Kam paraqitur kërkesën për “nulla osta” për një qytetar shqiptar. Sporteli Unik ma ka lëshuar, punonjësi ndodhet tashmë në Itali dhe ka kërkuar lejeqëndrimin për punë. Është thirrur nga Kuestura për të dhënë shenjat e gishtërinjve, por është shumë i shqetësuar; më ka thënë se ka qenë dëbuar nga Italia dhe atëherë kishte dhënë një emër të rremë. Ç’rrezikon? Do t’i tërheqin lejeqëndrimin?
I huaji jokomunitar, që ka hyrë në Itali me vizë për punë e që nënshkruan kontratën e qëndrimit në Sportelin Unike për Imigracionin, paraqet dhe kërkesën për lëshimin e lejes së qëndrimit nëpërmjet dërgimit të formularëve (të hartuar nga Sporteli Unik) nga zyrat postare.
Njëkohësisht me kompletin e formularëve, punonjësi i Zyrës Postare i komunikon shtetasit të huaj ditën kur duhet të paraqitet në Kuesturë për dhënien e shenjave të gishtërinjve, një parakusht për lëshimin e lejeqëndrimit për punë.
Nëse shtetasi jokomunitar, kur ka marrë më parë një masë dëbimi, i është nënshtruar regjistrimit të shenjave të gishtërinjve dhe ka dhënë një emër të rremë, ky fakt do të dalë në dritë dhe do të përbëjë pengesë për lëshimin e lejeqëndrimit, edhe nëse Sporteli Unik e ka lëshuar autorizimin (nulla osta) për punë.
Edhe pse punëdhënësi nuk rrezikon asgjë, shtetasi jokomunitar ka kryer një vepër të vërtetë penale, sepse ai ka deklaruar gjëra të rreme përpara një nëpunësi të shtetit, duke kryer veprën penale të deklaratave të rreme mbi identitetin ose mbi cilësi të vetat ose të të tjerëve, të parashikuar nga neni 496 i Kodit Penal, e ndëshkueshme me burgim deri në një vit ose me një gjobë deri në 516 €.
Situata bëhet edhe më e rëndë në qoftë se, përveç gjeneraliteteve të rreme, shtetasi jokomunitar ka dhënë edhe dokumente të rreme (p.sh. pasaportë). Në këtë rast shkelja është edhe përdorimi të dokumenteve të rreme (489 kodi penal). Prandaj hapet një procedurë penale kundër shtetasit jokomunitar, e cila mund të përfundojë me dënim ose pafajësi.
Në të dy rastet është e nevojshme të dihet diçka më shumë.
Neni 5 paragrafi i parë i Dekretit legjislativ 286/98 parashikon që mund të qëndrojnë në territorin italian të huajt që kanë hyrë rregullisht në bazë të nenit 4 paragrafi 3 ose me fjalë të tjera ata që nuk paraqesin një kërcënim për rendin publik ose sigurinë e shtetit; ata që nuk kanë qenë të dënuar për shkeljet e parashikuara nga neni 380 paragrafët 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale, ose për vepra të tjera të parashikuara në mënyrë specifike (p.sh., lidhur me drogat, lirinë seksuale, favorizimin e emigracionit të paligjshëm, etj.).
Ndër të gjitha veprat penale, duke përfshirë ato të përmendura nga Kodi i Procedurës Penale (p.sh. rrëmbime, plagosje, vjedhje) nuk hyn shkelja dhënies së deklaratave të rreme dhe e përdorimit të dokumenteve të rreme.
Prandaj, një dënim në këtë kuptim, nuk do të ishte një pengesë për mosdhënien ose tërheqjen e lejeqëndrimit për arsye pune.
Problemi në fakt qëndron diku tjetër: nulla osta është lëshuar në bazë të kushteve “të rreme”. Kuestura nuk do t’i kishte dhënë aprovimin Sportelit Unik për Emigracionin për dhënien e nulla ostës për një të huaj të dëbuar (pra nëse i huaji do të kishte dhënë gjeneralitetet e vërteta) dhe i huaji nuk do të kishte marrë vizën e hyrjes.Kuestura, kur të konstatojë dëbimin e mëparshëm, përveç procedimit për veprat penale të sipërpërmendura, mund të lëshojë një masën e mosdhënies së lejeqëndrimit për motive pune.
Nuk mund të përjashtohet edhe mundësia e një dekreti dëbimi duke mbajtur parasysh që një shtetas jokomunitar, që ka hyrë me “mashtrim” në Itali, është si t’i kishte shpëtuar kontrolleve kufitare, “duke konsideruar që termi “shpëtoj” nuk do me thënë vetëm t’i shpëtojë fizikisht kontrolleve, si në rastin e atyre që hyjnë ilegalisht në vend, por edhe të anulojë efikasitetin e këtyre kontrolleve që kanë për qëllim parandalimin e hyrjeve të paligjshme, duke përfituar prej një mjeti vetëm në dukje të ligjshëm”(Kasacioni Civil seksioni I, sentenca 13864/01).
Në këtë pikë duhet të prisni dhe të shihni se si do të zhvillohet situata; gjithçka varet nga Kuestura. Në rast se ajo merr një vendim negativ dhe njëkohësisht nxjerr një urdhër dëbimi, atëherë mund të kundërshtoni me mjete të zakonshme ligjore (ankim në Tar dhe Gjykatësi i Paqes).
Jo rrallë gjykatësit administrativë shfuqizojnë masat administrative të mos përtëritjes së lejeqëndrimeve duke konsideruar mbizotëruese rrethanat faktike si për shembull pasjen e burimeve të mjaftueshme nga ana e shtetasit jokomunitar, një strehim të përshtatshëm dhe një kontratë të rregullt pune (TAR Emilia Romagna sentenca nr. 1524 e datës 22.4.08), sipas nenit 5 paragrafi 5 të Dekretit legjislativ 286/98 që parashikon shprehimisht “Lejeqëndrimi ose përtëritja e tij refuzohet dhe, nëse është dhënë leja, ajo tërhiqet, kur mungojnë kushtet e nevojshme për hyrjen ose qëndrimin në Shtet, me përjashtim të asaj që parashikon neni 22, paragrafi 9, dhe kur nuk janë shtuar elementë të rinj të cilët lejojnë lëshimin, dhe kur nuk bëhet fjalë për parregullsi administrative të korrigjueshme. Në dhënien e masës së refuzimit, të lëshimit, të tërheqjes apo të mohimit të lejeqëndrimit … mbahen parasysh edhe lidhjet familjare dhe shoqërore të të interesuarit si dhe kohëzgjatja e qëndrimit të tij në territorin italian”.
Avokate Mascia Salvatore