Gjykata e Padovës e kishte dënuar me 4 vjet burg dhe 12 mijë euro gjobë për shfrytëzim prostitucioni të miturish, rrëmbim, dhunë seksuale dhe armë mbajtje pa leje.
Romë, 8 korrik 2012 – Një 36 vjeçar që kishte zgjedhur bregdetin e Lignano Sabbiadoro-s për të kaluar pushimet edhe pse kërkohej nga drejtësia italiane është arrestuar nga karabinierët. Është Gentian Basha i dënuar nga Gjykata e Padovës me 4 vjet burg dhe 12 mijë euro gjobë për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit të të miturve, të sekuestrimit të personit, dhunës, përdhunimit dhe të armëmbajtjes pa leje që i ka kryer në vitet 2002-2004 në provincën e Padovës dhe të Veronës.
Të premten pas darke, një patrullë karabinierësh e ka ndaluar për një kontroll teksa shëtiste në qytetin bregdetar i shoqëruar nga një grua. Ai ka treguar një pasaportë me emrin Gentian Troplini, por qëndrimi i nervozuar i çiftit ka shtyrë karabinierët të dyshojnë dhe të kontrollojnë dokumentin. Ka rezultuar që personi që kishin përpara nuk ishte tjetër veçse Gentian Basha nga Durrësi i dënuar nga Gjykata e Padovës me 4 vjet burg, ndaj e arrestojnë menjëherë.