Italia, bashkësi njerëzish dhe vlerash
Një dokument themelor, madje themeltar. Me parime që përtërijnë, më shumë se përsërisin, dimensionin e një Italie multietnike ku bashkëjetesa nuk mund të kuptohet pa bashkëndarjen e vlerave. Të përmbledhura në një dokument që i ngjan një manifesti të drejtash por edhe detyrash.
Është Karta e Vlerave, e përpiluar nën kujdesin e Ministrit të Brendshëm Giuliano Amato, nga një komitet shkencor i cili është konsultuar me dhjetëra përfaqësi apo organizime të të huajve.
Italia është një nga vendet më të vjetra në Evropë, e themeluar mbi kulturën klasike të Greqisë së lashtë dhe të Romës. Ajo është zhvilluar në universin e krishterë dhe ka mbrujtur historinë e saj së bashku me hebraizmin, ka kontribuar në çeljen e rrugës drejt modernitetit dhe parimeve të lirisë dhe të drejtësisë.
Vlerat mbi të cilat ngrihet shoqëria italiane janë fryt i përkushtimit të brezave burrash dhe grash të orientimeve të ndryshme, laikë dhe fetarë, dhe janë të shkruara në Kushtetutën demokratike të 1947-ës. Kushtetuta përfaqëson ndarjen epokale me totalitarizmi dhe antisemitizmin që kanë shkatërruar Evropën e shekullit të XX duke përndjekur popullin çifut dhe kulturën e tij.
Kushtetuta bazohet në respektin e dinjitetit njerëzor dhe frymëzohet nga parimet e lirisë dhe të barazisë që vlejnë për këdo që gjendet në territorin italian. Duke u nisur nga kushtetuta Italia ka marrë pjesë në ndërtimin e Evropës së Bashkuar dhe institucioneve të saj. Traktate dhe konventat evropiane kontribuojnë në realizmin e një rendi ndërkombëtar të bazuar në të drejtat e njeriut, në barazinë dhe solidaritetin ndërmjet popujve.
Pozita gjeografike e Italisë, tradita hebraiko-e krishterë, institucionet e lira dhe demokratike që e qeverisin, qëndrojnë në bazë të prirjes së saj për të mikpritur popujt e tjerë. E zhytur në Mesdhé Italia ka qenë gjithmonë udhëkryq popujsh dhe kulturash të ndryshme dhe popullsia e saj paraqet ende shenja të kësaj larushie.
Gjithçka që përbën pasurinë e Italisë, bukuritë e saj artistike dhe natyrale, resurset ekonomike dhe kulturore, institucionet e saj demokratike janë në shërbim të burrave, grave, të rinjve, dhe brezave të ardhshëm. Karta jonë kushtetuese mbron dhe inkurajon të drejtat njerëzore të patjetërsueshme për të përkrahur më të dobëtit, për të garantuar zhvillimin e aftësive dhe prirjeve në punë, në drejtimin moral, shpirtëror të çdo individi.
Dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe detyrat
1. Italia angazhohet që çdo individ të gëzojë të drejtat themelore që në momentin e parë kur ai gjendet në truallin italian, pa dallim gjinie, etnie, feje, kushtesh shoqërore. Në të njëjtën kohë, çdo individ që jeton në Itali duhet të respektojë vlerat mbi të cilat bazohet shoqëria, të drejtat e të tjerëve, të drejtat e solidaritetit të kërkuara me ligj. Sipas kushteve të parashikuara me ligj, Italia ofron azil dhe mbrojtje atyre që në vendet e tyre janë të përndjekur ose të penguar në gëzimin e lirive themelore.
2. Duke parashikuar barazinë e të drejtave dhe detyrave për të gjithë, ligji ofron mbështetje për ata që pësojnë diskriminime, ose që jetojnë në kushte të pafavorshme, veçanërisht grave dhe të miturve, duke eliminuar pengesat që nuk lejojnë zhvillimin e plotë të individit.
