Shqipëri-Bjellorusi 1-0, Tirana në festë
Tiranë, 26 mars 2011 – Ndeshja mes ekipeve përfaqësuese të Shqipërisë dhe Bjellorusisë për grupin D të eliminatoreve të kampionatit Europian 2012, që u luajt sonte në mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, përfundoi me rezultatin 1-0. Ka qenë padyshim ndër më të mirat që mbahen mend kohët e fundit për ekipin tonë kombëtar, dhe rezultati pozitiv ka kthyer në festë mbrëmjen e sotme për mijëra tifozët të mbërritur në Tiranë nga e gjithë Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Edhe pse rastet për skuadrën shqiptare ishin vërtet të shumta ndërsa fati ishte me skuadrën bjelloruse, goli vendimtar për kombëtaren tonë arriti në minutën e 62-të dhe u shënua nga Salihi.
Me këtë fitore ekipi shqiptar shkon në vendin e dytë të grupit bashkë me Bjellorusinë në kuotën e 8 pikëve. Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar 5 ndeshje, duke realizuar 2 fitore, 2 barazime dhe një humbje. Grupi D kryesohet nga ekipi i Frances me 12 pikë.
Pjesa e parë ka qenë një spektakël kuqezi. Skuadra shqiptare ka detyruar Bjellorusinë të mbyllet në zonën e saj. Rastet kanë qenë të shumta. Në minutën e 6-të, Lorik Cana për pak shënon pas një goditjeje këndi, por një mbrojtës bjellorus largon nga vija fatale me portierin të shtrirë. Në të njëjtin aksion, Bulku godet nga 30 metra dhe portieri Veremko largon me shumë vështirësi.
Minuta e 17-të sjell një nga episodet më të diskutueshme të ndeshjes. Skela i kalon topin Salihit dhe ky i fundit shënon në dy kohë, por sipas arbitrit Strombergson, shkodrani e ka prekur topin me dorë dhe goli anullohet. Përsëritja tregoi se kjo nuk kishte ndodhur.
3 minuta para fundit të pjesës së parë Lorik Cana ndalet nga traversa pas një goditjeje dënimi. Një minutë më pas, Salihi del i vetëm me Veremkon, por goditja e tij përfundon në shtyllë.
Në pjesën e dytë, Shqipëria futet në fushë me të njëjtën dëshirë e vullnet për gol. Pas vetëm 5 minutash, Salihi godet me kokë, por portieri Veremko ka grushtuar në ekstrem. Pas një goditjeje këndi, Agolli godet nga jashtë zonës, por sërish portieri bjellorus ka pritur me këmbë.
Ndeshja pati një moment të çuditshëm, kur arbitri e ndërpreu për shkak të një lazeri në fytyrën e portierit kundërshtar (e mbani mend derbin e fundit Roma-Lazio?).
Minuta e 62-të, sjell golin vendita të takimit. Cana kroson nga gjysmëfusha e Shqipërisë, Bogdani e ul me kokë drejt zonës dhe mbrojtësi Martinoviç gabon, duke lejuar Salihin të shënojë me një goditje të bukur. Goli u jep krahë kuqezintë, që 11 minuta më pas krijojnë një tjetër rast të artë, pas kombinimeve mes Skelës dhe Salihit. Por, shkodrani nuk shënon pak metra larg portës. Ai e ka bërë këtë në minutën e 76-të, por ishte në pozicion jashtë loje dhe goli u anullua.
Gjatë 90 minutave të lojës, bjellorusët nuk vënë asnjëherë në rrezik portën shqiptare dhe dalin kokulur nga “Qemal Stafa”. Pas ndeshjes tifozeria kuqezi ka vërshuar rrugëve të Tiranës në delir për këtë fitore të kombëtares.