Mbërritja në 15:30. Pritje nga Rama, Veliaj e Bushati, pastaj tifozët në “Fan Zone”
Tiranë, 23 qershor 2016 – Tani që Evropiani ka përfunduar për përfaqësuesen kuqezi, ekipi e stafi kthehen sot pasdite në Shqipëri. Ata do të mbërrijnë në aeroportin e Rinasit në orën 15:30 ku do të pritet me ceremoni zyrtare. Më pas, autobusi i kuqezinjve do të niset drejt Tiranës dhe i gjithë rrugëtimi do të transmetohet LIVE.
Ndalesa e parë e tyre do të jetë Bashkia e Tiranës, ku ekipit kombëtar do t’i jepet çelësi i Bashkisë.
Në axhendë është parashikuar pritje edhe në ministrinë e Jashtme, ku i gjithë stafi do të pajiset me pasaporta diplomatike, një premtim ky i kryeministrit Edi Rama pas fitores me Rumaninë.
Edhe kreu i Qeverisë ka parashikuar pritje për futbollistët në Kryeministri dhe ndalesa e fundit do të jetë tek ‘Fan Zone’ në sheshin Nënë Tereza, ku do të takohen me tifozët.
Ja axhenda që do të ndjekë ekipi kombëtar:
1. Në 15:30 ekipi kombëtar mbërrin në aeroportin e Rinasit
2. Nisja nga aeroporti drejt Tiranës
3. Ceremonia e dhënies së çelësit në Bashkinë e Tiranës nga kryebashkiaku Erion Veliaj
4. Ministria e Jashtme, procedurat për pasaporta diplomatike
5. Kryeministri, pritja në COD me kreun e Qeverisë
6. ‘Fan Zone’, stacioni i fundit i ceremonialit për kombëtaren.