in

“Këndi mesdhetar” i Alfred Milot Mirashit zbret në Sirakuzë

 

Sipas Alfred Milot Mirashit, piktura e tij është një lloj identiteti mesdhetar. Ajo çka e dallon Milotin, është përcjellja përmes kuadrove të tij të traditave të popullit shqiptar, ai interpreton pjesën më të bukur të artit mesdhetar, grek dhe romak sipas këndvështrimit të tij personal.

Sot artisti shqiptar ekspozon në Sirakuzë, në ekspozitën “Neoiconoduli – Figurazione internacionale complessa” e hapur në galerinë Bellomo nga data 23 prill deri më datë 20 qershor, krah dhjetëra artistëve bashkëkohorë italianë e të huaj

Nga Cezarin Toma

Në ekspozitën “Neoiconoduli – Figurazione internacionale complessa” e hapur në galerinë Bellomo nga data 23 prill deri më datë 20 qershor, nën kujdesin e kritikut të artit Carmelo Strano, me mbështetjen e Krahinës së Sicilisë, të Departamentit të Monumenteve të kulturës dhe të Identitetit sicilian, mes veprave të dhjetëra artistëve bashkëkohorë italianë e të huaj, mund të gjeni edhe “Angolo mediterraneo” (misto su tela cm 190x 180) të artistit shqiptar Alfred Milot Mirashin.

Titulli i ekspozitës, Neoiconoduli frymëzohet nga lufta e epokës së krishterë-bizantine, mes adhuruesve, mbrojtësve të ikonave (Iconoduli) dhe ikonathyesve (Iconoclasti). Sipas kritikut Carmelo Strano, ky evenimet, “është një emërues i përbashkët i fortë, që i bën “vëllezër” artistët në këtë ekspozitë, të cilët janë mbajtësit, ndër të tjera të shenjave kulturore të vendeve dhe zonave të tyre gjeografike prej nga vijnë. Gjithsecili prej tyre sjell në punimet e veta një copë tokë me poezi, filozofinë e artit të vet”.

Ekspozita Neoiconoduli, një eveniment ndërkombëtar, mbahet në Muzeun më të njohur e të rëndësishëm të Sicilisë, në pallatin Bellomo, strukturë kjo e ndërtuar që në fillim të shek. XIII-XIV, që përmban veprat e artit mesjetar dhe modern të ishullit. Këtu mund të kujtojmë veprat e piktorëve me famë si ajo në sallën numër 5 të pallatit “Annunciazione” të Antonello da Messina dhe ajo e sallës numër 6 ku ndodhet “Il seppellimento di Santa Lucia” i Michelangelo Merisi (i njohur si Caravaggio) që mund të quhet dhe vepra e parë siciliane e Caravaggios e realizuar prej tij.

Në këtë eveniment artisti shqiptar Alfred Milot Mirashi merr pjesë me pikturën “Angolo mediterraneo” Në kontekstin e përgjithshëm piktura paraqet frymëzimin e tij mes kulturës klasike dhe asaj moderne, bashkëkohore mesdhetare. Frymëzim ky që nuk kushtëzohet nga figurimet, por nëpërmjet formash të kokave të heshtura sikur të ishin të grisura nga mitet e vjetra greke, sikur artisti është duke sjellë në dritë një Mesdhe, prej kohësh të mbuluar nën tokë.

Në fakt një vlerësim të tillë plot entuziazëm për talentin e artistit shqiptar Milot e ka bërë edhe ish Kryetari i Bashkisë të Napolit, ish përgjegjës i Departamentit të kulturës së Napolit, Rachele Furfaro duke folur për talentin dhe punimet e artistit shqiptar, shprehet duke nënvizuar se “në pikturën e tij gjejmë një kërkim piktoresk të pasur, me subjekte shprehëse të një ndërthurjeje njollash dhe shenjash. Një shumëllojshmëri të gjallë dhe të lirë me elemente kromatike, ku arti dhe jeta kanë vetëm një emër: liri dhe identitet në qytetërimin aktual të Mesdheut”.

