in

Bie autobusi me studentë në Himarë. 13 të vdekur, mbi 20 të plagosur

Presidenti Topi sërish në spitalin ushtarak nga ku përsërit thirrjen për të dhuruar gjak

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është rikthyer sonte në mbrëmje në Spitalin Ushtarak në Tiranë ku u interesua për gjendjen e studentëve të aksidentuar dhe komunikoi me stafin e mjekëve. Ai përgëzoi të gjithë ekipin mjekësor për përkushtimin dhe angazhimin human e profesional, forcat e policisë dhe ushtrisë për gadishmërinë dhe punën e jashtëzakonshme në këtë situatë sa të vështirë aq edhe delikate, bëri të ditur një njoftim i Presidencës. Duke uruar shërim të shpejtë për të aksidentuarit, Presidenti bëri thirrje për solidaritet dhe për të dhuruar gjak, i nevojshëm për të aksidentuarit.

Ambasadori Sequi ngushëllime familjeve të viktimave

Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë Ettore Sequi shprehu ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.

“Ambasadori Sequi dëshiron të shprehë ngushëllimet më të ndiera për familjet e të gjithë atyre që humbën jetën ose u plagosën në aksidentin e sotëm tragjik në Himarë. Mendja e të gjithë kolegëve tanë të cilët punojnë me Shqipërinë, si në Delegacionin në Tiranë, ashtu edhe atyre në zyrat qendrore në Bruksel, janë me ju në këtë moment kaq të trishtuar.”- thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat nga zyra e BE-së në Tiranë.

“Zoti u dhëntë paqe shpirtit të tyre dhe familjeve të tyre forcën për të përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme. U urojmë nga zemra të plagosurve një shërim të shpejtë dhe të plotë.”- përfundon njoftimi.

Elbasan. Qytetarë e studentë ndezin qirinj në sheshin përpara universitetit

Qindra studentë dhe qytetarë të Elbasanit janë grumbulluar sot në mbasdite në sheshin para universitetit “Aleksandër Xhuvani” për të bërë homazhe në shenjë respekti për jetët e humbura në aksidentin tragjik në Himarë. Qytetarët dhe studentët ndezën qiri dhe qëndruan në heshtje në sheshin para universitetit.

Identifikohen të plagosurit e shtruar në spitalin ushtarak dhe në atë të Vlorës

Në Spitalin e Vlorës ndodhen Ina Janulla, Entela Daja, Dorina Stafa, Adjola Musaku, Ergysa Opingari, Juljana Kuqi, Griselda Zeneli, Ticiana Hysa, Liri Hasa, Blerina Cereni.

Në Spitalin Ushtarak janë Kaltra Pollozhani, Alma Deda, Eranda Bato, Antoneta Tace, Anisa Çobo, Doriana Kumrija, Besjana Dani është duke u transportuar nga Vlora në Spitalin Ushtarak Shegushe Taka, Elsa Shtylla, Mirsie Biba, Elfsiana Karriqi.

Identifikohet viktima e parë

Zëdhënësja e policisë së Shtetit në një komunikim për mediat bëri publik emrin e viktimës së parë të këtij aksidenti tragjik. Ajo është vajza që u transportua me helikopter në Spitalin Ushtarak dhe quhet Eranda Baloshi.

Shkon në 13 numri i viktimave

Shkon ne 13 numri i viktimave nga aksidenti i sotëm në Himarë. Mësohet se një tjetër studente që  ishte transportuar në spitalin Ushtarak në Tiranë nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Gjithashtu burime policore  bëjnë të ditur se mes 13 personave kanë humbur jetën është edhe shoferi i autobusit.

Kryeministri Berisha shpreh ngushëllimet nga Chicago

Nga Samiti i NATO-s në Chicago kryeministri Berisha shprehu ngushëllimin e tij për familjarët dhe të afërmit e viktimave dhe apeloi për të bërë të pamundurën që të shpëtohet jeta e të plagosurve.

“Kryeministri Berisha, i cili ndodhet në Samitin e NATO-s në Çikago, është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët po kërkon të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Në të thuhet gjithashtu se, kryeministri shpreh dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë për viktimat dhe u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave.

