Një ndër dy pensionistë merr si pension më pak se 1.000 euro në muaj, dhe një ndër pesë më pak se 500 euro. Që të dalësh në pension është gjithnjë e më e vështirë – shtohen vitet e punës, rritet mosha minimale – e megjithatë shpenzimet publike për të paguar pensionet vazhdojnë të rriten: +4,3% gjatë vitit 2009 krahasuar me një vit më parë. Këto janë shifrat që jep vetë ministria e Ekonomisë
Romë 18 gusht 2010 – Në vitin 2009 kanë shkuar për pensionet 234 miliardë euro, shpenzim që ka pësuar rritje me 4,3% krahasuar me një vit më parë. Por gjysma e tyre nuk i kapërcejnë njëmijë eurot
Gjatë vitit 2009 shpenzimi publik për pensionet ka arritur shifrën 234,025 miliardë euro, me një rritje prej 4,3% krahasuar me vitin 2008. Kjo është shifra që del nga Raporti i përgjithshëm mbi situatën ekonomike në Itali për vitin 2009, që ka paraqitur në parlament ministri i Ekonomisë Giulio Tremonti.
“Gjatë vitit 2009 – lexohet në këtë dokument – shpenzimi për pensionet rezulton 234.025 milionë euro, sa 15,4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (një pikë përqindjeje më shumë se një vit më parë).
Shuma është rritur me 4,3% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rritja nga viti 2007 në 2008-tën ka qenë më e ulët: 3,9%”.
Kur analizon sa i hyn në xhep secilit prej 16,8 milionë pensionistëve në Itali, del në pah që 21,4% e tyre (3,6 milionë të moshuar) nuk merr as 500 euro në muaj ndërsa 27,7% (4,65 milionë të moshuar) marrin nga 500 deri në 999 euro në muaj. Pra gjysma e pensionistëve, rreth 8,3 milionë të moshuar, jetojnë me më pak se njëmijë euro në muaj. 3,9 milionë të tjerë, ose 23,5% e pensionistëve fitojnë nga 1.000 deri në 1.499 euro në muaj, 2,3 milionë të moshuar (13,7%) kanë pensione nga 1.500 deri në 1.999 euro në muaj dhe 2,3 milionë të tjerë janë pleqtë e kamur, ata që kanë pensione mbi 2.000 euro në muaj.