3. Të drejtat e lirisë, të drejtat sociale, që rendi ynë ligjor ka formësuar gjatë një procesi të gjatë kohor, duhet të përfshijnë të gjithë emigrantët. Garantohet e drejta e jetës që nga fillimi i saj deri në momentin e mbarimit natyral, dhe e drejta e shëndetit dhe mjekimet falas nëse nevojiten; një mbrojtje e veçantë parashikohet për nënat dhe të miturit. E drejta për arsim njihet si mjet i domosdoshëm për rritjen personale dhe futjen e individit në shoqëri
4. Burri dhe gruaja kanë dinjitet të barabartë dhe gëzojnë të njëjtat të drejta brenda dhe jashtë familjes. Burrave dhe grave, emigrantëve të rinj Italia u ofron një proces integrimi që respekton të dinjitetit të gjithsecilit, dhe që të lejojë ata që vendosin të jetojnë në Itali, të marrin pjesë aktivisht në jetën shoqërore.
5. Imigranti, sipas kushteve të parashikuara me ligj mund të marrë shtetësinë italiane. Për të marrë shtetësinë italiane në afatin e përcaktuar me ligj nevojitet njohja e gjuhës italiane dhe e temave thelbësore të historisë dhe kulturës italiane, dhe të pranohen parimet mbi të cilat bazohet kjo shoqëri. Të jetohet në të njëjtin truall do të thotë të jepet mundësia për të qenë plotësisht qytetarë së bashku dhe të përvetësohen me ndershmëri dhe korrektesë vlerat dhe përgjegjësitë e përbashkëta.
Të drejtat sociale. Puna dhe shëndeti
6. Italia mbron dhe inkurajon punën në të gjitha shprehjet e saj dënon dhe lufton çdo lloj shfrytëzimi njerëzor, në mënyrë të veçantë atë të grave dhe fëmijëve. Puna favorizon zhvillimin e individit dhe vënien në praktikë të prirjeve dhe aftësive të tij të natyrshme.
7. Imigranti, si çdo qytetar italian, ka të drejtë të marrë një shpërblim të mjaftueshëm për punën e zhvilluar, t’i derdhen kontributet e shëndetit dhe sigurimet shoqërore, tu garantohet mbështetja financiare në rast sëmundjeje ose aksidenti, dhe në moshë të kaluar, siç përcakton ligji. Çdo veprimtari pune duhet zhvilluar në kushte sigurie për shëndetin dhe integritetin e individit.
8. Kushdo qoftë viktimë e ngacmimeve, diskriminimeve, ose shfrytëzimi, në vendin e punës mund t’u drejtohet autoriteteve zyrtare, organizatave sindikaliste, sociale dhe asistenciale, për të bërë që t’i respektohen të drejtat dhe që të mund të zhvillojë detyrat e veta në mënyrë respektuese për dinjitetin njerëzor.
9. Shtetasit italianë dhe të imigruarit kanë të drejtë të mjekohen në qendrat shtetërore. Trajtimet shëndetësore zhvillohen duke respektuar vullnetin e individit, dinjitetin e tij dhe duke pasur parasysh ndjeshmërinë e gjithsecilit. Ndëshkohet çdo gjymtim i trupit, që nuk është i detyrueshëm për arsye mjekësore, cilido që ta shkaktojë atë.
10. Italia angazhohet që të gjithë të kenë mundësi të gëzojnë një banesë të përshtatshme sipas nevojave të familjes dhe me kosto të arsyeshme. Kushdo që gjendet në gjendje nevoje ose që është i detyruar të përballet me kosto tepër të lartë për banesën e vet, mund t’u drejtohet autoriteteve shtetërore ose shoqatave sindikaliste për të marrë ndihmë dhe për t’iu respektuar të drejtat.
Të drejtat Sociale. Shkolla, arsimi, informimi
11. Fëmijët gëzojnë të drejtën dhe e kanë për detyrë të ndjekin shkollën e detyrueshme, për të hyrë në shoqëri me të drejta të barabarta dhe për tu bërë pjesë aktive e saj. Është detyrë e çdo prindi, italian apo të huaj, të përkrahë arsimimin e fëmijëve, pikësëpari duke i regjistruar në shkollën e detyrueshme, që fillon me shkollën fillore dhe mbaron në moshën 16 vjeç.