Punimet e Milot-it konfirmojnë një ndër parimet e artit bashkëkohor: “ta përtërij pikturën me mjetet e pikturës”, nëpërmjet një gjuhe e cila duhet të shprehet e lirë, dhe me çdo kusht, e çliruar nga kufizimet e imazheve apo entuziazmi teknologjik. Pikërisht duke u bazuar tek fjala “liri” në pikturën, ashtu si në skulpturën e Milotit, pa dalë jashtë teknikave të tij, shohim në periudhën e fundit një pasurim më shumë, duke vendosur “Çelësin” si simbol lirie.

Piktura e artistit është ndjekur dhe vlerësuar nga kritikë të shumtë të artit figurativ, mes të cilëve mund të përmendim Francesco Polli në kritikën “ Piktura Mesdhetare e Milotit”, Massimo Sgroi “Afërditat e Milotit: Nga Miti tek Arkitektura e Entropisë”, Eduardo Cicelyn “Lindja e Piktorit”, Paolo Thea “Shpata e Skënderbeut qëllon sërish në Napoli”, Francesco Gallo “Piktura e Milotit”, Massimo Guastella “Gjuha e Milotit” etj.

Paraqitja në këtë eveniment ndërkombëtar, do të thotë diçka më tepër në pikturën e artistit. Aty shpalosen kultura, folklori, traditat dhe zakonet shqiptare nëpërmjet figuracionit të miteve dhe ngjyrave. Ashtu si na kujton artisti Milot, “Në pikturën time vlen të theksohet origjinaliteti. Që nga fëmijëria ime, mundohesha të gjeja origjinalitetin kur shikoja nënën time duke bërë triko e deri tek veshjet popullore të burrave dhe të grave shqiptare në jetën e përditshme, te kombinacioni i ngjyrave i këtyre veshjeve”.

Këtë mishërim mes punimeve të pikturave të tija dhe kulturës shqiptare, ai e ndien më tepër që në çastet e para në kontakt me qytetin e artit, Firencen. Këtu ai do të njihet me pikturat dhe skulpturat e autorëve më të mëdhenj të kohërave si: Leonardo Da Vinci, Michelangelo Buonarroti dhe Sandro Botticelli. Nga ky i fundit do të marrë frymëzimin për veprën e tij “Venere di Milot” (Afërdita e Milot-it ), që artistit shqiptar do t’i japë famë ndërkombëtare. Falë edhe këtij qyteti artisti i dedikohet më shumë pasionit të tij duke punuar si piktor pikërisht pranë veprave e këtyre artistëve të mëdhenj.

Kush është Miloti

41-vjeçari Alfred Milot Mirashi ka lindur në Milot në verilindje të Shqipërisë, madje emrin e vendlindjes së tij ka zgjedhur edhe si emër arti. Që në fëmijëri pasioni për artin e aq më tepër shpirti i tij artistik e shtyn Alfredin, në dinamizmin e tij, të gjejë rrugë të reja drejt një vendi të ri, drejt Italisë, vendi që me kohë do të bëhet dhe një shtëpi e dytë për artistin. Në fillim të marsit 1991 Alfredi akoma i ri, ashtu si mijëra të tjerë niset nga porti i Durrësit për të zbarkuar në atë të Brindisit të Italisë.

Nga ky moment i zbritjes, me sakrifica, me ato momente rrëqethëse gjatë udhëtimit ashtu sikur vetë artisti shumë herë na kujton në intervistat e tij, “një udhëtim mes jetës dhe vdekjes, mes dëshirës në kërkim për një jetë më të mirë dhe në të njëjtën kohë një dhimbje nga largimi i vendit të lindjes, familjes dhe të afërmve”.

Për artistin e ri aventurat dhe sakrificat nuk do të përfundojnë me udhëtimin, por do të vazhdojnë me gjetjen e një strehimi e të punëve të ndryshme fillimisht e deri në stabilizimin e tij edhe falë edhe bujarisë të familjeve italiane Ferraro e Bianco Alfredi.

