in

Kardinali që i tejkaloi ëndrrat. Nga Ferri në Selinë e Shenjtë

Fjala e mbajtur nga Visar Zhiti, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shqipërisë pranë Vatikanit, në Kishën e Shqiptarëve në Romë, “San Giovanni della Malva di Trastevere, pas Meshës që celebroi kardinali i ri Don Ernest Simoni Troshani, në promovimin e librit që i kushtohej atij, 20 nëntor 2016

Kjo ditë për mua është një mrekulli, del nga realiteti i përditshëm dhe i tejkalon madje dhe ëndrrat…

Shumë vite më parë, sikur të guxonte ndokush e të na thoshte fshehurazi atje në burg, që ai burri i urtë, që pastron në heshtje tryezat e mencës së të burgosurve, do të vijë një ditë e do të jetë kardinal dhe ti, bashkëvuajtës i tij, në promovimin e një libri të shkruar për atë, do të flasësh si kreu i ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, nuk do ta besonim dot kurrë.

Sikur ai zë profetik të ngulmonte atëhere, që po, ka për të ndodhur në 20 nëntor 2016, dhe ku? Në Romë, në Kishën e shqiptarëve, në San Giovanni della Malva në Trastevere, mbase unë nuk do ta përballoja dot kumtin e do të rrëzohesha për tokë nga emocioni i fortë.

Vëllezër dhe motra, po, ka ndodhur mrekullia. Dhe siç thoshte Dotojevskij, jeta shpesh ia kalon edhe fantazisë më të çthurur. Kjo ditë, me këtë meshë kuptimplotë, është dhuratë e Zotit.

Mendoheni pak, në diktaturën më të egër në perandorinë komuniste, në vendin e parë dhe të vetëm të shpallur ateist në botë, në Shqipërinë e vogël me drama të mëdha, të mbyllur, njeriu me emrin Ernest Simoni Troshani ishte dënuar, sepse ishte prift dhe unë isha i dënuar për poezitë e mia.

Kishat, tempujt e fesë regjimi i kishte prishur dhe shtonte burgjet. Kur mua më çuan në burgun e Spaçit, i ri me pranga në duar, atje ishte dhe Don Ernesti, 52 vjeç, që kishte bërë deri atëhere mbi 17 vjet burg.

Dhe do të lirohej pas një viti, por nuk do të ishte i lirë, do ta vazhdonte dënimin duke hapur kanale.

Për kalvarin e jetës së tij na tregon libri “Don Ernest Simoni – Dai lavori forzati all’incontro con Francesco”, botim i “Paoline”-s. Gazetari i “Avvenire”-s, shkrimtari Mimmo Muolo, me mjeshtëri ka sintetizuar dhe historinë moderne të Shqipërisë, pas Luftës së Dytë Botërore, duke ndalur në martirizimin e klerit katolik shqiptar, nga ku 38 prej tyre, të pushkatuar pa faj, u lumturuan para ca ditësh në Shkodër, në qytetin ilirik të Kardinal Ernest Simonit. Po nga Shkodra ishte dhe Kardinali tjetër, i emëruar nga Papa San Giovanni Paolo II, edhe ai e kishte kaluar gjithë periudhën e komunizmit burgjeve dhe internimeve. Të dy kardinalët tanë kanë jetë martirësh.

Don Ernesti në burg ishte me të gjithë dhe rrinte i veçuar. Në sy kishte mirësi dhe mister si një ikonë nëpër rrënoja. Po dhe në burg duhej të ishte prifti, meshtari. Meqënëse s’mund të ishte në ndonjë kishë, kishën e kishte futur brenda vetes. Mes urisë, atyre që kishin uri më shumë, të rinjtë, duheshin ndihmuar. Dhe ajo copëz buke që jepte Ernesti fshehurazi, teksa pastronte tryezat, ishte më shumë se sa të japësh sot një darkë të shtrenjtë në restorant luksoz.

Papa Françesko u përlot kur dëgjoi për vuajtjet e Don Ernestit, u përqafuan të dy… dhe lotët vezullonin si brilantë prej flakës së qiririt, të ndezur midis tyre.

Kjo trini, Papa Françesku, Don Ernesti dhe Qiriri, është emblematike dhe tregon triumfin mbi vuajtjet dhe persekutimin. Se në Shqipërinë e diktaturës ishin të ndaluar:

1- Papa dhe zëri i Vatikanit, kujtoj që në akt-akuzë, kur më nxorën në gjyq, kisha dhe fajin e pafajshëm që kisha dëgjuar fshehurazi dhe Radio Vatikanin.

2- Po kështu dhe Don Ernesti ishte i ndaluar, meshat e tij, lutjet, që i bënte fshehurazi për të persekutuarit dhe persekutorë, dëshmohen dhe në libër, Janë bërë dhe mesha fshehurazi, nën tokë, në minierën e burgut. Ka patur dhe pagëzime fshehurazi, për të cilat të dënonin prapë.

3- Ndërkaq i ndaluar ishte dhe qiriri, drita e tij. Po, po vërtet, nuk është metaforë letrare, por e dhimbjes së vërtetë. Në Shqipërinë komuniste nuk lejoheshin qirinjtë, konsideroheshin si mbeturinë fetare.

Ndërsa nga poezitë më të bukura shqipe, shkruar nga poeti kombëtar i Rilindjes shqiptare, Naim Frashëri, titullohet “Fjalët e qiririt”. Qiriri është misionari i dritës.

Pra kjo trini e triumfit, Papa Françesku, Kardinal Ernesti dhe Qiriri, është dhe frymë e këtij libri, prandaj dhe është vënë në kopertinën e tij.

Falënderojmë editorinë “Paoline” për librat e mrekullueshëm që na jep dhe shkrimtarin Mimmo Muolo, që shkruan aq shumë për shqiptarët.

Zbritëm si turmë nga Golgota jonë, të ringjallur. Shqiptarët i kthyen sërisht sytë nga shpresa dhe Zoti. Dyert, që ia kishte mbyllur diktatura Shenjtes Nënë Tereza, ia hapën bashkë me zemrat. Dhe po vazhdojnë rrugën europiane drejt ëndrrë së tyre.

Dhe mes nesh kemi Kardinalin e ri, dhuratë nga Papa Françesku, edhe si një dëmshpërblim i vuajtjeve tona. Gëzimi i ngjan një feste.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama e përqafoi Kardinalin tonë me po atë dashuri, si biri Atin.

Ne, në këtë Jubile të Mëshirës, festuam dhe 25 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, ndërsa lidhjet e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë janë shekullore.

Na prijnë martirët në rrugën e paqes dhe dritës.

Visar Zhiti

Kontrolle paraprake dhe 5 euro për të hyrë në Evropë pa vizë

“Mamma Italia, perché non mi vuoi bene?”. Lettera di una bimba senza cittadinanza