Tiranë 3 qershor 2011 – Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit i kërkoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tabelat përmbyllëse të rezultateve të KZAZ-ve të Tiranës, në kuadër të shqyrtimit të kërkesës ankimore të PS-së për rezultatin e kryetarit të bashkisë.
Trupa gjyqësore do të verifikojë nëse tabelat janë përmbyllur para 18 majit, ditës kur KQZ-ja miratoi në parim aktin normativ, në bazë të të cilit nisi dhe numërimi i votave të kontestuara, të hedhura në kutitë e gabuara. Ky akt normativ dhe ky veprim kundërshtohet nga opozita.
Seanca e sotme, e nisur rreth orës 10:30, fillimisht dëgjoi pretendimet e përfaqësuesve ligjorë të PS-së, të cilët i kërkuan trupës gjyqësore pavlefshmërinë e vendimit të KQZ të miratuar më 23 maj, si dhe anulimin e veprimeve administrative të KQZ-së.
gjatw paradites sw sotme, drejtoresha e zyrës juridike në KQZ, Dëshira Pasko, e kundërshtoi ankimimin e PS-së si “të pambështetur në ligj”.
Nga ana e tyre përfaqësuesit ligjorë të PD-së, mbrojtën aktin normativ të KQZ-së për numërimin e votave të kontestuara, pasi sipas tyre, duhet lexuar vullneti i çdo zgjedhësi, që shprehet në fletën e votimit.
Relator i kësaj çështje është caktuar me short gjyqtari i Kolegjit, Tom Ndreca.
Pas një ndërprerjeje gjatë drekës, seanca do të nisë në ora 17:00.