Pas videos #icebucketchallenge me të cilën “zhgënjen” ndonjë admiruese që priste ta shihte të hidhte në kokë kovën e ujit të ftohtë, sot vë on line kopjen e kontributit të tij për SLA. Plot 500 euro. Kledi: “Nuk është gjë e bukur të tregosh sa ndihmon, por në këtë rast ia vlen. Për të mbyllur gojët e liga e për të nxitur qoftë edhe një njeri më shumë të japë kontributin e vet në luftën kundër SLA”
Romë, 27 gusht 2014 – “Një kovë ujë të ftohtë në kokë?”. “Jo faleminderit. Unë do të jap kontribut konkret”. Dhe dhuron plot 500 euro.
Kështu iu përgjigj pak a shumë Kledi Kadiu sfidës së njohur tashmë me hashtagun #icebucketchallenge, me të cilën deri më sot mijëra e mijëra persona kanë hedhur kovën e ujit të ngrirë në kokë për të postuar më pas videon në profilet e tyre në rrjetet sociale. Gjesti i lidhur me një kauzë fisnike, është një sfidë në mbështetje e ALS Association, organizatë jo fitimprurëse që lufton sklerozën laterale amiotrofike (SLA) sëmundje degjenerative që godet të rinj, veçanërisht sportistë. Sfida ka vetëm një rregull relativisht të lehtë: ose paguaj të paktën 100 dollarë në llogari të ALS Association, ose hidh një kovë ujë me akull në kokë.
Mori pjesë në këtë sfidë para disa ditësh edhe balerini i njohur shqiptar, por që ndryshe nga të tjerët para tij, në videon që postoi nuk lagej kokë e këmbë me kovën e ujit: “Nëse prisni që të hedh ujin e ngrirë në kokë, kjo nuk do të ndodhë. Do të bëj diçka me vlerë konkrete” thonte në video duke treguar në mënyrë simbolike një çek për ASL Association e sfidoi të gjithë të vepronin si ai e jo të përfitonin nga kauza e mirë për t’u vënë në dukje për pak minuta.
Videoja, në përgjithësi u pëlqye shumë: e kanë shpërndarë (nga profilet e tij dhe të programit Verissimo në rrjetet sociale) mbi 200 mijë vetë, e kanë pëlqyer mbi dhjetëra mijëra dhe është komentuar nga qindra e qindra persona. Shumica janë nga ata që i shprehin atij mirënjohje e respekt për zemërgjerësinë e tij dhe fjalët me vend. Por nuk munguan vërejtjet: “Edhe kjo është një mënyrë për t’i bërë publicitet vetes” apo “Nga ta dimë që ti nuk po bën si të tjerët? Flet e nuk jep gjë”.
Për këta të fundit, vlen të kujtohet se Kledi Kadiu e ka treguar edhe më parë ndjeshmërinë e tij ndaj kauzave sociale. Si ambasador i UNICEF-it apo si testimonial i AISM, shoqata italiane për luftën kundër sklerozës së shumëfishtë, për shembull.
Por fjalët e rënda e detyruan të botonte në profilin e tij facebook fotografinë e urdhër-xhirimit bankar në favor të www.alsa.org. Fillimisht pa shumën e parave. Mëse normale. Për ta thënë pak a shumë me fjalët e Papa Françeskut, “Një njeri i mirë di të japë. Jeta e tij është plot me akte zemërgjerësie, por pa bujë”. Edhe pse pjesa dërrmuese e komenteve që shoqëruan foton përgëzonin Kledin, gojët e liga vazhduan. E sot Kledi vë on line edhe pjesën tjetër të urdhërxhirimit bankar: 500 euro në favor të ASLA. “Nuk është gjë e bukur që të ndihmosh e të tregosh si e sa ndihmove. Nuk do ta kisha botuar shumën, por nuk durova dot më thashethemet që nisën e fyerjet që mora. – thotë Kledi Kadiu për shqiptariiitalise.com – Por nëse ndërhyrja ime nxiti qoftë edhe një njeri më shumë të japë kontributin e vet në luftën kundër SLA, jam shumë i kënaqur, pavarësisht të gjithave”.
E Kledi nuk është i vetmi që refuzoi publikisht sfidën e kovës së ujit, pa u tërhequr ama nga ofrimi i kontributit. Nga shtypi ditët e fundit mësohet se si ai kanë vepruar nga Barack Obama te Papa Francesku, nga Enrico Mentana te Jerry Calà, për të përmendur disa emra të njohur.
K.B. Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)