Rama: “Është çasti për solidaritet”

“Në Himarë një tragjedi e tmerrshme ka mbajtur pezull frymën e mbarë kombit. Janë orë solidariteti kombëtar e përpjekjesh të gjithanshme për të shpëtuar çdo jetë njerëzore të përfshirë në këtë aksident tragjik. Jam i bindur se personeli i Spitalit Ushtarak i sprovuar në fatkeqësi me përmasa të pazakonshme dhe gjithë njerëzit e shërbimeve të tjera spitalore, policore, ushtarake, do të bëjnë çdo gjë që është në fuqinë e tyre për të shpëtuar jetët që ende mund të shpëtohen”, deklaron Rama.

Ai ftoi ndër të tjera “Bashkitë socialiste të Himarës, Orikumit, Vlorës, të bëjnë të pamundurën për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat shtetërore për çdo gjë që mund të ndihmojnë. Është me shumë rëndësi t’u qëndrojmë pranë në këto orë të zymta familjeve të viktimave për t’u lehtësuar sadopak dhimbjen e patregueshme”, deklaron Rama.

Ngushëllime e solidaritet nga Kosova

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ngushëlloi sot Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentësh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.

Jahjaga shprehu solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ofroi përkrahjen e plotë.

Edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sulejman Selimi, pasi vizitoi të plagosurit në Spitalin Ushtarak në Tiranë, shprehu ngushëllimet dhe ofroi mbështetjen dhe solidaritetin e qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i dërgoi një telegram ngushëllimi kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe familjarëve të të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës.

Qindra të rinj dhurojnë gjak në spitalin ushtarak

Qindra të rinj i janë drejtuar të hënën pasdite Spitalit Ushtarak dhe Qendrës Spitalore Universitare për të dhuruar gjak, për të plagosurit e aksidentit të rëndë të ndodhur rreth orës 16.15 në aksin rrugor Vlorë-Himarë.

Siç raporton gazetarja e ATSH-së, persona të shumtë po presin për të dhuruar gjak, mes tyre edhe autoritete të shumta të vendit si dhe qytetarë.

Kryqi i Kuq Shqiptar  ka bërë apel pak më parë për të dhuruar gjak në ndihmë të të plagosurve në aksident. Kryqi i Kuq u ka kerkuar të gjithë qytetarëve t’i drejtohen Spitalit Ushtarak, ku ndodhet aktualisht 4 të plagosura, por edhe spitaleve të tjera.

Gjithashtu, apel është bërë edhe për dhurimin e gjakut në spitalet e Vlorës, Himarës dhe Sarandës.

Shkon në 12 numri i viktimave

Është rritur numri i viktimave nga aksidenti tragjik në Qafën e Vishës në aksin rrugor Himarë-Sarandë. 

Drejtori i Spitalit Ushtarak në Tiranë, Bedri Mihaj, konfirmoi se një vajzë ka humbur jetën gjatë transportimit me helikopter dhe ka mbërritur e vdekur për në Spitalin Ushtarak. 

“Deri tani është e konfirmuar një viktimë, një vajzë, që erdhi faktikisht e vdekur dhe nuk na dha mundësinë për ta ndihmuar, ndërsa nga të gjithë të aksidentuarit janë 2 në gjendje të rëndë, për të cilët shpresojmë që ta kalojnë”. 

Ndërkohë, zëvendës ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, tha se “operacionet nga ajri për transportimin e të plagosurve do të vazhdojnë deri sa të jetë e nevojshme”.

“Janë evakuuar të gjithë personat që kanë nevojë”, tha Spahia. 

Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, janë transportuar 14 të plagosur, ndërkohë që pritet  dhe transportimi i të paktën 2 të plagosurave nga spitali i Vlorës.

Pipero tha se të gjitha kapacitetet e Spitalit Ushtarak, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, por edhe spitalet rajonale janë në gatishmëri  të plotë.  Pipero tha se “gjendja shëndetësore paraqitet e rëndë, por është ende herët për të thënë lidhur me ecurinë”. 

Pipero konfirmoi edhe një herë gatishmërinë e bluzave të bardha dhe të qeverisë për të shpëtuar jetë.

22 maji ditë zie

Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 12 studente në lulen e rinisë së tyre, vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare.

Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor.

Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, Kryeministri po bën çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë në Tiranë.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave thuhet se ”në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre.  Ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave”.

Spiro Maraci, punonjes ne bashkine e Himares, qe ndodhet aktualisht ne vendngjarje, tha per ATSH-ne se aksidenti eshte teper i rende, pasi autobuzi ka rene nga nje lartesi e madhe prej disa dhjetra metrash ne kthesen me te forte te kesaj qafe. Ai tha se ka te vdekur (behet fjale per 6-7 te vdekur) dhe mjafte te plagosur, te cilet po nxiren nga autobuzi dhe po dergohen ne drejtim te qendres shendetesore te Himares.

