Cooordinamento Migranti i krahinës Emilia Romagna denoncon praktikat e këqija të kuesturave që u komplikojnë jetën imigrantëve
Bolonjë, 16 dhjetor 2015 – Youssefit i kanë hequr kartën e qëndrimit, Mohammedi ka punë por i kanë dhënë një lejeqëndrim për pritje punësimi, lejeqëndrimi i Bazirit është i bllokuar në kuesturë prej dy vjetësh.
Emrat janë të trilluar, por ato që kanë hequr janë të vërteta e i vuajnë në kurriz edhe shumë imigrantë të tjerë që u duhet të përballen me interpretimet shtrënguese të ligjit nga Kuesturat e Emilia Romagnas, e kushedi në sa krahina të tjera. Të gjitha këto sjellin në të njëjtin përfundim: të jesh immigrant i rregullt bëhet përditë e më e vështirë.
Kundër këtyre padrejtësive e ngre zërin prej kohësh Coordinamento Migranti, që në fillim të nëntorit doli në shesh kundër këtyre praktikave të kuesturave. Tani, përballë heshtjes së institucioneve dhe mos-hapjes së një tryeze për diskutimin e problemeve, ka vendosur të mbledhë të gjitha rastet ekstreme për t’ia bërë të njohura publikut.
Është ai i Mohammedit, për shembull, që si shumë imigrantë të tjerë ka në xhep një kontratë pune të përkohshme. “Si e tillë, ama, i jep të drejtën e një lejeqëndrimi për punë deri në një vit. E Kuestura e Modenës ç’bën? I jep një leje qëndrimi për pritje punësimi, për të mos i dhënë më asgjë kur kontrata e tij të përfundojë e ai të mos i duhet më kooperativës që sot eshfrytëzon”.
Hassan vitin e shkuar kërkoi kartën e qëndrimit në Piacenza. Përmbushte të gjitha kriteret e kishte edhe një kontratë pune të përhershme. Por tani ka humbur vendin e punës e sigurinë për të ardhmen e tij në Itali. “Kuestura – thonë nga Coordinamento Migranti – ka mbajtur pezull praktikën vetëm e vetëm për t’i hapur probleme Hassanit dhe kemi frikë se do t’ia refuzojë kërkesën. Kërkon të bazohet mbi statusin actual të Hassanit, duke mos marrë parasysh që në çastin e paraqitjes së kërkesës i mbushte të gjitha kushtet”.
Është rasti i Hicham-it, që e ka akoma punën e të ardhurat e të gjitha dokumentet e tjera në rregull. Ka kërkuar përtëritjen e lejes së qëndrimit në mars në Bolonjë, sipas ligjit duhet t’i përgjigjeshin brenda 60 ditëve, por është akoma në pritje. E ndërkaq? “Duhet të marrë leje në punë për të shkuar në Kuesturë për të ditur ç’bëhet me praktikën e tij. – e bën vetë se nuk do të paguajë edhe një avokat – Por çfarë i përgjigjen? Ngrenë supet me indiferencë. Nëse një ditë kuestura do t’ia japë lejen e qëndrimit, do të jetë e skaduar, e kështu odiseja e tij do të nisë nga e para”.
Edhe Bazir ka lejen e qëndrimit të bllokuar në Kuesturë, atë të Riminit, prej dy vjetësh. Si shumë të tjerë në atë zonë, nuk arrin të marrë lejen sepse në të shkuarën ka qenë shitës ambulant. “Edhe pse sot Bazir ka punë me kontratë të rregullt, llogaritja e të ardhurave dhe e kontributeve të derdhura përdoret sipas dëshirës nga Kuestura vetëm e vetëm për të mos i lejuar qëndrimin në Rimini e provincë”.
Youssef kishte prej 5 vjetësh kartën e qëndrimit, që duhet të ishte e përhershme, por për ta pasur edhe si dokument i dentiteti kërkoi përditësimin e fotove. “Duhet të ishte një formalitet i thjeshtë, aq më shumë që Youssef plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për të mbajtur kartën. Por në Kuesturën e Modenës, formalitetet nuk nënvlerësohen asnjëherë dhe ja që pas një pritjeje të gjatë Youssef shkon në Zyrën e imigracionit i bindur se do të tërhiqte kartën të përditësuar por i japing një lejeqëndrim për vetëm një vit! Si është e mundur? Aq më tepër që ka vendime të gjykatës TAR të Lombardisë që thonë se të huajve nuk mund t’u hiqet karta e qëndrimit”.
Coordinamento Migranti flet ironikisht për “keqkuptime” ose më seriozisht për “praktika të këqija administrative që kanë për qëllim të kthejnë migrantët në persona që mund të nëpërkëmben lehtësisht nga punëdhënësit”. Thotë gjithashtu se situata të tilla nuk janë raste të izoluara dhe të rralla ndaj u kërkonprefektëve, kuestorëve dhe nënkryetares së krahinës, Elisabetta Gualmini të hapë një diskutim për sqarimin e situatës.
Në fund të çdo sinjalizimi, një këshillë dhe një premtim. “Mendojeni, por jo shumë gjatë… sepse, nëse doni migrantët të urtë e të ndrojtur, ta dini që nuk do t’ju lëmë rehat!”.
Elvio Pasca