in

Kontrolle dhe dëbime, policia në kërkim të imigrantëve të parregullt

Udhëzimet e kreut të policisë, Gabrielli, Kuesturave: “Nxitje maksimale veprimtarisë për gjetjen dhe largimin e të parregulltve”

Romë, 2 janar 2017 – Viti i ri hapet me ashpërsim të luftës kundër migrimit të paligjshëm.

Asnjë normativë e re, tani për tani të paktën, por Policia do të angazhohet më shumë se më parë në krehjen e territorit në kërkim të atyre që nuk kanë në xhep një dokument qëndrimi, të cilëve, me t’u gjetur do t’u jepet urdhri i dëbimit, qoftë edhe duke i mbajtur ca kohë në CIE (Qendrat e identifikimit dhe të dëbimit), gjithnjë po të ketë vende të lira në ato pak që kanë mbetur të hapura.

Janë udhëzimet e dhëna në fund të vitit që sapo u mbyll nga kreu i policisë Franco Gabrielli. Në një qarkore të nisur të gjitha kuesturave, lexohet që “është e nevojshme t’i jepet nxitje maksimale punës për gjetjen e qytetarëve të vendeve të treta me qëndrim të parregullt, në veçanti përmes një veprimtarie secifike kontrolli të forcave të ndryshme të policisë” dhe “fiton një rol po aq të rëndësishëm mekanizmi i kontrollit dhe i dëbimit të të huajve të parregullt”.

Gabrielli nënvizon që kjo “veprimtari kontrolli mundëson shpesh të dalin në dritë edhe dukuri shfrytëzimi dhe ndotjeje të ekonomisë në territor, dukuri të lidhura me forma të ndryshme kriminaliteti të organizuar në nivel kombëtar e ndërkombëtar”. Përfaqëson gjithashtu “një aksion parandalimi dhe kundërshtimi të kontekstit aktual të krizës përballë një trysnie migruese në rritje dhe një skenari ndërkombëtar të karakterizuar nga paqëndrueshmëri dhe kërcënime që kërkojnë angazhim maksimal në veprimtari që kanë për qëllim mbajtjen nën kontroll të territorit”.

Në qarkore kujtohet se “politika e riatdhesimit për të huajt me qëndrim të parregullt përfaqëson një përparësi në kontekstin e BE-së dhe është veçanërisht e reflektuar jo vetëm në dispozitat e detyrueshme të traktateve themeluese, por edhe në akte të shumta të tipit politik dhe strategjik “, si ‘Agjendat Evropiane’ për sigurinë dhe migracionin.

Për të kaluar nga teoria në praktikë, Gabrielli këshillon kuestorët të bëjnë një “planifikim paraprak të shërbimeve që kanë për qëllim optimizimin e burimeve të disponueshme në një kontekst më të gjerë të nevojave operacionale në nivel lokal”. Ky vlerësim “do të mund të kryhet në kuadër të Komitetit provincial për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike përmes zbatimit të programeve speciale të kontrollit të territorit që kanë për qëllim jo vetëm me luftën kundër emigracionit të parregullt, por edhe kundër shfrytëzimit të punës dhe formave të ndryshme të kriminalitetit që lidhen me klandestinitetin”.

Në të njëjtën Komitetit provincial për rendin e sigurinë publike, që mblidhet në çdo prefekturë, “do të mund të përcaktohet më mirë bashkëpunimi i forcave të ndryshme policore në zbatimin e planeve të përbashkëta të kontrollit që mund të kërkojnë ndonjë kontribut operativ të organeve lokale të policisë. Drejtoria Qendrore për Imigracionin dhe e Policisë së Kufirit – përfundon qarkorja – do të kujdeset për lidhjet e nevojshme me zyrat e imigracionit të kuesturave për një planifikim më specifik të veprimtarisë së kontrollit duke i kushtuar vëmendje të veçantë përcaktimit të vendeve në qendrat e identifikimit dhe dëbimit”.

 

 

 

Probleme me drejtësinë në Itali, KQZ u heq mandatin tre të zgjedhurve

Të huajt dhe ndihmesat sociale, nga bonusi për foshnjet te çeqet familjare