Belgjika zbardh shifrat e azilkërkuesve shqiptarë: kanë qenë 241 në vitin 2009, 204 në vitin 2010 dhe plot 971 nga fillimi i vitit deri më sot
Romë, 25 nëntor 2011 – Ministria e Brendshme ka deklaruar se Zyra e Bashkëpunimit Policor e Ambasadës së Mbretërisë së Belgjikës në Shqipëri i ka dërguar një grafik me kërkesat e azilit të paraqitura gjatë tre vjetëve të fundit dhe një letër ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, me anë të së cilës falënderohen autoritetet shqiptare për përpjekjet e bëra për parandalimin dhe goditjen e dukurisë së azilkërkuesve.
Ajo që vërehet nga grafiku është thuajse pesëfishimi i numrit të azilkërkuesve krahasuar me vitin e shkuar. Kështu nëse gjatë vitit 2009 kanë kërkuar azil në Belgjikë mesatarisht 20 vetë në muaj (gjatë gjithë vitit 241 kërkesa), dhe në vitin 2010 vetëm 17 në muaj (gjithsej 204 kërkesa), gjatë këtyre njëmbëdhjetë muajve të këtij viti kanë kërkuar azil në Mbretërinë e Belgjikës plot 971 shqiptarë. E nëse deri në korrik numri i azilkërkuesve në muaj ka qenë pak a shumë ai i viteve të shkuara, është rritur në gusht (50 vetë), edhe më në shtator (84 azilkërkues) për të arritur kulmin në tetor, kur kanë paraqitur kërkesë për strehim 342 shqiptarë.
Katërfishimi i kërkesave brenda një muaji justifikon më së miri edhe shqetësimin e autoriteteve belge që arriti deri në atë shkallë sa Drejtori i Përgjithshëm i Emigracionit, Freddy Roosemont, shkoi në Shqipëri (më saktësisht në Shkodër, prej nga janë shumica e shqiptarëve që kërkojnë azil ë Belgjikë) për të takuar autoritetet, jo vetëm për t’i paralajmëruar se kërkesat për azil do të rrezikojnë liberalizimin e vizave për të gjithë shtetasit shqiptarë, por edhe për t’u kërkuar ndihmë autoriteteve shqiptare për ndalimin e kësaj dukurie.
Dhe pse gjatë nëntorit numri i azilkërkuesve mbetet më i lartë se çdo muaj tjetër, përjashtuar tetorin e këtij viti, vërehet një rënie e ndjeshme, vetëm 105, kur mungon vetëm një javë nga mbyllja e muajit.
Për këtë rënie, autoritetet belge kanë falënderuar autoritetet shqiptare që “kundërvepruan në një situatë krize me azilkërkuesit”. Sepse, sipas letrës së nënshkruar nga këshilltari i ambasadës belge për çështjet e brendshme, Nys Andre, “situata të tilla ndodhin dhe mund të ndodhin kudo, por e rëndësishme është identifikimi i burimeve dhe veprimi konkretpër parandalimin dhe goditjen e dukurisë së azilkërkuesve”.