Nëpërmjet mundësive të ndryshme siç thotë vetë artisti “gjëja më e parë që kam besuar gjithnjë kanë qenë mendimet dhe forcat e mia, në fillim nuk dija asnjë një fjalë në italisht, madje as fjalën “mirëdita”, kam punuar kudo, studioja dhe ndihmoja edhe familjen. Por ajo që më ka ndihmuar më tepër në këto situata ka qenë ndihma e Zotit dhe edukata familjare për të jetuar në mënyrë të ndershme edhe pse profesioni im është një rrugë e vështirë, por ne shqiptarët jemi të fortë. Kuptohet jam krenar për virtytet që kemi trashëguar ne si shqiptarë”.

familja-mirashi.gifShprehet i kënaqur për jetën e tij familjare. Jeton në Firence, në qytetin e artit si artist me pikturat e tija, me gruan Albina Shkreli dhe djalin e tij trevjeçar Gerard Mirashi, që sapo ka filluar të flasë shqip, gjuhën e babait dhe të nënës së tij edhe pse jeton larg nga Shqipëria.

Ajo që vlen të theksohet më tepër është rryma dhe fryma e teknikës që ndjek artisti në punimet e tij. Sipas kritikëve të artit duket se në punimet e Milotit përzihen stilet e pikturës ekspresioniste më të fundit, ku një peshë të rëndësishme ka Transavanguardia me mësimet e Dadaizmit të vjetër e të ri dhe në gjithë këtë ndihet ndikimi mbrojtës e mësimeve të Mimmo Paladinos.

Sipas artistit: “piktura ime është një lloj identiteti mesdhetar”. Ajo çka e dallon Milotin, është përcjellja përmes kuadrove të tij të traditave të popullit shqiptar, ai interpreton pjesën më të bukur të artit mesdhetar, grek dhe romak sipas këndvështrimit të tij personal.

Vlerat dhe afirmimin si artist të Milotit i shohim që në vitet e para të akademisë së Brerës në Milano. Në vitin 1997 fiton një bursë studimi Socrates Erasmus në Universiten e Art & Design Loughborough, të Anglisë.

Pas shumë çmimeve, ekspozitave të njëpasnjëshme dhe punimeve të ndryshme të suksesshme, në vitin 1999 artisti do të fitojë çmimin e parë mes pesë mijë studenteve duke marrë pjesë me pikturat e tij në muzeun e përhershëm të Milanos. Në vitin 2003 në Muzeun Maschio Angionino të Napolit ai hap ekspozitën e tij personale me titull “Le Veneri di Milot” (Afërditat e Milotit).

Ndër vite ekspozon në shumë galleri arti, në qytete si Roma, Catania, Berlin, New york , në vitin 2009, edhe në bienalen e Pragës etj .

Në fillim të vitit 2010 merr pjesë në një ndër evenimentet më mëdha në Itali me punime fotografike “Migranti dal passato al presente: storie, volti e voci di Puglia. Lecce, Brindisi, Taranto, Bari, Foggia e Torino” bashkë me artistët e tjerë shqiptarë Adrian Paci, Parlind Prelashi, Artan Shabani. Po këtë vit merr pjesë edhe në ekspozitën “Pushimi i Sirenave” në qytezën Marina di Camerota (Salerno) me skulpturën me titull “ Venere di Milot” (Afërdita e Milotit).

Nga Çezarin Toma

 

bellomo_mostra_aprile.gif“Neoiconoduli – Figurazione internazionale complessa”
Arti bashkëkohor në Bellomo, nën kujdesin e Carmelo Strano

Ekspozita e hapur nga 23 prilli deri më 20 qershor 2010, ora 9-19

Galleria Bellomo

via Capodieci, Siracusa

hyrja falas

 

 

 

Porti Cittadini. Culture in Crescita tra Italia e Albania

Çfarë ndodh në kokën e një tifozi