12. Arsimimi ka për qëllim edukimin e individit dhe të stimulojë njohjen e të drejtave themelore, dhe respektin e ligjit, formimin e marrëdhënieve miqësore mes njerëzve, respektin dhe dashamirësinë ndaj çdo forme jete që ekziston. Për të stimuluar përvetësimin e këtyre vlerave, shkolla parashikon programe për njohjen e historisë, të kulturës, dhe të parimeve të traditës italiane dhe evropiane. Për një arsimim të përshtatshëm ndaj pluralizmit të shoqërisë është gjithashtu e nevojshme nga pikëpamja ndërkulturore, të përkrahet njohja e kulturës dhe e fesë që i përkasin fëmijët dhe familjet e tyre.
13. Shkolla përkrah njohjen dhe integrimin mes të gjithë fëmijëve, kalimin e paragjykimeve, rritjen e përbashkët të të rinjve duke shmangur ndarje dhe diskriminime. Mësimdhënia duhet të respektojë bindjet fetare dhe sociale të fëmijëve dhe familjeve të tyre, dhe në kushte të veçanta parashikohen kurse mësimdhëniesh fetare të zgjedhura lirshëm nga nxënësit ose prindërit e tyre.
14. Sipas të njëjtave parime, edhe mjetet e komunikimit duhet të favorizojnë njohjen e emigrimit, të përbërësve të tij kulturore dhe fetare, duke iu kundërvënë paragjykimeve dhe ksenofobive. Ato kanë një rol thelbësor për të përhapur një shumëllojshmëri kulturore që të respektojë traditat dhe vlerat themelore të shoqërisë italiane.
15. U garantohet enteve private të ndërtojnë shkolla ose kurse shkollore, nëse nuk diskriminojnë nxënësit për arsye etnie ose fetare, dhe nëse sigurojnë një mësimdhënie në mbarëvajtje me parimet e përgjithshme të mësimdhënies dhe respektimin e të drejtave njerëzore. Çdo lloj mësimdhënieje, qoftë në entet shtetërore qoftë në ato private, duhet të respektojë bindjet e gjithsecilit dhe të mundohet t’i afrojë njerëzit e jo t’i largojë ata.
Familja, brezat e rinj
16. Italia njeh të drejtat e familjes, si shoqëri natyrore e bazuar në martesë, dhe e trajton edukimin familjar si të nevojshëm për rritjen e brezave të rinj.
17. Martesa bazohet në barazinë e të drejtave dhe përgjegjësive ndërmjet bashkëshortëve, dhe është për këtë arsye një strukturë monogamike. Monogamia bashkon dy jetë dhe i bën ato të bashkëpërgjegjshme për atë që krijojnë së bashku, duke filluar që nga rritja e fëmijëve. Italia ndalon poligaminë si në kundërshtim me të drejtat e grave, në bazë të parimeve të pohuara nga institucionet evropiane.
18. Rendi ligjor italian ndalon çdo lloj ushtrimi dhune brenda dhe jashtë familjes, dhe mbron dinjitetin e gruas në të gjitha aspektet e tij, dhe në çdo moment të jetës shoqërore. Parimi bazë i bashkimit bashkëshortor është liria martesore që u përket të rinjve dhe sjell ndalimin e dhunës ose të martesave të detyruara, ose ndërmjet fëmijëve.
19. Italia mbron lirinë e të miturve në zhvillimin e personalitetit të tyre, që realizohet edhe në kontaktet me të rinj të tjerë dhe në pjesëmarrjen në veprimtari shoqërore. Parimi i barazisë nuk pajtohet me prirjet për të ndarë njerëzit sipas kritereve të përkatësisë profesionale, të gjinisë në burra e gra, të rinj e të reja, në shërbimet publike dhe në kryerjen e veprimtarive të punës.
Laiciteti dhe liria fetare
20. Italia është një vend laik që bazohet në lirinë e plotë fetare individuale dhe kolektive. Liria fetare i njihet ço individi, nënshtetasi italian ose të huaj, dhe komuniteteve fetare. Feja dhe bindjet në përgjithësi nuk mund të jenë arsye për diskriminim në jetën shoqërore.
21. Të gjitha besimet fetare janë njësoj të lira përpara ligjit. Shteti laik njeh ndihmesën pozitive që fetë kanë për shoqërinë dhe synon të vlerësojë pasurinë morale dhe shpirtërore të secilës prej tyre. Italia favorizon dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor për të rritur respektin për dinjitetin njerëzor, dhe për të ndihmuar në luftimin e paragjykimeve dhe të mostolerancës. Kushtetuta parashikon marrëveshje ndërmjet shtetit dhe besimeve fetare për të rregulluar kushtet e veçanta juridike të tyre.
