in

Kryetari zgjedh, Sovrani voton

Vetëm njerëz të lirë, pa konflikte interesi me vizion e  konsesus të gjerë politik, mund ta shpëtojnë Shqipërinë. Kjo sfidë nuk përballohet duke kërcënuar e as duke dënuar kriminelët e të korruptuarit me burg, por duke pastruar, kuruar  e vaksinuar me ligje gjithë sistemin e infektuar politik e administrativ

Njësoj si në demokracinë proletare, madje më keq, nëse nën diktaturë “i zgjedhuri” i sekretarit I ishte besniku i partisë, sot në post-totalitarizëm i zgjedhuri i kryetarit të partisë është klienti ose padroni i tij.

Më 22 Mars 1992, shqiptarët mbyllën një derë për të hapur një tjetër drejt “lumturisë e drejtësisë”, pa hartë e pa timonier, por me entuziazëm e pikësynim: për të qenë të lirë, të lumtur e pasanikë  si në Perëndim. Sot, pas 21 vjetësh, shqiptarët janë të lirë, ca edhe të pasur, ndokush edhe i lumtur, por Shqipëria e thyer nga varfëria, e fyer nga padrejtësia, e zhytur në borxh, në krim e korrupsion, gjendet para një tjetre dilemë: të mbajë fort atë që ka apo t’i kthehet asaj që ka lënë?

Ata, që në 1992-shin i brohoritën dhe i votuan si “liberator demokrat”, sot janë bërë më të pamëshirë e më të pafytyrë se paraardhësit e tyre diktatorë kolltukofagë. Kjo falë paaftësisë e makutërisë së kësaj klase politike dhe degradimit moral të shoqërisë feudokapitaliste shqiptare, që në këto vite ka pjellë e abortuar plot klane e bastardë politikë, por asnjë alternativë e asnjë reformator politikan.  Edhe një  artist “outsider” që e majta poskomuniste, dhjetë vjet më parë e adaptoi si “alternativë të re politike”, nuk i kaloi dot caqet e një performance banale piktorike. Mjedisi mediokër partiak e administrativ tepër i ndotur e kanë sterilizuar edhe nga ndonjë ide që “ndryshimtari me ngjyra” pati manifestuar në fillimin e tij të mbarë. Ajo që bëri realitet është kthimi i PS-së në “indentitet”, konvertimi i saj në një parti personale, “për vete”, sipas imazhit të “atit e shpirtit të vdekur”, që sot nuk sheh majtas, as djathtas e as përpara por që vjen vërdallë si për të kafshuar bishtin e vet.

Në një boshllëk të tillë moral politik, ndryshe nga shoqëritë demokratike, ku qytetarët e lirë zgjedhin e vetëzgjidhen online, shqiptarët e privuar nga zgjedhja, janë të detyruar të rivotojnë të njëjtët “të zgjedhur” që prindërit e tyre kanë votuar 21 vjet më parë. Në vend që të bëjmë një hap përpara po kthehemi 21 vjet mbrapa. Po ata që na gënjyen me “çekun e bardhë”, sot na kërcënojnë me urinë e zezë, borxhin real  monetar. Dje paguan prindërit tanë, sot na takon neve. Nesër fëmijëve  e nipave tanë, do t’u duhet të lajnë një borxh akoma më të rëndë, të cilin, qeveritarët e politikanët na e kanë depozituar për “ardhmëninë” tonë. Ndryshe nga atëherë, sot shpresa për të gjetur strehë e një kafshatë bukë në “botën e lirë” është fikur. Shqiptarët janë të lirë por jo aq sa për të shtegtuar. Horizonti i shpresës është larguar e perëndimorët e lumtur shtrëngojnë rripin çdo ditë. Nëse në fund të tunelit të atëhershëm shikonim pakëz dritë, sot “drita verbuese” që “optimistët” na tregojnë me gisht përditë, ka gjasa të jetë treni i ferrit në kthim.

Çfarë mund të bëjmë për të evituar këtë hata fatale? Ajo çka i nevojitet sot Shqipërisë, mungon. Po çfarë ofron klasa politike aktuale? Pak e hiç. Çfarë ata janë duke bërë praktikisht, jeni ju vetë dëshmitarë.

