Instituti shqiptar i sigurimeve nënshkran një marrëveshje bashkëpunimi me ministrinë e Jashtme shqiptare për t’u dhënë mundësi shqiptarëve jashtë atdheut të paguajnë kontributet vullnetare pranë përfaqësive konsullore
Më 13 dhjetor në Ministrinë e Punëve të Jashtme u nënshkrua “Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fushën e sigurimit shoqëror të shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit”. Marrëveshja u nënshkrua nga Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto dhe Drejtoresha e Përgjithshme e ISSH Evelina Koldashi.
Protokolli në fjalë ka të bëjë me sigurimet vullnetare që emigrantët mund të dëshirojnë të derdhin për të plotësuar vitet e vjetërsisë dhe për të mos humbur kuotat e sigurimeve shoqërore që kanë derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri. Ministria e Jashtme, nëpërmjet përfaqësive diplomatike do të japë informacion të plotë, dhe në një farë mënyre përfaqësitë do të luajnë rolin e agjentëve të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Drejtoresha e këtij instituti, Evelina Koldashi, deklaroi se “nëpërmjet kësaj marrëveshjeje synohet shtrirja e infrastrukturës në shërbim të emigrantëve shqiptarë, lidhur me tre problematika kryesore:
Së pari, informimi lidhur me mbrojtjen sociale që përfitojnë emigrantët shqiptarë për pjesën që ata kanë qenë të siguruar në sistemin e mbrojtjes sociale në Republikën e Shqipërisë;
Së dyti, pasurimin e kësaj mbrojtje sociale, ku të gjitha këto shërbime do të jenë falas, si dhe,
Së treti, sigurimi i një mundësie më shumë për sigurim nëpërmjet licencimit të ambasadave ose përfaqësive tona diplomatike, si agjentë të sigurimeve shoqërore”.
Synimi përfundimtar i kësaj marrëveshjeje është pra mundësia e derdhjes së kontributeve pranë përfaqësive diplomatike, gjë që do t’i vinte realisht në ndihmë emigrantëve shqiptarë.
Ministri i Jashtëm Haxhinasto bëri të ditur gjithashtu se në agjendën e afërt të qeverisë është edhe ngritja e shtëpive të kulturës në vendet ku komuniteti shqiptar është më i madh.