Sot zhvilllohen në Kosovë zgjedhjet për Kuvendin e legjislaturës së pestë në liri nga qershori 1999, të dytën nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008
Prishtinë, 8 qershor 2014 – Këtë të diel , kosovarët janë thirrur të zgjedhin Kuvendin e legjislaturës së pestë në liri nga qershori 1999, të dytën nga shpallja e pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008, të njohur tashmë nga 106 shtete anëtare të OKB-së.
Për 120 deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës janë në garë 30 subjekte politike – 18 parti politike, 7 iniciativa qytetare, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur – me 1.235 kandidatë, nga të gjitha komunitetet.
Lista përfundimtare e votuesve përmban 1.782.454 emra, të ndarë në 38 komuna pëfshirë edhe veriun me shumicë serbe, mes tyre 33.735 votues të rinj që do të votojnë për herë të parë.
Në gjithë territorin janë hapur në orën 7.00 (e do të qëndrojnë hapur deri në orën 19.00) 798 qendra votimi me gjithsej 2.374 vendvotime. Rezultatet paraprake paralajmërohet të shpallen nga KQZ pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, rreth mesnatës.
Zgjedhjet e organizuara nga KQZ, të vlerësuara shumë të rëndësishme për zhvillimet demokratike dhe për proceset integruese euroatlantike të Kosovës do monitorohen nga rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian dhe rreth 30 mijë vëzhgues tjerë të akredituar, nga subjektet politike, organizatat joqeveritare, organizatat ndërkombëtare, përfaqësitë diplomatike, mediat.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka bërë përgatitjet e nevojshme për të luajtur rolin mbështetës, ndërsa masat e sigurisë për zgjedhjet parlamentare janë planifikuar dhe bashkërenduar me kujdes ndërmjet Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it dhe OSBE-së për ta garantuar të drejtën e qytetarëve për të votuar, si dhe zhvillimin e qetë dhe të rregullt të procesit të votimit.
Kosova ka pasur zgjedhjet e saj të pavarura edhe para se të bëhet e lirë dhe e pavarur: para 22 viteve, në 24 maj 1992, Kosova mbajti zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, nën regjimin e dhunës serbe, që me “kushtetutën e tankeve” përgjakshëm kishte rrënuar autonominë që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974.Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht lëvizjen për liri, pavarësi e demokraci të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 korrikut e Kushtetutën e 7 shtatorit 1990, si dhe Referendumin e ditëve të fundit të shtatorit 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87% e qytetarëve pjesëmarrës në votim.