Unë do të evidentoj telegrafisht ato çka klasa politike duhet të bëjë urgjentisht:  a) t’i garantojnë sovranit të drejtën për të zgjedhur, b) të ndajnë  politikën nga biznesi, c) të çlirojnë parlamentin, shtetin e qeverinë nga konfliktet e interesit. d) një ligj të rreptë  antikorrupsion, e) të heqin financimin e partive e imunitetin parlametar. Aplikimi i këtyre parimeve themelore demokratike, do të ishte sinjali i parë për ndryshim e prova konkrete për të rikuperuar kredibilitetin politik tashmë të humbur plotësisht. Të kuptohemi, nuk kam asnjë iluzion se atë që nuk kanë bërë për dy dekada do ta bëjnë në më pak se dy muaj, as PD e as PS. Kjo e fundit ka një avantazh, jo si parti “e paparë” por si subjekt me kryetar “të ri të rrallë”, i cili, ndonëse deri tani nuk na ka dhënë asnjë garanci për ndryshim, është më i besueshme pasi  “gënjen për herë të parë”. Nëse kryeopozitari ka vërtet si objektiv “Rilindjen e vendit”, nuk ka rrugë tjetër, madje duhet të fillojë sa më parë, në të kundërt jo vetëm do të humbasë por nuk do të ketë më shans as për të lozur. Kjo për arsyen e thjeshtë se krimi e korrupsioni 21 vjeçar shtetëror shqiptar nuk kurohet duke spostuar kriminelët e të korruptuarit herë majtas e herë djathtas por duke i sfiduar. Natyrisht, që sfidantët nuk mund të jenë konformistët as rrufianët, as rrotamatorët shtihanë e kurrsesi kriminelët e të korruptuarit. Vetëm njerëz të lirë, pa konflikte interesi, me vizion e  konsesus të gjerë politik, mund ta shpëtojnë Shqipërinë nga kjo kuçedër me shumë krena. Kjo sfidë nuk përballohet duke kërcënuar e as duke dënuar kriminelët e të korruptuarit me burg, por duke pastruar, kuruar  e vaksinuar me ligje gjithë sistemin e infektuar politik e administrativ (d.m.th. jo duke vrarë mizat e fëlliqta por duke higjienizuar mjediset e pista). Klasa politike në përgjithësi e mazhoranca aktuale në veçanti janë sfiduar nga krimi e korrupsioni, madje bashkëpunojnë. Opozita ka bërë adetin duke e “denoncuar” por deri më sot nuk ka dhënë asnjë provë nëse është e gatshme e në gjendje për të përballuar një sfidë të tillë. Kjo lë shumë për të dëshiruar e pak për të shpresuar.

Që fati i Shqipërisë është në dorën e krimit, jemi të vetëdijshëm e dëshmitarë, por që kjo fatkeqësi të  interpretohet si “shëndet demokratik” e “dobi publike” siç ndokush përpiqet të maskojë matrapazlliqet e ndyra eletorale shqiptare (aktuale e ato që do të kemi pas 23 qershorit), e konsideroj hipokrizi, hajvanllëk, maskarallëk shqiptar. Të gjithë i dimë të gjitha por “nuk mund t’i provojmë me fakte”. Mund të jemi të pafuqishëm, por jo të detyruar për të deformuar realitetin e as për të  fallsifikuar faktet. Shqiptarë e ndërkombëtarë jemi dëshmitarë të një fakti skandaloz mes mijëra skandaleve të pafaktuara, të cilin drejtësia shqiptare u detyrua ta mbulojë me shoshë.  Pse? Sepse krimi është në krye, majtas e djathtas.  

Në një shoqëri të varfër e të prapambetur me arsimim të gjymtuar e formim totalitar, në 21 vjet, natyrisht që nuk pretendohen “mrekulliaa” ekonomike, politike, demokratike, por të paktën shtëpi, punë, bukë, liri, shkollë e drejtësi: në Dheun e tij, një program për sot e një projekt për nesër, ka të drejtë të pretendojë çdo qytetar shqiptar prej politikës, qeverisë e shteti të tij.

Ç’na ka kaluar për shalësh e kotë që ta qajmë. E sotmja alarmante duhet të na shqetësojë, e ardhmja e dyshimtë duhet të na impenjojë e të na bashkojë. Jam i sigurt që energjia e dëshira për ndryshim ekziston në Shqipëri. Ajo që mungon është vullneti i mirë e orientimi i mbarë. Po të bëjë secili detyrën si qytetar, të gjithë së bashku do të bëjmë Shqipërinë.  Zotërinj kryetarë, bëhuni qytetarë! Kthejini Sovranit atë që i keni marrë!

Xhovalin Delia, Firence
www.xhovalindelia.it

Lavoratori stagionali. Il decreto flussi e la circolare esplicativa

Flukset. Nis përpilimi i kërkesave për sezonalët. Udhëzues i ilustruar