Dhjetëra banore te Himares dhe punonjes te bashkise si dhe udhetare te rastit jane perfshire ne kete operacion. Nderkohe, mesohet se ne vendngjarje jane nisur forca te shumta te policise dhe autoambulanca.

Policia e Shtetit konfirmon se, deri në këto momente, nga automjeti i aksidentuar në aksin Vlorë-Himarë, janë nxjerrë dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 33 studentë, ndërsa nga të dhënat paraprake rezultojnë 11 të vdekur dhe 22 të plagosur.

Sipas policisë, rreth orës 16.15 të ditës së sotme, në aksin rrugor Vlorë-Himarë, në vendin e quajtur Qafa e Vishës, një autobus me targë El 2274 B, me drejtues shtetasin Pëllumb Çela, vjeç 55, me të cilin po udhëtonin disa studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” ka dalë nga rruga.

Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën.

Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt vendngjarjes janë dërguar helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu janë nisur dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes.

Në vendngjarje janë dërguar dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe janë krijuar grupe të posaçme me ekipe mjekësh, ndërkohë që ambientet spitalore janë vënë në gatishmëri të plotë.

Policia rrugore po punon për mbajtjen hapur të akseve rrugore për dhënien e ndihmës së shpejtë.

Aktualisht në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Një ndihmë të madhe po japin dhe banorët e zonës.

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë.

Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë.

I gjithë stafi pedagogjik i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” bashke me rektorin Liman Varoshi janë nisur drejt Himarës, për të ngushëlluar viktimat e aksidentit tragjik që i ka marrë jetën 11 të rinjve, ndërsa ende nuk konfirmohet numri i saktë i tyre.

Gjatë lidhjes telefonike, rektori i Universitetit, Liman Varoshi, ka deklaruar se “dy autobusa janë nisur mëngjesin e sotëm për ekspeditë në Himarë dhe me të marrë vesh lajmin jemi nisur drejt zonës ku ka ndodhur aksidenti për të qenë afër të aksidentuarve, si edhe për të ngushëlluar të afërmit e viktimave studentë”.

Bashkë me rektorin ndodhen edhe shumë pedagogë të tjerë për të qenë afër studentëve të vitit të tretë të degës Gjuhë Letërsi në këtë universitet.

Ndërkaq, Drejtori i Konviktit të Universitetit, Albert Hajrullai, tha se “vetëm studentë konviktorë janë nisur 20, 16 prej të cilave vajza, ku deri më tani nuk konfirmohet asnjë nga këto të fundit të ketë vdekur”.

Në mjediset e konviktit janë mbledhur shokë e shoqe të studentëve që janë nisur për ekspeditë dhe telefonojnë për të mësuar më shumë rreth fatit të tyre.

Mëngjesin e së hënës janë nisur dy autobusa drejt Himarës, ndërsa mësohet se studentët janë shoqëruar edhe nga pedagogë, mes tyre edhe shefi i departamentit të fakultetit të Gjuhë – Letërsisë, Albert Riska, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar gjë nga aksidenti. Ende nuk konfirmohen emrat e viktimave të këtij aksidenti tragjik.

Presidenti i Republikës Bamir Topi nëpërmjet një mesazhi të bërë publik sot pasdite, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, që humbën jetën si pasojë e aksidentit rrugor pranë Urës së Vishës në Himarë.

“Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe hidhërimin e thellë për të gjitha familjet e studentëve që humbën jetën sot në Himarë, duke ju siguruar se ndodhem pranë jush në këto çaste të rënda e të vështira! Ndihem shumë i trishtuar, ashtu sikurse edhe ju për këtë aksident fatkeq, i cili mori përmasa fatale dhe ju shkaktoi këtë tragjedi të madhe”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të presidencës.

Kreu i Shtetit siguron se të gjitha strukturat e shtetit shqiptar janë ngritur në këmbë e janë mobilizuar duke punuar me një organizim të shkëlqyer për të administruar situatën dhe minimizuar përmasat e kësaj tragjedie të rëndë.

Në përfundim, Presidenti shpreh solidaritetin njerëzor dhe institucional dhe u uron shërim sa më të shpejtë studentëve të plagosur.

Tragjedia e Himarës. Dy të aksidentuarat më rëndë të enjten për kurim në Austri

Nisin në Tiranë aplikimet për punësimin e infermierëve në Gjermani