Sipas Bankës së Shqipërisë, në periudhën janar-shtator 2013, niveli i dërgesave në parave të emigrantëve ka qenë më i ulët se kurrë më parë
Tiranë, 11 dhjetor 2013 – Gjithnjë e më i ulët kontributi i remitancave në ekonomi në ekonominë shqiptare.
Gjatë viteve të fundit remitancat kanë ndjekur një trend në rënie. Por këto 2 vitet e fundit, kjo rënie ka qenë më e theksuar. Duke qenë se për shkak të krizës, në BE është gjithnjë e më e vështirë gjetja e një vendi pune dhe shtohet numri i të papunëve edhe mes emigrantëve, një pjesë e tyre kanë vendosur të rikthehen në Shqipëri dhe të investojnë në vendin e tyre.
Sipas agjencisë së lajmeve ATSh, emigrantët më të shumtë që janë kthyer kanë jetuar së fundi në Greqi, ku efektet e krizës kanë qenë më të theksuar. Por gjithnjë për shkak të krizës, nuk kanë qenë vetëm emigrantë shqiptarë që po kthehen në Shqipëri, por ka pasur edhe shtetas të huaj kanë filluar të shfaqin interes për të provuar mundësitë ekonomike që ofron vendi ynë.
Nivelet në rritje të papunësisë në Bashkimin Europian, që vijnë si pasojë e krizës, kanë dhënë efektet e tyre në Shqipëri, në aspektin e remitancëve. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që punojnë jashtë ndodhen në Itali dhe Greqi, dy nga vendet e BE-së, ku papunësia ka arritur nivele të larta. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë 3-mujorit të tretë, remitancat janë ulur me 40%, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Në këtë periudhë kohore drejt Shqipërisë janë dërguar 119 milionë euro. Edhe gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, niveli i remitancave ka qenë më i ulët se kurrë më parë. Në bazë vjetore, tkurrja e remitancave ka qenë 32%.
Në vitin 2007, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, niveli i remitancave ka qenë më i larti në histori: 719 milionë euro.
Edhe sipas raportit të 10 dhjetorit të zyrës së Statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat, tendenca është po kjo: edhe remitancat e të huajve që jetojnë në Itali drejt vendlindjeve është në rënie. Vitin e shkuar punonjësit e huaj kanë nisur nga Italia në atdhe 6,8 miliardë euro, ndërsa gjatë vitit 2011 remitancat kapnin shifrën e 7,4 miliardëve.