in

Kosovarët e vrarë nga punëdhënësi. Cgil: “Prej kohësh kërkonin rrogat e disa muajve”

Reagon edhe komuniteti shqiptar në Fermo: “Dhimbje për dy jetë të marra, për gjashtë fëmijët të lënë jetimë por edhe për tonet e buta të përdorura nga shtypi për punëdhënësin vrasës”

Romë, 17 shtator 2014 – Kërkonin të paguheshin për muajt e punës që kishin bërë kohë më parë për sipërmarrësin dhe “i shkojnë në shtëpi të armatosur me një kazmë” u tha fillimisht. Sipërmarrësi, jo vetëm që nuk i paguan por merr pistoletën e qëllon mbi ta. Njëri vdes në vend me dy plumba në trup, tjetri, i zënë nga tre plumba, vetëm pak orë më pas në spital. Viktimat janë kosovarët Nexhmedin Mustafa 38 vjeç, baba i katër fëmijëve, dhe Valdet Avdyli 26, baba i një fëmije pakmuajsh e në pritje të një të dyti. Vrasësi është një ish punëdhënës i tyre, sipërmarrësi i ndërtimit Gianluca Ciferri, 48 vjeç. Është kjo me pak fjalë ajo çka u tregua në mbarë Italinë se ndodhi të hënën paradite në Fermo.

“M’u desh të mbrohesha nga agresioni i dy punëtorëve” u ka deklaruar Ciferri karabinierëve që ka thirrur në vendngjarje. Gjynah që asnjë prej palës tjetër nuk mund të thotë të vërtetën e vet, veçanërisht tani kur deklaratat e punëdhënësit nisin të çalojnë e të bien. Sipas lajmeve më të fundit të shtypit lokal, duket se kazma nuk ishte e dy punëtorëve por e vetë Ciferrit; se dy burrat nuk ia kanë behur papritur në shtëpi të sipërmarrësit por se janë thirrur me telefon prej tij, gjë që e deklaron edhe vëllai i Nexhmedin Mustafës. Madje duhet të takoheshin rreth 5 km larg shtëpisë së Ciferrit, siç deklaron punëdhënësi i ri i njërit prej viktimave kur i kish kërkuar leje të largohej pak nga puna. Ndoshta Ciferri u ka telefonuar në një moment të dytë për t’u dhënë takim në shtëpi të tij.

Nga sindikata Fillea Cgil tregojnë se e dinin që prej kohësh Ciferri duhej t’u jepte Avdylit dhe Mustafës disa muaj rrogë dhe likujdimin. E dinte këtë gjë edhe Dhoma e Punës së Fermos. Punëtorët kishin kërkuar ndihmë në sindikatë për rastin e tyre. Nuk kishin pranuar të hidhnin në gjyq sipërmarrësin nga frika se mos nxehej e nuk shihnin më kurrë paratë që u detyrohej, flitet për rreth 15 mijë euro. E merrnin herë pas here në telefon për t’u interesuar se kur mund të paguante. Deri të hënën kur i shkojnë në shtëpi. “Një tragjedi, pjellë e tensionit social të pranishëm në tregun e punës. – ka thënë pas vrasjes sekretari provincial i Cgil së Fermos Maurizio Di Cosmo – Puna jo vetëm që sot është e nesër jo, por tani as po paguhet”.
Nëse pretendon të paguhesh, e veçanërisht nëse je i huaj, është kollaj që punëdhënësi të të presë me armë. – deklaron diçka të tmerrshme për një vend demokratik Di Cosmo – E atëherë ikën, pa pasur gjë në dorë. As nuk telefonon më për të pasur ata që të takon”.

Menjëherë pas ngjarjes reagon edhe komuniteti shqiptar i Fermos. Me një letër të Arjol Kondit, ish këshilltar komunal i Fermos, vihet gishti mbi “tonet e buta” që shtypi ka përdorur për atë që ka shkrehur armën e tonet “thuajse përçmuese” për viktimat. “Ndiejmë dhimbje për dy jetë të ndërprera, për katër fëmijët e Nexhmedin Mustafës të mbetur jetimë, për fëmijën pak muajsh të Valdet Avdylit e për atë që do të lindë e nuk do të njohë kurrë të atin. Na hidhëron fakti që dy të rinj janë paraqitur në shtëpi të punëdhënësit, – të thirrur prej tij, nga sa na thuhet, – të kërkonin rrogën dhe u paguan me plumb. Na hidhëron fakti që tonet e përdorura nga shtypi janë të buta për atë që ka qëlluar e thuajse përçmuese për dy jetë të shuara, duke dhënë për të sigurt se ishte një agresion. Na hidhëron fakti që dy të rinjtë nuk munden më të tregojnë versionin e tyre” shkruan Kondi.

“Por kemi besim – vazhdon ai – se autoritetet hetuese do të bëjnë me seriozitet punën e tyre për të sqaruar rrethanat e për të bërë drejtësi; se autoritetet lokale do të ndihmojnë familjet e viktimave të kapërcejnë këtë çast tragjik…”.

“Komuniteti shqiptar – përfundon Kondi – nuk e ka zakon të shprehë gjykime të pamatura, qofshin dënimi apo pafajësie, por as nuk pranon të sajohen faje të paqena që hedhin baltë mbi viktimat”.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

 

Papa për Shqipërinë: Pas një regjimi të egër ateist, sot realizon bashkëjetesë ndërfetare

Dorë për dorë për 700 vjet. Zbulohen të dashuruarit e Leicestershire