in

Kërkohen në Korçë eshtrat e ushtarëve italianë të vrarë në Luftën II botërore

Tiranë, 27 shtator 2010 – Një grup me 27 italianë kanë nisur sot në kodrat e Shën Thanasit mbi qytetin e Korçës kërkimet për eshtrat e ushtarëve italianë, që janë vrarë në rrethinat e Korçës dhe të Pogradecit gjatë luftës italo-greke të vitit 1940.

Drejtuesit e këtij grupi u takuan sot me përfaqësues të kishës ortodokse në Korçë për të marrë leje për gërmime edhe në oborrin e kësaj kishe, ku mendohet se janë varrosur disa ushtarë italianë të vrarë. 
Ekspeditën e kryeson prof. Barbarini, që ka me vete harta dhe skica për varret e të vrarëve. Prof. Barbarini thotë për ATSh-në se “ekspedita në fillim do të përcaktojë vendndodhjet e varreve dhe më pas do të bëjë gërmimet dhe mbledhjen e eshtrave”.

Santi Stracuci, 71 vjeç nga Sicilia, thotë se, ka qenë vetëm një vjeç kur iu vra i ati, që shërbente në një brigatë artilerie të ushtrisë italiane dhe ngjarjet i ka mësuar nga dajoja i tij, që ishte gjithashtu ushtar në luftën italo-greke në vitin 1940 në Pogradec dhe në Korçë, por që i mbijetoi luftës. “Asnjëherë nuk është vonë dhe e pamundur, për të gjetur eshtrat e babait, pasi është detyrim gjaku dhe detyrim njerëzor që të prehet në atdheun e tij”, shprehet Stracuçi.

Ushtarë italianë të vrarë dhe të varrosur gjatë luftës italo-greke në vitin 1940 ka edhe në mjaft fshatra të tjera të rretheve Korçë dhe Pogradec ku janë zhvilluar luftime.

Një ditë më parë, kjo ekspeditë bëri kërkime në rrethinat pranë kalasë së Pogradecit, ku ishte edhe atasheu ushtarak i Ambasadës italiane në Tiranë.

Sanatoria. “Në Milano me qindra të mashtruar”

Emigrantët dhe bankat: 1,5 milionë llogari bankare