Në dy dekadat e fundit, nuk kemi marrë dy herë të njëjtën pasaportë, dhe nuk kemi arritur të bëjmë as një shtyrje afati të ndonjërës prej tyre. Sepse shteti shqiptar, për një arsye apo për një tjetër, ka nxjerrë nga qarkullimi një lloj, për të sjellë në fuqi një tjetër. Kujtuam se me dhjetëvjeçaren ramë rehat për ca kohë, por nuk paska qenë e thënë: edhe kush e ka marrë nga fillimi i vitit të shkuar është i detyruar që së shpejti ta ndërrojë
Në 20 vjet tranzicion kemi ndërruar katër herë pasaporta. E nuk e kam fjalën për ndërrim të pasaportës për shkak të përfundimit të afatit, gjë që mund të zgjidhet edhe me një shtyrje të thjeshtë të datës së kadencës. Flas për ndërrim të formatit të dokumentit, sjelljen në fuqi të një modeli të ri e nxjerrjen nga qarkullimi të atij ekzistues. Kemi ndërruar plot katër pasaporta, nga viti 1991 kur shumë prej nesh kanë marrë pasaportën e tyre të parë e deri më sot kur qeveria përpiqet të na mbushë mendjen se Europa i kërkon të pajisë të gjithë me pasaportën e re biometrike, kur vetë Europa nuk i ka të gjithë shtetasit e saj me këtë lloj dokumenti.
E vërtetë që, për arsye sigurie, nga liberalizimi i vizave të përfitojnë vetëm shtetasit e pajisur me dokumentin e ri. Por kjo nuk do të thotë që shteti të detyrojë të gjithë shqiptarët të pajisen me këtë dokument, përfshirë ata që nuk kanë asnjë arsye për të shkuar jashtë shtetit. Akoma më pak e moralshme është të detyrosh pajisjen me këtë dokument të ri të shtetasve që vetëm vjet në shkurt apo mars janë pajisur me një pasaportë 10-vjeçare të re, por të llojit të vjetër. E kanë paguar me çmim të plotë para një viti, e njëjta gjë u kërkohet edhe për të renë që, sipas qeverisë, duhet të kërkojnë deri në fund të këtij viti.
Dhe ky i parave është vetëm një aspekt i problemeve që u sjell qytetarëve ndërrimi i pasaportës, veçanërisht i ndier nga emigrantët që me aplikimin pranë konsullatave e ambasadave e kanë paguar shtrenjtë të vjetrën, e do të paguajnë edhe më shtrenjtë të renë.
Por të tjera probleme, edhe më të mëdha u ka shkaktuar shqiptarëve në mërgim ndërrimi i herëpashershëm i pasaportave. Ky dokument është i lidhur ngushtë me lejen e qëndrimit dhe për rrjedhojë me ndërrimin e pasaportës jemi të detyruar të kërkojmë përditësimin e dokumentit të qëndrimit, që për faj të burokracisë italiane na duhet ta presim me muaj me radhë. Për të mos folur për të dhënat brenda dokumentit: kështu për shembull, pasaporta ime e parë kishte edhe atësinë që në dokumentin e qëndrimit mu vu si pjesë e mbiemrit. Nuk dua t’ju mërzis këtu me rrëfimin e sorollatjes nga një zyrë në tjetrën për të korrektuar të dhënat personale: duke nisur me ambasadën ku mu desh të merrja një vërtetim që jam i njëjti njeri, e më pas në prefekturë, komunë, zyrë e tatim-taksave për ndërrimin e kodit fiskal, sekretari e universitetit.
Më tregojnë që një tjetër e dhënë që, për ndokënd, është modifikuar me ndryshimin e pasaportave është edhe vendlindja: nëse në një pasaportë shkruhej për shembull “lindur në Shkozet, Durrës” e në tjetrën vetëm “lindur në Shkozet”. Të interesuarit i është dashur të përditësojë të dhënat edhe në gjendjen civile të komunës italiane ku jeton: të shkojë në fillim në konsullatën ku duhet marrë vërtetim që është i njëjti njeri, e më pas në prefekturë ku të legalizojë firmën e konsullit, e më pas në komunë.
Për të mos folur për të dhëna të shkruara gabim në një prej pasaportave: me regjistrimin elektronik të popullsisë di për familje që gjysma e vëllezërve rezultojnë me një mbiemër e gjysma tjetër me një tjetër; një grua që ka lindur në dhjetor tani rezulton e lindur në muajin e dhjetë të vitit, pra në tetor; një burrë që nga Sytki është bërë Sitki, një tjetër që nga Gasmir është bërë Gazmir. Dhe të gjitha këto gabime paguhen, veçanërisht shtrenjtë, nga emigrantët që duhet të përditësojnë e të korrigjojnë dokumentet e tjera që kanë në Itali që kanë të bëjnë me qëndrimin, shkollën, punën, taksat, pensionin.
Keti Biçoku
Kexo edhe: Pasaporta e shtrenjtë e emigrantit