Për rreth 30 orë dy kushërinj nga rrethi i Hasit të bllokuar rrugëve nga bora u strehuan në një bunker për t’i shpëtuar vdekjes nga i ftohti dhe sulmit të kafshëve të egra. I gjetën pa ndjenja e gjysmë të ngrirë, dhe njëri prej tyre vdiq në spitalin e Krumës
Tiranë, 12 shkurt 2012 – Njëri prej dy kushërinjve të humbur në rrethin e Hasit që u gjetën mbasditën e të shtunës gjysmë të ngrirë ka humbur jetën në spitalin civil të qytetit të Krumës. Me gjithë ndihmën e mjekëve të këtij spitali, 45 vjeçari Isa Qarri ka humbur jetën.
Nga mjekët e këtij spitali po punohet për t’i shpëtuar jetën 35 vjeçarit Myrteza Qarri, gjendja e të cilit është disi më e lehtë.
Isa Qarri, 45 vjeç, dhe Myrtaza Qarri, 35 vjeç, menaxherë të një rrjeti privat interneti, të dy nga fshati Qarr i komunës së Golajt mbasditen e të premtes u nisën në drejtim të Oplasit, rreth 1.200 metra mbi nivelin e detit ku ndodhen antenat e televizioneve e të telefonisë.
Për rreth 30 orë kanë qëndruar në një bunker, dhe janë gjetur mbrëmjen e të shtunës nga 60 burra, të afërm dhe bashkëfshatarë të tyre, që dolën t’i kërkojnë. Ishin pa ndjenja në bunker, gjysmë të ngrirë dhe u transportuan për në spitalin e qytetit të Krumës.
Isa Qarri ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas mbërritjes në spitalin e qytetit të Krumës.