22. Parimet e lirisë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të dhunohen në emër të asnjë feje. Përjashtohet çdo lloj dhune, ose shtyrje drejt dhunës që ka motive fetare. Ligji civil dhe penal është i barabartë për të gjithë pa dallim feje, dhe juridiksioni gjyqësor është i vetëm dhe i njëjtë për të gjithë ata që ndodhen në territorin italian.
23. Liria e fesë dhe e besimit përfshin të drejtën për të pasur një besim fetar, ose për të mos e pasur, për ta praktikuar ose jo, për të ndërruar fé, për ta përhapur duke ua predikuar të tjerëve, dhe për tu bashkuar në organizata besimtare. Garantohet plotësisht liria e besimit, dhe kushdo mund të ndjekë parimet e veta fetare nëse këto të fundit nuk bien në kundërshtim me normat penale dhe me të drejtat e të tjerëve.
24. Rendi ligjor italian mbron lirinë e hulumtimit, të kritikës, dhe të diskutimit edhe për çështjet fetare, dhe ndalon fyerjen ndaj fesë dhe ndjenjës fetare të individëve. Për ligjin e shtetit, ndryshmëria në fè dhe në bindje nuk përbën pengesë për celebrimin e martesës.
25. Duke u nisur nga tradita e vet fetare dhe kulturore, Italia respekton simbolet, dhe shenjat e të gjitha feve. Askush nuk mund të quhet i fyer nga shenjat dhe simbolet e feve të tjera. Siç përcaktojnë Kartat ndërkombëtare, duhen edukuar të rinjtë për të respektuar bindjet fetare të të tjerëve, pa i parë ato si faktorë për ndarje dhe dallime ndërmjet qenieve njerëzore.
26. Në Itali nuk vendosen kufizime për veshjen e individit, nëse kjo e fundit zgjidhet lirisht nga ai vetë, dhe nëse nuk dëmton dinjitetin e tij. Nuk pranohen lloje veshjesh që mbulojnë fytyrën sepse kjo pengon njohjen e individit dhe bëhet pengesë për krijimin e marrëdhënieve me të tjerët.
Angazhimi ndërkombëtar i Italisë
27. Në pajtim me këto parime Italia zhvillon në botë një politikë paqeje dhe respekti për të gjithë popujt, për të përkrahur bashkëjetesën ndërmjet kombeve për të mposhtur luftën dhe terrorizmin.
28. Italia ndëshkon luftën si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare, armët e shkatërrimit në masë, dhe çdo lloj torture ose ndëshkimi përçudnues për dinjitetin njerëzor. Ajo ndëshkon antisemitizmin, që shkaktoi gjenocidin e popullit hebraik, dhe çdo prirje raciste që synon të përçajë njerëzit dhe të poshtërojë më të dobëtit. Italia ndëshkon të gjitha shfaqjet e ksenofobisë që shprehen herë pas here nëpërmjet islamofobisë ose paragjykimeve kundrejt popujve që vijnë nga anë të ndryshme të botës.
29. Së bashku me vende të tjera evropiane, Italia ka shfuqizuar dënimin me vdekje dhe është e angazhuar në nivel ndërkombëtar për shfuqizimin e tij edhe në vende të tjera në botë. Shfuqizimi i ndëshkimit me vdekje përbën një objektiv qytetërimi që bën të mundur që respekti i jetës të fitojë mbi shpirtin e hakmarrjes.
30. Italia është zotuar për zgjidhjen paqësore të krizave kryesore ndërkombëtare, veçanërisht konflikti izraeliano-palestinez që zgjat prej shumë vitesh. Italia është angazhuar gjithmonë për të gjetur një zgjidhje që të mundësojë bashkëjetesën ndërmjet popujve në rajon, para së gjithash ndërmjet izraelianëve dhe palestinezëve, në formimin e dy shteteve demokratike
31. Së bashku me vendet e tjera evropiane, Italia vepron në nivel ndërkombëtar për të përkrahur kudo zhvillimin e të drejtave të njeriut, dhe për të lehtësuar afirmimin e demokracisë politike, si formë shteti, dhe lejon pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje të çështjes publike dhe rritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.
Përkthimi “Shqiptari i Italisë”