet për t’u njohur me Vienën, historinë dhe pasuritë e saj të shumta arkitekturore e turistike, apo edhe qytete të tjera. Iu bashkova grupit të Parmës, meqenëse ishim sistemuar bashkërisht në hotelin që mban emrin e perandorit Franc Jozef. Ky grup, përveç muzeut e pallatit të Hofburgëve vizitoi edhe rrugët kryesore, katedralen e Shën Stefanit, etj. E bukur ishte vizita në kështjellën Belvedere që ka një domethënie historike për kryeqytetin austriak. Pallati i bukur, i ndërtuar në dy pjesë,(atë sipër në kodrinë dhe pjesën poshtë në këmbët e kodrinës) ka edhe kopështet e tij të modelit francez dhe që janë ndërtuar pikërisht nga arkitekti i kopshteve të Re Sole në Francë. Ndërtimi i tij u kërkua nga princi piemontez Eugenio di Savoia. I shquar në një fushatë kundër turqve dhe pasi i mundi ata, fitoi të drejtën të ndërtonte atë kështjellë princërore, në pikën që ai e zgjodhi vetë dhe ku çmimi i tokës për periudhën ishte fare i ulët. Sot brenda pallatit është muzeu më i madh i arteve në Austri dhe aty mund të soditen, veç të tjerash, kryeveprat e piktorit të madh Gustav Klimt.

Kjo kështjellë, si dhe rezidenca verore e perandorëve të Austrisë, u vizituan nga grupi i Parmës dhe ai i Reggio Emilias.

Rezidenca verore e Schonbrunit ka një shkëlqim të veçantë, veçanërisht në stinën e pranverës e të verës, për shkak të kopshteve të mrekullueshme e të luleve të shumta. Emri i saj është i lidhur me burimin e ujit që ishte aty dhe që e quanin “burim i bukur”. Në fakt kështjella, kopshtet dhe parku zoologjik (të cilin Erisoni nën shoqërimin e të atit e vizitoi për disa orë) janë ndërtuar përreth këtij burimi. Spikasin si shatrivani i madh në fund të kopshteve, ashtu edhe kodra ku është ngritur kompleksi i bukur me emrin “Gloriette” që simbolizon lavdinë austriake.

Në këtë kështjellë lindi perandori Franc Jozef dhe vdiq po aty në moshën 86-vjeçare. Po këtu perandori i fundit, Karlo i Parë, firmosi aktin e mbarimit të punimeve perandorake në këtë kështjellë, duke e vënë atë në dispozicion të popullit. Në fakt, pas Luftës së parë Botërore, një pjesë e mirë e saj u vu në shërbim të shkollimit të fëmijëve që kishin mbetur jetimë nga lufta.

Këtu vizitorët, përveç pallatit perandorak dhe kopshteve të tij, mund të vizitojë teatrin e ngritur pranë oborrit mbretëror e ku kanë dhënë koncerte figura të shquara si Haiden e Moxart. Ndërsa më tutje vëmendjen dhe kureshtjen e vizitorit e tërheq muzeu i karrocave. Duke parë karrocat e familjes perandorake dhe të fëmijëve të tyre, vizitori ka mundësi të perceptojë një pjesë të jetës luksoze, por edhe të historisë së sundimtarëve austriakë. Të tërheqin vëmendjen karroca perandorake me 8 kuaj të bardhë, e cila udhëtimin e fundit e bëri në Berlin. 

Por një përshtypje të veçantë të bën karroca funerale me të cilën u përcoll në banesën e fundit perandoresha Elizabeta, e njohur me emrin Sisi. E zeza që mbretëron në të gjitha detajet e saj të imponon një peshë të rëndë dhimbjeje.

Grupi i Parmës kishte ardhur edhe me një ide tjetër të bukur. Ata kishin përgatitur një kurorë me lule për ta vendosur pranë memorialit të arkitektit të madh me origjinë shqiptare, Karl Gega. Ishte një gjest i bukur, që le gjurmë edhe tek vizitorët e vegjël, pasi njihen me personazhe të rëndësishëm me origjinë shqiptare që i kanë dhënë shumë historisë dhe ekonomisë botërore. Karl Gega ka qenë projektuesi dhe ndërtuesi i pjesës më të madhe të hekurudhave të Austrisë, por edhe në shtetet fqinje. Hekurudha e parë malore, ajo e Semmeringut, për të cilën shkruan edhe shkrimtari i madh austriak Stefan Cvajg, është projektuar e ndërtuar prej tij. Tek shikon varrin e tij përkrah emrave të mëdhenj me famë botërore si Bethoven, Shtraus, Brahms e shumë të tjerëve, krenaria kombëtare rritet edhe më shumë.

Vizita e shkollave shqipe në Itali në kryeqytetin austriak, koincidoi në prag të Ditës së fitores mbi nazizmin. Pikërisht në këtë ditë delegacione të shumta nga e gjithë bota shkonin edhe në ish kampin e përqëndrimit në Mathauzen, ku kanë vuajtur edhe 200 viktima nga Shqipëria. Grupi i Astit, që ishte sistemuar në qytetin Melk ishte vetëm disa kilometra larg këtij kampi. Ndaj vendosën që të shkonin ta vizitonin, pasi edhe këtu gjurmët e historisë shqiptare nuk mungojnë. Përveç faktit të 200 viktimave shqiptare, këtu vizitori ka mundësi të admirojë edhe monumentin “Partizani fitimtar” të skulptorit tonë të madh Odise Paskali, vendosur pikërisht në këtë kamp përqëndrimi.

Janë kujtime që jo vetëm për fëmijët, por edhe për të rriturit mbeten gjatë në kujtesë. Janë copëza të historisë sonë kombëtare të shpërndara si tasselli me vlerë në mozaikun e madh të historisë botërore.

Vienë, 5-6 maj 2018

 

 

 

Modena: Integrimi i grave shqiptare

“Tirana ime” takim me Edi Ramën në Sallonin e Librit në Torino